Media

Ndizet debati, acarohet Bushati, Iljazaj: Paratë publike le të shkojnë për televizionet private

Disa nga drejtuesit kryesorë të televizioneve private në vend u mblodhën një ditë më parë, duke kërkuar nga qeveria miratimin e një projektligji për mediat audiovizive.

Mes të tjerash, kërkohet krijimi i një fondi për transmetimet. Drejtuesit e televizioneve private kërkojnë që qeveria të mundësojë dhënien e dekoderave falas, pasi shumë pak qytetarë janë pajisur me to, në kushtet e projektit të dixhitalizimit.



Por një takim i tillë ka ndezur jo pak debat në media.

“Ky akt, me mbështetjen dhe frymëzimin e Edi Ramës, nuk ka asgjë më pak sesa tenderat, koncesionet dhe PPP më skandaloze që janë dhënë këto pesë vitet e fundit. Njësoj si ato, të gjitha udhëhiqen nga një devizë: pasurimi i një kaste të vogël, në dëm të pjesës më të madhe të shqiptarëve,” shkruan analisti Andi Bushati te Lapsi.al.

“Kështu, këta pronarë, shumica e të cilëve shfrytëzojnë një pasuri publike, frekuencat dhe licencat e trensmetimeve televizive, për të dizinformuar, për të bërë propagandë në favor të qeverive dhe të një kaste të privilegjuarish, që ndryshojnë krah sa herë ndryshon pushteti dhe që varrosin të vërtetat më të mëdha të këtij vendi, tani po kërkojnë të paguhen nga shqiptarët, me pretendimin se nuk i kanë ngritur televizionet për të vënë gjoba, për të lartësuar kulla, për të fituar tendera, por për t’i shërbyer njerëzve,” shkruan ai.

Por drejtori i gazetës Mapo, Ervis Iljazaj e quan të drejtë vendimin që televizionet private të marrin para nga ata fondet publike.

“Që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, nuk dihet se përse, televizioni, arsimi dhe shëndetësia kanë ngelur ende me një mendësi menaxheriale etatiste, dhe nuk janë futur në logjikën e tregut. Logjikë e cila, do të transformonte totalisht mënyrën dhe cilësinë e këtyre shërbimeve. Çdo gjë shtetërore ka dështuar gjatë tranzicionit, ndërsa çdo sektor që ka pësuar liberalizim dhe konkurrencë ka rritur cilësinë e shërbimit.

Rasti i qartë se, konkurrenca dhe tregu i lirë funksionojnë, është tipikisht rasti i tregut të medias. Askush nuk mund ta vërë në dyshim që, televizione private dhe konkurrenca e tyre ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e këtij sektori.

Mirëpo, politika ka nevojë për konsensus, dhe ndonjëherë kërkohet kurajë për të bërë reforma të thella për shërbimet e ndryshme. Për këtë arsye, zgjidhet rruga më e lehtë, ajo populiste dhe hipokrite, ku harxhohen para pa fund, me idenë se një shërbim duhet ta kenë gratis që të gjithë, duke harruar se, çdo shërbim kushton, aq më tepër një shërbim cilësor,” shkruan Iljazaj.

Lexoni më poshtë tekstin e plotë:

 

Televizioni shtetëror nuk ka asnjë vlerë, po parave publike për televizionet private

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas