Kryesore, Shëndeti

Ndër të fundit në Europë, por… shqiptarët, konsumatorët më të mëdhenj të akullores ‘italiane’

Akulloret “Made in Albania”, në rritje të vazhdueshme

Prodhimi vendas i akullores po njeh një zgjerim të vazhdueshëm në vitet e fundit. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë flasin për rritje të prodhimit të akullores prej agroindustrisë. Gjatë 2017-s prodhimi i akullores në vend ishte 1,154 tonë, me një rritje prej 15% të prodhimit krahasuar me një vit më parë.



Aktorët kryesorë të tregut tregojnë se së fundmi, shitjet për produktin e akullores nuk janë thjesht sezonale, por prodhohen gjatë gjithë vitit. Në dimër, ka një rënie të lehtë të prodhimit, duke qenë se dhe pastiçeritë fokusohen në prodhimin e ëmbëlsirave.

Rritja e prodhimit vendas dhe tendenca për të kërkuar produkte të freskëta, të cilat nuk kanë qëndruar gjatë të ngrira në frigorifer, reflektohet edhe nga të dhënat e doganës mbi importet e akulloreve.

Importet e akulloreve kanë shënuar rënie të vazhdueshme në pesë vitet e fundit, si në vlerë edhe në sasi. Nga viti 2013 deri në 2017, sasia e importuar e akulloreve ka rënë me 83%. Referuar të dhënave të doganës, në 2017-n u importuan nga jashtë 434 tonë akullore, me një vlerë prej 1.4 milionë dollarë.

Pesha e akullores së importuar në 2013-n, sipas të dhënave është 2,587 tonë, me vlerë 8.1 milionë dollarë. Referuar të dhënave mbi importet nga Dogana dhe të dhënave për sasinë e prodhuar në vend, një shqiptar ka konsumuar mesatarisht 0.57 kilogramë gjatë 2017-s.

Vendet kryesore prej të cilave kemi importuar akullore mbeten partnerët tanë kryesorë në tregti, si Italia dhe Greqia. Sipas të dhënave të Doganës, akulloret e importuara nga Italia ishin 301 tonë, me vlerë 900 mijë dollarë dhe vendi i dytë është Greqia, 133 tonë, me një vlerë 571 mijë dollarë.

Mbështetur te të dhënat, 27% e tregut e zënë akulloret e importit dhe 73% janë prodhim vendas.

Konsumi për frymë, ndër më të ulëtit në Europë

Në vitin 2017, shqiptarët kanë konsumuar zyrtarisht 1588 ton akullore (prodhim vendas +import), ose rreth 0.6 kg për frymë. Kjo sasi llogaritet ndër më të ulëtat në Europë.Sipas të dhënave të Statisca.com, rekord për konsum akulloresh në Europë mbajnë vendet nordike, Suedia, Finlanda, Norvegjia me 10-12 kg për frymë në vit. Në shtetet e tjera, konsumi luhatet mes 4-7 kg. Më i ulët është në Bullgari, me 0.9 kg në vit. Në botë kryeson Zelanda e re, me më shumë se 20 kg për frymë në vit dhe pas saj vijnë SHBA-të me rreth 20 kg në vit.

Nga akulloret tradicionale te recetat e reja

Prej tre vitesh, “Cioccolatitaliani”, është një ndër lokalet trend të Tiranës, në zonën e Bllokut, që përveç vendasve tërheq edhe mjaft turistë me akulloret dhe ëmbëlsirat. Në Tripadvisor, akulloret e këtij dyqani kanë marrë vlerësime pozitive prej turistëve me origjinë nga të gjitha kontinentet. Por nuk mungojnë as komentet se janë shumë të shtrenjta për një vend si Shqipëria.

Fatmiri, menaxher prej tre vitesh, thotë për “Monitor” se kanë qenë në rritje të vazhdueshme, duke qenë se konsumatorët tashmë kërkojnë akullore të freskëta, të prodhuara në moment. Konsumi mesatar ditor i akullores në këtë lokal është 70-80 kg, por në raste piku, konsumi ditor i akullores shkon deri në 100 kilogramë.

Sipas përvojës së tij në treg, Fatmiri thotë se konsumi është edhe në varësi të vendit. Nëse në qytetet bregdetare ka konsum më të lartë gjatë ditëve të fundjavës, në Tiranë konsumi është më i lartë gjatë ditëve të para të javës. Lokali është franchise i një biznesi të huaj. Të gjitha recetat speciale janë pronë intelektuale e zyrave qendrore dhe janë të mbrojtura. Çmimet variojnë nga 360 lekë për kupat e vogla, ndërkohë që për kupat dhe recetat speciale çmimi varion mbi 900 lekë.

Një recetë “sekrete” që e dinë vetëm dy vetë

Emirjon Bazhdari dhe Alketa Zyfi, pesë vite më parë u kthyen nga emigracioni për të sjellë në tregun shqiptar një lloj akullore të veçantë, të prodhuar jo prej qumështit (siç bëhet akullorja tradicionale), por prej kosit. Ata hynë në treg në vitin 2012, por në atë kohë nuk e kishin menduar kurrë që biznesi do të kishte një super rritje, siç e cilëson vetë Alketa.

Aktualisht numërojnë pesë dyqane të prodhimit të jogurtit (akullore prej kosit të ngrirë), katër prej të cilëve janë në kryeqytet, ndërsa një tjetër e kanë hapur në Gjirin e Lalëzit. Për sa i përket recetës së akullores që prodhohet në dyqanet e tyre, asnjë prej të punësuarve në dyqan nuk e di sekretin. Të dy bashkëshortët janë të vetmit që dinë masat që duhen të hidhen për të nxjerrë akulloret prej kosit. Yogurteria ka nxitur edhe prodhimin e reçeleve, të cilat shërbejnë si shoqëruese me akulloret.

Çmimet e akulloreve prej kosit variojnë nga 150 lekë për kupat e vogla, 200 lekë për kupat e mesme, 250 lekë për kupat e mëdha dhe 500 lekë kupa speciale. Çdo shije shoqëruese (reçel, shurup, apo përzierje çokollatash) kushton 50 lekë. Edhe administratorët e Yogurterisë tregojnë se tashmë akulloret nuk po njohin më sezon, por po konsumohen njëlloj si në dimër edhe në verë.

Shqiptarët, konsumatorët më të mëdhenj të akullores italiane në rajon

Akulloret italiane janë të famshme në të gjithë botën. Tani që është verë, ato shpërndahen në pjesën më të madhe të botës. Po sa është vlera dhe konsumi i tyre në Shqipëri? Sipas të dhënave të publikuara nga “Il Sole 24 Ore”, vlera tregtare e akulloreve italiane në Shqipëri është rreth 904 mijë dollarë, ndërsa pesha neto është rreth 300 mijë kg. Çmimi mesatar për kilogram është 3 dollarë. Në total, sipas llogarive, sasia mesatare e akulloreve italiane për 1000 banorë është 104.6 kg.

Krahasuar me rajonin, shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të akulloreve italiane. Në Malin e Zi, konsumi vjetor i akulloreve italiane për 1000 banorë është 21.6 kg, në Bosnjë dhe Hercegovinë 14.5 kg, në Serbi 17.6, ndërsa Maqedonia ka një sasi të ulët të akulloreve italiane të eksportuara në vend. Referuar çmimit mesatar për çdo kg të akullores italiane në vendet e rajonit, Shqipëria ka çmimin më të ulët. Në Maqedoni, çmimi është 3 $, në Malin e Zi është 6.1 $, në Serbi është 3.47 $, ndërsa në Bosnjë 5.8 dollarë/kg.

44 milionë euro, apo 13 mijë tonelata me akullore italiane janë shitur te gjermanët, të cilët janë konsumatorët numër një të akullores së prodhuar në Itali, të ndjekur nga spanjollët me 31 milionë dollarë dhe qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar me 29 milionë dollarë.

Bazuar në shifrat e nxjerra, “Il Sole 24 Ore” ka renditur edhe vendet që kanë çmimin më të lartë. Në Japoni, çmimi mesatar për kilogram i akulloreve italiane të eksportuara është 7.5 dollarë, në Zvicër 6.1 dollarë dhe në Norvegji 5.1 dollarë. Ndërsa në vendet e tjera, ku përdoret monedha euro si në Itali, vlera mesatare për kg e akulloreve italiane në Belgjikë është 5.1 dollarë, në Shqipëri 3 dollarë, ndërsa në Greqi 2.7 dollarë. Ndërsa për sa i përket konsumit, vendin e parë e mbajnë danezët me 255 kg për 1000 banorë çdo vit, ndjekur nga spanjollët dhe sllovenët. Në Shqipëri, konsumi për 1000 banorë është 104.6 kg.

Akullorja më e shtrenjtë në botë kushton 817 dollarë një kupë

Po kërkoni që të freskoheni dhe të boshatisni kuletën këtë verë? Nëse keni planifikuar që këtë verë të shkoni, “Scoopi Cafe” në Dubai, një dyqan akulloresh, shërben “akulloren më të shtrenjtë në planet”. Megjithëse, Guinness zyrtarisht rendit Serendipity të 3-in me akulloren “Frrrozen Haute Chocolate”, si ëmbëlsirën më të shtrenjtë në botë, kostoja e saj e lartë vjen kryesisht nga byzylyku prej ari dhe diamanti prej 18 karatësh, që vjen së bashku me lugën e artë.

Ëmbëlsira “Black Diamond” e “Scoopi” ka një bazë relativisht të thjeshtë të akullores së Madagaskarit. Por kupat e saj janë ku janë paratë. Është e kurorëzuar me zhardhokët italianë dhe me shafran të rrallë iranian, të cilat mund të shiten me pakicë për 100 dollarë për ons (1 ons= 28 gr). Ëmbëlsira gjithashtu ka në përbërje fletë të ngrënshme prej ari 23 karatësh. “Black Diamond” vjen me një dhuratë pas konsumit – tasin e “Versace” me të cilin konsumohet së bashku me lugën që përputhet./Monitor/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas