Kryesore

Nano u përgjigjet në Mapo kritikave të shumta: Një burrë që q… është thjesht…

Analisti Mustafa Nano ka qenë në qendër të kritikave të shumta ditët e fundit pas një fjalimi që mbajti në Beograd në një konferencë të organizuar nga Tanjugu dhe Agjencia Shtetërore Telegrafike Shqiptare (ATSH). Tema e konferencës ishte “Serbia e Shqipëria – si të ecet më tutje”, dhe të ftuarit në të ishin nga Beogradi e Tirana.

Në rubrikën e tij të letërkëmbimit me gazetarin serb, Zoran Panoviç, ai u përgjigjet këtyre kritikave.



“Fola edhe unë në atë konferencë, i dashur. Dhe kur u ktheva në Tiranë, zbulova se kisha thënë gjëra “të tmerrshme”. E pashë veten nën sulmin e shumë njerëzve, sidomos në Kosovë. Ishte një kor i tërë, që më drejtohej me fjalët “tradhtar, i shitur te Serbia, renegat, etj”. Dhe kjo ishte pjesa më elegante e sulmit. Kishte të tjerë, dhe këta ishin të shumtit, që më përmendnin motrën, nënën e “ç’më përmban pragu i derës”. Të sharat me nënë e me motër janë më të rëndat ndër ne. Dhe prandaj janë edhe të shumëllojshme. Nuk e ke idenë sesa kreativë jemi ne shqiptarët kur na duhet të shajmë në këtë mënyrë. Jemi edhe poetikë, e në këtë drejtim na ndihmon shumë edhe forma dëshirore e të shprehurit. “Të qifsha nënën”, themi ne në shqipen standarde, dhe kjo formë dëshirore e të shprehurit sikur ta bën më të përfytyrueshëm aktin seksual që bartet nga e shara. Ndërsa në të folmen e shqiptarëve të Kosovës, për shkak të eliminimit të bashkëtingëllores mbllaçitëse “q” e zanores përtace “ë”, trajta bëhet edhe më dëshirore: “ta kjajsha nanen”. E di Zoran? Kush e di se sa shqiptarë kanë vrarë njëri-tjetrin për një të shame nga nëna. Dhe kuptohet pse. Në një shoqëri patriarkale, siç ka qenë (në një farë mase, vijon të jetë) edhe shoqëria shqiptare, nderi i një burri lidhet më së pari me nderin e grave të familjes, të nënës, të bashkëshortes, të motrave, të bijave. Mes shqiptarëve, një burrë që qi është thjesht një burrë që qi, ndërsa një grua që qihet është një e përdalë, që bën me turp burrin, burrat, familjen, fisin, etj. (U kërkoj ndjesë lexuesve të Danasit e të Mapos për këto terma, që nuk para janë të këshillueshëm në gazetari, por në këtë letërkëmbim dua të jem sa më autentik)”, shkruan Nano.

Por çfarë tha analisti në Beograd që shkaktoi kaq zhurmë?

“Po çfarë thashë unë atje? Thashë se do bënim mirë që t’i shmangeshim elefantit në dhomë, me fjalë të tjera ta shmangnim bisedën mbi Kosovën një copë herë, ta shmangnim diskutimin mbi një argument, për të cilin ndahemi, dhe të fokusoheshim tek gjëra të tjera që na bashkojnë, pasi unë mendoj se ka plot gjëra që na bashkojnë, unë mendoj se serbët e shqiptarët kanë shumë të përbashkëta mes tyre, se ne kemi dhënë e kemi marrë në shekuj me njëri-tjetrin, ne kemi bërë luftëra të përbashkëta (ajo e vitit 1389, për shembull), ne kemi bërë krushqira, martesa, ne jemi integruar e asimiluar te njëri-tjetri, etj. Thashë se sikur Kosova të mos ishte më një problem mes nesh, ne do të ishim fqinj shumë të mirë. Në fund fola mbi një vëzhgim që pata mundësi ta bëja gjatë vizitës sime në Preshevë, për të cilin kam shkruar në një nga letrat që të kam dërguar. Dhe thashë: “Në Preshevë pashë e takova shqiptarë që me trup ishin në Serbi e me mendje ishin në Tiranë e Prishtinë; dhe unë do doja shumë që Edi Rama, a dikush tjetër me ndikim atyre anëve, t’u thoshte një ditë: ‘hej miq, përpiquni të ndërtoni një jetë tuajën këtu ku jeni, kështu si jeni; mos i mbani edhe fëmijët tuaj peng të aspiratave, pasioneve, dëshirave, ndoshta gënjimeve e zhgënjimeve tuaja; hiqeni mendjen nga ëndrrat me ndryshime kufijsh, dhe jepini jetës suaj një kuptim këtu ku jeni’; me të njëjtat fjalë do doja që edhe Aleksandër Vuçiçi t’u drejtohej serbëve të Kosovës në përgjithësi, e atyre të Mitrovicës në veçanti, apo edhe serbëve të Bosnjës; me të njëjtat fjalë do doja që edhe Ciprasi t’u drejtohej grekëve të Shqipërisë, të cilët rrinë gjithë kohën me mendje e sy të drejtuara nga Athina; sepse përndryshe, pakicat etnike në Ballkan do të vijojnë të jenë casus belli, e jo arsye bashkëpunimi”.

Kjo ishte në thelb ajo që thashë. Dhe derisa u ktheva në Tiranë, nuk jetova për asnjë çast me idenë se mund të kisha thënë diçka të çuditshme, kontroverse, që mund të lëndonte sentimentet patriotike të bashkatdhetarëve të mijë, e të provokonte debat. Dhe tani po më shkon mendja se, me çfarë kam thënë në Beograd, mos po lëndoj edhe ndjenjat serbe, po më shkon mendja se mund të dalin disa lexues të Danasit, të cilët mund të më drejtohen me fjalët: “Zotëri, serbë e shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët. Mos e dhëntë Zoti që të kenë gjëra të përbashkëta. Ne jemi armiq të përjetshëm, dhe të tillë do të mbetemi”. Mund të ndodhë kjo gjë, i dashur Zoran?”

“Bomba” ime në Beograd

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas