Mapo Letrare

Nacionalizmi në Ballkan në sytë e Andrew Watchtel

wachtelNë monografinë “Ballkani në Historinë Botërore” vjen shoqëria ballkanike përballë botës, në pikat e takimit të saj me qytetërimet e mëdha, me ato çka Ballkani u ka marrë atyre, por edhe sesi e ka pasuruar kulturën botërore…

Nga Sonila Boçi



 

Ballkani i larmishmërisë së jashtëzakonshme, i shtresëzimit të kulturave, vjen në librin e prof. Wachtel si imazhi i një toke të ndërmjetshme. Identiteti i ballkanasve, për autorin, është përcaktuar sa nga qytetërimet autoktone të rajonit dhe takimet e tyre me qytetërimet e mëdha, aq edhe nga bashkëjetesa e popujve në perandoritë shumëkombëshe dhe shumetnike në të cilat kanë jetuar. Jemi mësuar të lexojmë mbi aspektet politike të Ballkanit, mbi arsyet se përse ai është konsideruar si “fuçia e barutit” e Europës. Por në këtë monografi të re vjen shoqëria ballkanike përballë botës, në pikat e takimit të saj me qytetërimet e mëdha, me ato çka Ballkani u ka marrë atyre, por edhe sesi e ka pasuruar kulturën botërore. E, në këtë larmishmëri trajtesash, unë do të doja të ndalesha në atë që e kam më për zemër: nacionalizmi në Ballkan në sytë e prof. Watchtel.

Për autorin, Ballkani u bë Ballkan pikërisht në momentin kur filloi procesi i “zgjimeve kombëtare”. Nacionalizmat ballkanike greke, serbe, bullgare, shqiptare u ndikuan në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Revolucioni Francez i shek. XVIII-XIX. Elita intelektuale e popujve të ndryshëm të këtyre perandorive e kuptuan mesazhin e tij “për Atdheun” dhe u prirën ta vënë në jetë atë. Propaganda dhe veprimtaria e tyre u përqendruan për të zhvendosur besnikërinë ndaj mbretit, fesë apo çdo lloji tjetër identiteti individual, rajonal apo fisnor drejt besnikërisë ndaj atdheut/kombit. Kombësitë, të ndërgjegjësuara tashmë se përfaqësonin kombe që nuk kishin një atdhe, duhet të përpiqeshin për të pasur një të tillë. Gjuha kombëtare ishte themeli i zgjimit kombëtar, i shoqëruar ky dhe me përpjekjet për kishën kombëtare. I vetmi rast përjashtues ishin shqiptarët, të cilët, të ndarë në tri besime të ndryshme, e mbështetën fort nacionalizmin e tyre në gjuhën e përbashkët shqipe. Procesi u mbështet fort nga rindërtimi i një memorieje të përbashkët kolektive për kombësitë në Ballkan. Intelektualët serbë, grekë, bullgarë, shqiptarë filluan të evokonin lavdinë e së shkuarës historike, glorifikimin e heronjve popullorë, për të ngjalluar ndjenjat dhe ndërgjegjen kombëtare të popujve të tyre.

Autori sjell një qasje moderniste ndaj nacionalizmit dhe pohon me të drejtë se ballkanasit, ndonëse të përzierë dhe të shkartisur për shkak të bashkëjetesës së gjatë në perandoritë shumëkombëshe, nuk arritën të ndërtonin shtetet e tyre kombëtare të mbështetur mbi nacionalizmin civil, por u bënë avokatë të nacionalizmit etnik, i cili i solli rajonit shumë vuajtje dhe probleme. Në të vërtetë, krijimi i shteteve kombëtare në Ballkan krijoi mjaft ndërlikime në këtë rajon. Parimi i kombësisë, të cilit i referoheshin veprimtarët e lëvizjeve kombëtare ballkanike, ishte praktikisht i pamundur të realizohej në praktikë. Shtetet e reja kombëtare të Ballkanit kishin në përbërje të tyre një përzierje popullsish të ngjashme me perandoritë shumëkombëshe nga të cilat u shkëputën. Fuqitë e Mëdha, të cilat luajtën një rol të dorës së parë në shtetformimin në Ballkan, bënë përpjekje për të përballuar këtë dukuri të re ballkanike. Ato, të ndërgjegjshme për pasojat që mund të shkaktonin konfliktet etnike ndërmjet shteteve të reja dhe të pafuqishme ballkanike, aplikuan politikën e imponimit të parakushteve për mbrojtjen e minoriteteve brenda tyre, duke u dhënë atyre një status juridik të përcaktuar.

Parakushtet e vendosura nga Fuqitë e Mëdha për shtetet e reja ballkanike nuk mundën të siguronin një mbrojtje afatgjatë për minoritetet. Shumë shpejt, mbas krijimit të shteteve të pavarura, secila nga qeveritë e këtyre vendeve ravijëzoi platformën e vet nacionaliste për “një shtet më të madh”. Me apo pa të drejtë, secila prej tyre kërkonte territore të paçliruara që ndodheshin ende në kuadër të Perandorisë Osmane apo edhe të shteteve fqinje të sapokrijuara. Bashkimi me bashkëkombësit e mbetur jashtë “territorit kombëtar” dhe të shkëputur nga shteti amë ishte lajtmotivi i të gjitha platformave nacionaliste. Në emër “të çlirimit të vëllezërve të paçliruar e të skllavëruar”, shtetet ballkanike filluan dy Luftërat Ballkanike të vitit 1912-1913, madje dhe Lufta e Parë Botërore (1914-1918) u shkaktua nga një incident, i cili në thelb mbështetej në motive nacionaliste. Ballkani, me nacionalizmin ekstrem, shtete ekonomikisht dhe politikisht të dobët dhe shoqëritë larg vlerave demokratike, u shndërrua në një rajon problematik që e largonte mjaft nga vlerat e qytetërimit europian.

Monografia, në thelb, është një histori për të përbashkëtat e ballkanasve, të cilat, në mënyrë paradoksale, kanë krijuar edhe ndasitë ndërmjet tyre. Një mori dimensionesh të Ballkanit na vijnë në formën e një manuali të thjeshtë dhe shumë intrigues për ata që duan të dinë më shumë për të.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas