Kryesore, Mapo Format, Media

Botimi i UET-Press/ Nano: Mid’hat Frashëri s’është tradhtar, bashkëpunoi me nazistët nga frika…

Mit’hati e Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja.. Opinionisti Mustafa Nano i ka quajtur të gjithë kolaboracionistë, por ama ai shton se ata kanë qenë në “mirëbesim”.

Qëlloi që libri më i ri i Mustafa Nanos, një intervistë me vetveten, i titulluar “Provocateur”, botimet “UET PRESS”, doli bash në kulmin e debatit për sjelljen në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit.



Disa janë pro e disa kundra, disa e quajnë Mid’hat Frashërin “patriot”, të tjerë e damkosin si “tradhtar”… mes shumë çështjes që risjell në këtë libër, si përgjigje të të gjitha akuzave që janë hedhur për të, për tema si origjina e nënës së Skënderbeut, fqinjësia me serbët e grekët, prejardhja ilire e shqiptarëve, çështje të fesë e të gazetarisë, Mustafa Nano prek edhe atë të kolaboracionizmit dhe qëndrimit që duhet të mbajmë karshi atyre figurave që janë cilësuar si të tilla. Një ndër ta është edhe Mid’hat Frashëri.

Mustafa Nano refuzon t’i quajë ata tradhtarë. Ai nuk e mohon se bashkëpunuan me nazizmin, por sipas tij, qëllimi pse ata e bënë këtë gjë ka qenë patriotik. Nga njëra anë ëndrra për Shqipërinë e madhe dhe nga ana tjetër frika nga komunizmi, i rreshtoi ata në anën e pushtuesit, por pa u bërë njësh me ta, sidomos në çështjen e trajtimit të hebrenjve.

“Mehdi Frashërit e të tjerëve mund t’u mvishen plot të zeza, por nuk mund të thuhet se ata iu bënë krah nazistëve në puslionet e tyre antisemite”, thotë Nano, duke përmendur se antisemitizmi ishte një kolerë e përhapur asokohe dhe se madje dhe Fishta ka qenë i tillë. Po sa u takon figurave të quajtura “kolaboracioniste”, Nano thotë: “Mjaft i shejtanizuam këta njerëz, që engjëj nuk kanë qenë, megjithatë. Le t’i mbajmë, pasi mezi i kemi, kështu si i kemi. Le t’i mbajmë edhe me këtë prapësi që kanë bërë”.

MUSTAFA NANO

Ju në një rast keni lënë të kuptohet se nuk pajtoheni me qëndrimin e rreptë që historiografia shqiptare ka mbajtur ndaj kolaboracionistëve, siç janë dy Frashërllinjtë, Mit’hati e Mehdiu, Lef Nosi, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja etj..

Shikoni, ne e kemi trajtuar këtë çështje me një të rënë të sëpatës, me logjikën e komunistëve që fituan Luftën II Botërore dhe me një stil në dukje europian. Kudo nëpër Europë, në fakt, kolaboracionistëve me nazifashizmin nuk u hanin këmbët dhé pas lufte. Shumë prej tyre, mes të cilëve edhe norvegjezi Vidkun Quislingu, francezët Pierre Laval, Philippe Petain etj., u kapën, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan pa shumë ceremonira, pas gjyqesh të organizuara me shpejtësi rrufé (Petain-it iu ndryshua dënimi në momentin e fundit nga me vdekje në burg për jetë, por ishte ndërkohë 89 vjeç). Shumë prej tyre u bënë njësh me nazizmin, gjë që do të thotë se ata e miratuan pushtimin e vendit të tyre prej nazistëve, ishin mbështetës të ideologjisë naziste dhe ishin ok me Holokaustin. Por ky nuk ishte rasti i kolaboracionistëve tanë, të cilët, me përjashtime të rralla, nuk u shquan për frymë e formim nazist.

Ne mburremi me qëndrimin që u mbajt në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore ndaj hebrenjve, madje edhe të tjerët na njohin merita të mëdha në këtë drejtim, por duhet thënë se asnjë prej kolaboracionistëve tanë nuk e kish bërë të vetën idenë naziste të “solucionit final”. Përkundrazi, një pjesë e tyre kanë bërë çmos t’i marrin në mbrojtje hebrenjtë. Mehdi Frashërit e të tjerëve mund t’u mvishen plot të zeza, por nuk mund të thuhet se ata iu bënë krah nazistëve në puslionet e tyre antisemite. Nuk ka asnjë provë për këtë. Madje, Mehdi Frashëri kish marrë gruan në familjen e Biçakëve të Elbasanit, të cilët u bënë strehë e hebrenjve gjatë luftës. Të njëjtën gjë bëri edhe familja Nosi, në një kohë që Lef Nosi vetë ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës së formuar nën mbikëqyrjen e nazistëve. Madje, është shumë interesant një dokument i gjetur së fundmi nga Erald Kapri. Është fjala për një letër të ballistit Kadri Cakrani, dërguar nga Berati xhaxhait të vet në Mallakastër.

Ajo është e datës 11 shtator 1943 (teksa gjermanët ishin duke e pushtuar vendin) dhe në të, mes të tjerash thuhet: “Duhet me urgjencë të transportojmë nga Berati te ju një numër të madh njerëzish, që tani për tani nuk kemi as mjete për t’i sjellë aty. Bëhet llaf për çifutët këtu te ne që janë me qindra dhe halli është se po të merret vesh kush janë, kanë për t’i shkuar në plumb të tërë dhe Beratin vetë që aq është i gjithi. Nuk dihet se nga mund t’u vejë haberi dhe as besim nuk kam, kohë jo e jo, se edhe t’i mësheh me dokumenta muhamedane nëpër familje këtu, s’dihet nga del fjala dhe mua më duhet të shkoj në plumb Beratin pastaj. Duhet domosdo të piqem dhe me Mit’hat Frashërin dhe ata në Tiranë; të mos jepet asnjë informatë ku janë sa, si e qysh. Nuk duhet të bjenë në dorë të Armatës Gjermane që është duke ardhur asnjë çifut nga këta që kanë qënë dhe kanë ardhur në Berat, për arsye se dihet qëndrimi i gjermanëvet për ta. Gjithashtu nuk duhet të konsiderohen shqiptarët dhe Berati si mëshehës të tyre, për arsye se do të mbizotërojë mbi popullatën më prapa një klimë terrori”.

nano

Si shpjegohet ky qëndrim i dhembshur e solidarizues i shqiptarëve me hebrenjtë mú në mes të kërdisë antisemite?

Unë nuk kam një përgjigje për këtë. Dhe më duhet të them se përgjigjet që janë dhënë deri më sot nuk më kanë bindur. Nuk është e vërtetë që nuk kishte antisemitizëm në Shqipëri atëmot. Kishte që ç’ke me të. Fishta ishte antisemit, meqë ra fjala. Ishte aq antisemit, sa edhe ndonjë shkrim kritik ndaj Shqipërisë në gazetat franceze e shpjegonte me ndonjë urdhër të marrë “prej hebrenjve t’Bankavet t’Parisit”. U bë edhe kundër Dreyfus-it, për shkak të antisemitizmit të tij. Kishte edhe të tjerë antisemitë. Por kjo nuk duhet të na çudisë më tepër sesa duhet. Antisemitizmi ishte një flamë kudo. Fakti është, sidoqoftë, që shqiptarët (e Shqipërisë) nuk kanë dorëzuar hebrenj në duar të gjermanëve gjatë Luftës II Botërore. Dhe kolaboracionistët kanë luajtur rolin e tyre në këtë mes.

Mithat_Frasheri

Ju mendoni se ky fakt i shpëton kolaboracionistët shqiptarë?

Jo, jo, ky është një detaj sa për të thënë se kolaboracionistët shqiptarë nuk ishin nazistë. Ata bashkëpunuan me nazistët, që ishin përveç të tjerash pushtues të vendit, por nuk e bënë këtë për shkak të frymëzimeve naziste. Përkundrazi, ata ishin në një farë mënyre kolaboracionistë në mirëbesim. Motivimet i kishin patriotike. As kjo nuk i nxjerr të larë, të kuptohemi. Nuk është se motivimet patriotike duhet t’i pranojmë si alibi për çdo marrëzi e prapësi, por ata janë dënuar si tradhtarë të kombit shqiptar. Dhe kjo nuk është e drejtë. Nuk kanë qenë tradhtarë.

Marrëdhëniet e mira me Gjermaninë naziste, por edhe me Italinë para saj, më saktë qëndrimi nënshtrues ndaj tyre, shihej ato kohë edhe si një mundësi për të realizuar një aspiratë kombëtare të vjetër, bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan, gjë që ishte asi nën mëngë, të cilin fashistët e nazistët përdorën për të fituar vëmendjen e simpatinë e shqiptarëve. Madje, nazistët e realizuan në praktikë për ca kohë idenë e Shqipërisë së Madhe. Nuk dua t’i shfajësoj.

Mithat_Frasheri

Është e fundit gjë që më shkon në mendje. Bashkëpunimi me nazizmin mbetet një njollë në jetën e atyre që e bënë këtë zgjedhje. Sidomos në rrethanat që të tjerë zgjodhën të luftonin, të rrezikonin e të jepnin jetën. Nuk mund të mos u jemi mirënjohës këtyre të fundit, sidomos kur marrim në konsideratë faktin që Shqipëria pas lufte, veç në sajë të tyre, u rreshtua me fituesit. Në një rast të kundërt, nëse shqiptarëve nuk do t’u regjistrohej asnjë kontribut kundër nazifashistëve, apo më keq akoma, t’u regjistroheshin veç gili-vili me ta, kushedi se ç’do të ndodhte me Shqipërinë pas Luftës II. Por ju ftoj, megjithatë, të shkoni me mendje në ato kohë, ju ftoj të shkoni me mendje si shqiptarë, d.m.th. si pjesëtarë të një kombi të vogël e të dobët, që vetëm dy dekada më herët kish krijuar shtetin e vet gjithashtu të dobët e që ishte mbajtur gjallë e po këndellej falë patronazhit italian të paraluftës. Shqiptarët nuk kishin miq. Grekët e serbët ishin armiqtë tanë me nam.

Austro-hungarezët nuk ekzistonin më. Turqit po merreshin me sfidat e tyre të brendshme, që ishin të shumta pas perëndimit të lavdisë osmane. Të tjerët na shihnin ashtu siç ishim, një vend i mbetur prapa botës. Vetëm Italia “gjeti arsye” të merrej me ne. Logjika e saj ishte kolonialiste dhe në këtë kuptim italianët e kishin pushtuar Shqipërinë përpara se ta pushtonin. Por shqiptarët veç dobi patën në këto rrethana. Një pjesë syresh e shihnin praninë italiane në vendin e tyre si providenciale. Dhe nuk është se e kanë pasur gabim. Periudha 1925 1939, të cilën ne e lidhim me Zogun, por që në fakt duhet ta lidhim me kolonializmin italian, është për shqiptarët më e mbrothë ta e më e paqta në historinë e 100 viteve të fundit, që është dhe historia shtetërore e shqiptarëve (a nuk duhet ta ndryshojmë disi optikën edwardsaidiane mbi ndikimin e lig të vendeve të zhvilluara mbi vendet me zhvillim mesjetar? Kam përshtypjen se është stigmatizuar më shumë sesa duhet kjo dukuri.

Kolonializmi nuk ka qenë vetëm shfrytëzim e pushtim. Ka qenë edhe një dritë që binte mbi errësirë. Unë jam me Milton Friedman-in në këtë pikë. Flisni pak me banorët e Hong-Kongut mbi këtë temë. Ose edhe me ata të Singaporit, të cilët i kanë ngritur një monument kolonialistit të parë britanik Stamford Raffle). Atëherë, pse u dashka të tronditemi që një pjesë shqiptarësh e kanë mirëpritur pushtimin italian në vitin 1939? Kjo ishte njëra nga zgjedhjet që mund të bëhej në atë kohë. Zgjedhja tjetër, ajo e rezistencës ndaj pushtuesit, është prore e fisme dhe e lavdërueshme (duhen nderuar gjithnjë ata që e bënë), por nuk mund të thuhet se ishin të çmendur, të ligj, të poshtër, tradhtarë ata që pushtimin italian e shihnin me sy të mirë. Përkundrazi, pajtimi e solidarizimi me pushtuesin fashist dukej një veprim logjik.

Dukej logjik edhe për shkak të faktit që Shqipëria nuk kishte asnjë aftësi apo forcë efektive luftarake për t’u përballur me italianët. Me këtë shpjegohet që elita shqiptare e kohës, pothuajse e tëra, zgjodhi ose të mos hidhej në luftë, ose të hidhej në luftë sa për sy e faqe (për ta pasur këtë angazhim luftarak si një kartë për të nesërmen), ose të vihej hapur në mbështetje të pushtimit. Pjesëtarët e elitës që mbështetën idenë e luftës ndaj italianëve numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Edhe ata që e bënë, ndryshuan mendim shpejt.

Ca ngaqë e panë të pamundur përballjen, ca ngaqë e shihnin fashizmin e më vonë nazizmin, si një shans historik për realizimin e aspiratave kombëtare, e ca ngaqë i trembeshin përhapjes së komunizmit. Dhe kjo e fundit nuk ishte frikë e kotë. Koha provoi se ishte frikë me vend, gjë që është një arsye tjetër pse duhet t’i mirëkuptojmë kolaboracionistët në vendimin që morën. Përsëris: Fakti që e gjithë elita zgjodhi mosrezistencën ndaj pushtuesit apo bashkëpunimin me pushtuesin, nuk e damkos këtë elitë si tradhtare. Përkundrazi, duhet të na bëjë ne të tjerëve që ta lidhim këtë rreshtim me arsye të tjera, që nuk kanë të bëjnë me tradhtinë apo poshtërsinë. Nuk mund të jetë e tërë elita e poshtër apo renegate.

Historianët atdhetarë që i mëshojnë pa u lodhur tezës mbi kuislingët shqiptarë e bëjnë këtë të shqetësuar në mënyrë atdhetare prej kësaj njolle sonës në histori, por nuk është se i bëhet nder Atdheut e kombit nëse cilëson si tradhtare një elitë të tërë. Sidomos, kur mendon se është fjala për të njëjtën elitë, e cila vetëm disa dhjetëvjeçarë më parë kish qenë në frontin e parë të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë apo për formimin e forcimin e shtetit të ri shqiptar. Norvegjezët mund t’ia fusnin një shkelm Quisling-ut, i cili nuk vlente asgjë për ta (ai ishte një personazh politik me rëndësi periferike). Francezët mund të mos ndienin asnjë keqardhje për dënimin e një gjenerali si Philippe Petain, sepse ata kishin plot gjeneralë të tjerë për të nderuar (sido që Petain-in nuk e ekzekutuan bash në respekt të kontributit të tij si gjeneral).

T’u heqësh Petain-in e Quisling-un nga historia francezëve e norvegjezëve, nuk u ke hequr asgjë. Por t’ia heqësh Shqipërisë Mid’hat Frashërin, Mustafa Krujën, Ernest Koliqin, Anton Harapin etj., i ke hequr shumë. Dhe ke lënë një zbrazëti të madhe brenda saj. Kështu që mjaft i shejtanizuam këta njerëz, që engjëj nuk kanë qenë, megjithatë. Le t’i mbajmë, pasi mezi i kemi, kështu si i kemi. Le t’i mbajmë edhe me këtë prapësi që kanë bërë.

Nuk ju kemi parë të demonstroni të njëjtin mirëkuptim për personazhet e sotëm të politikës.

E di, por kështu ndodh gjithnjë. Të ikurve u kërkohen alibi, të sotmëve u kërkohen faje./Panorama/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas