Kryesore, Mapo Format

Në dhjetëvjeçarin e dytë, UET me sytë nga bota: Për herë të parë sjell një Master të përbashkët me vendet e BE-së

100 marrëveshje me universitete ndërkombëtare, 100 studentë shqiptarë që kanë përfituar një semestër në universitete europiane përmes “Erasmus+” dhe 20 studentët të huaj që kanë studiuar një semestër në UET, duke e bërë këtë të fundit universitet pionier në afrimin e të huajve në auditorët e tij, 7 projekte të mëdha të financuara nga Komisioni Europian me vlerë 700 mijë euro dhe një Master që do të njihet automatikisht në BE. Pasi arriti të bëhej universitet lider në Shqipëri, në dhjetëvjeçarin e dytë UET është i fokusuar në ndërkombëtarizimin e tij

Ndërkombëtarizimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit strategjik të Universitetit Europian të Tiranës. Me këtë dimension ky institucion i arsimit të lartë u jep mundësi të gjithë atyre që studiojnë në të, përvojën e studimeve në një prej universiteteve me emër në Europë, kjo përmes përfshirjes intensive në programet Erasmus+.



Ketrina Çabiri Mijo, drejtuese e Zyrës për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneriteteve dhe Lutjona Lula, përgjegjëse për Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë/Erasmus + kanë zbuluar më shumë nga puna konkrete që UET ka ndërmarrë në këtë drejtim.

“Për të përmbushur këtë strategji, UET ka ngritur dhe konsoliduar strukturat e nevojshme, siç janë Zyra e Zhvillimit të Projekteve dhe Partneriteteve dhe Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë/Erasmus +. Zyra e Zhvillimit të Projekteve dhe Partneriteteve është aktive dhe proaktive si në kërkimin dhe aplikimin e projekteve dhe partneriteteve të reja, ashtu edhe në përgjigje të ofertave që i adresohen universitetit nga Universitete Europiane” zbulon Çabiri.

Gjatë 10 viteve të jetës, qysh prej themelimit më 2006-ën, Universiteti Europian i Tiranës ka mbështetur lëvizshmërinë e stafit dhe studentëve në rajon, në Bashkimin Europian dhe më gjerë.

“Mund të themi me krenari se tashmë UET është një “brand” i afirmuar në mjedisin europian të projekteve dhe jemi të kërkuar shpesh nga partnerët europianë” – vijon Çabiri.

Por jo vetëm që ky universitet u jep mundësinë të rinjve shqiptarë të udhëtojnë e të studiojnë të paktën një semestër jashtë vendit, por gjithashtu është një nga universitetet pionierë në afrimin e studentëve të huaj në auditorët e tij, zbulon Lutjona Lula, e cila është edhe përgjegjëse për programin Erasmus+ në UET.

Duke qenë ndër Universitetet pionierë në afrimin e studentëve të huaj në auditorët e tij, Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Jashtme, ka iniciuar së fundmi nismën “Tirana International Student City”, e cila ka qëllim promovimin e qytetit dhe rritjes së numrit të studentëve të huaj nga Europa e më gjerë” – ka thënë Lula për MAPO.

Sipas dy zonjave, Çabiri dhe Lula UET ka sot afro 100 marrëveshje me universitete ndërkombëtare, jo vetëm me vendet anëtarë të BE-së , SHBA dhe më gjerë.

“Synimi ynë është që të shtrihemi edhe në vende të reja, por me marrëveshje të cilat ofrojnë përfitime të prekshme dhe bilaterale, jo thjesht formalitete apo përfitime të njëanshme. Për këtë arsye, programi Erasmus+ ofron shumë mbështetje financiare për momentin dhe në këtë kuadër UET ka 22 marrëveshje aktive” – thonë ato, duke zbuluar edhe lajmin më të ri; UET është pjesë e konsorciumit i cili do të sjellë për herë të parë në Shqipëri një Master të Përbashkët Erasmus.

“Bëhet fjalë për PoSIG-Shkenca Politike, Integrim dhe Qeverisje, në të cilin një pjesë e universiteteve më të mira të rajonit dhe Universiteti i Salzburgut do të mund të lëshojnë një diplomë të dyfishtë, e cila njihet automatikisht edhe në BE”.

Të tjera projekte të mbështetura nga fondet e Bashkimit Europian, përmes skemave Erasmus + KA2, synojnë përmirësimin e programeve të studimit dhe nxitjen e punësimit përmes validimit të kompetencave (Projekti REBUS) dhe ndërlidhjen e tyre me programe studimi Europiane (Projekti SMART AL)

“Së shpejti, presim zhvillime të tilla dhe në kuadër të projekteve të tjera që kemi në proces” – vijon Çabiri.

Universiteti Europian i Tiranës u përfshi në skemën e shkëmbimeve të studentëve dhe stafeve akademike e administrative në vitin 2015 dhe në tre vjet, ka mirëpritur 20 studentë të huaj, të cilët kanë jetuar në Tiranë për një semestër.

“Ne kemi ngritur në bashkëpunim dhe me zyrat përkatëse procedura lehtësuese për akomodimin, lejen e qëndrimit, ofrimin e lëndëve në gjuhën angleze, si dhe integrimin në jetën sociale në Tiranë”.

Në kuadër të Erasmus, UET është shpesh pjesë e projekteve që financohen nga Komisioni Europian me qëllim trajnimin apo mbështetjen e universiteteve, si edhe në fushën e kërkimit shkencor.

Aktualisht menaxhon 7 projekte të mëdha Erasmus+ për Ngritjen e Kapaciteteve në Universitete, projekte këto 3-vjeçare me një buxhet të përbashkët prej rreth 700.000 euro dhe 3 projekte IPA (Ndërkufitar; Mediteran; Ballkan Med) me një fond të përbashkët rreth 250.000 euro, që zbatohen nga Qendra UET, Program i Institutit Europian Pashko.

Për sa i takon projekteve kërkimore shkencore, UET është pjesë e një koncortiumi të drejtuar nga Universiteti i Bolonjës, me fokus kërkimin në fushën e Migracionit (ESPON). Çabiri dhe Lula shtojnë se me vlerë të veçantë është përfshirja e stafit akademik të UET në Aksionet (projektet) COST (European Cooperation in Science and Technology), ku edhe pse Shqipëria nuk e gëzon statusin e një vendi anëtar në këtë Program, UET përfaqësohet aktualisht në 7 Projekte aktive përmes përfshirjes individuale të pedagogëve.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas