Sociale

“Na trajtojnë si kafshë, kushte çnjerëzore”, punonjësja rrëfen punën në rrobaqepësi

Punonjëset e helmuara pak ditë më parë në firmën fasone në Shkozet të Durrësit, kanë depozituar denoncim në drejtim të kompanisë, të cilën e akuzojnë se nuk ka krijuar kushtet e nevojshme që, sipas tyre, për pak u kushtoi jetën mbi 24 grave e vajzave, mes tyre edhe shtatzëna.

Marjana Pjetri, njëra prej katër punonjëseve që vazhdojnë të trajtohen me asistencë mjekësore në spitalin e Durrësit, shprehet se për asfiksimin e grave është përgjegjëse kompania, e cila nuk ka krijuar as kushtet më minimale për të ushtruar aktivitetin në kapanonin ku punojnë mbi 150 persona.



Gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, Marjana tregon se punonjëset ushtronin aktivitetin në kushte çnjerëzore, madje, sipas saj, situata e asfiksimit është e përsëritur. Në kapanonin ku ushtrojnë aktivitetin 150 punonjëse, Marjana thotë se nuk ka aspirim dhe ajri nuk qarkullon, duke bërë që gratë dhe vajzat që punojnë në këtë hapësirë herë-herë t’u bjerë të fikët dhe të përjetojnë gjendje ankthi.

Marjana, si ndiheni aktualisht?

Sot (dje) është dita e fundit që qëndroj në spital, pasi ndihem më mirë dhe mjekët më kanë rekomanduar të kthehem pranë familjes dhe tre fëmijëve të mi pas gjashtë ditësh nëpër dyert e spitaleve të Durrësit dhe Tiranës. Fatmirësisht, duket sikur ia hodhëm dhe ndihem më mirë, por dy prej shoqeve të mia do të vazhdojnë të qëndrojnë në spital, pasi kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Mund të na tregoni diçka rreth ngjarjes, ditës që 24 punonjëse u dërguan me urgjencë në spital?

Në fakt, unë jam personi i parë që u ndjeva keq dhe më ra të fikët. Shkova si zakonisht në punë. Zumë vendet në kapanonin e punës të gjashta punonjëset dhe filluam punën si çdo ditë. Rreth orës 09:30 filluan të më errësoheshin sytë. Bëra si bëra, thashë ta shtyj deri nga ora 13:00, me qëllim që të merrja ditën e punës. Nuk ndihesha fare mirë dhe kisha këputje. Pas pak minutash desh u rrëzova, por u mbajta te makineria e punës.

Çfarë ndodhi më pas, u konsultuat me koleget e tua?

I thashë një shoqes sime që më merren mend. E porosita të më kishte kujdes, pasi po të rrëzohesha aty nuk e kupton njeri sepse ka zhurmë dhe mbi të gjitha nuk i largojnë dot sytë punonjëset nga makineria. Nuk vonoi katër-pesë minuta dhe u rrëzova përtokë. Fatmirësisht, shoqja që kisha në krah më pikasi.

Ju ra si gjendje të fikëti apo kishe këputje?

Të dyja bashkë: kisha këputje dhe rashë në gjendje të fikëti. Situata po përkeqësohej, nuk kisha pikë fuqie, vetëm kuptoja çfarë po ndodhte. Pra, isha e vetëdijshme. Më morën, më hipën me një makinë dhe më sollën në Urgjencë. Deri te dera e Urgjencës isha e vetëdijshme, pastaj s’mbaj mend asnjë gjë. Pas pak orësh, pasi u zgjova, pashë që koleget e mia po vinin një e nga një në Urgjencë me të njëjtat simptoma.

Ju dhe 4 koleget e tua që ishit më rëndë u dërguat në Tiranë për mjekim të specializuar. Pse ju kthyen në Durrës?

Po, është e vërtetë. Në fakt, unë dhe katër koleget e mia përfunduan në Tiranë, por më mirë të mos na kishin dërguar. Në QSUT shërbimi ishte një mizerabël, ku askush nuk donte ta dinte. Na sollën sërish në Durrës, por këtu shërbimi mjekësor dhe i infermiereve është ku e ku me Tiranën.

Marjana, çfarë mendoni se ndikoi që u asfiksuat 24 punonjëse në harkun e pak minutave?

Në kompaninë tonë kushtet e punës janë çnjerëzore, shumë të këqija, jashtë çdo standardi. Shfrytëzim total. Sikur kishin të bënin me kafshë dhe jo me qenie njerëzore. 100 për qind, jam e sigurt se asfiksia ka ardhur pasi aty me 150 punonjëse plus edhe makineritë, mungonte aspirimi. Në kapanonin ku punojmë ne mungon aspirimi. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë, por këtë radhë u bë e madhe sepse u sëmurën disa vajza e gra. Më herët, ka pasur disa raste të tjera që sëmureshin punonjëset, por në numër të vogël.

Nuk u ankuat diku për kushtet e vështira në të cilat punonit?

Shpeshherë jemi ankuar. E kishim ankesë të parë çështjen e aspirimit. Por, siç theksova edhe më lart, na trajtonin si kafshë dhe jo si njerëz. Ju them që ka pasur raste kur ndërkohë që ne punonim 150 punonjëse në repart, punëtorë të tjerë prisnin dhe thyenin muret anësore për të krijuar hapësira të reja. I gjithë tymi vinte brenda në repart.

Nuk ka dritare kapanoni ku punoni?

Kapanoni është 200-300 m2 dhe 7-8 metra i lartë. Pra, dritaret janë në krye, rreth 7 metra lart. Po nuk di çfarë të them. Aty është mos o Zot. Vetëm e keqja të bënte të duronim, sepse ishte e pamundur të punoje aty. Për pak desh na morën jetë. Na shfrytëzojnë, na keqtrajtojnë si punëtore.

Do të ktheheni sërish në vendin tuaj të punës?

Personalisht jo. Nuk e di çfarë do të bëjnë vajzat e gratë e tjera, por unë nuk shkel më aty. Madje- madje, ne e kemi denoncuar si rast. E kemi denoncuar kompaninë për kushte të papërshtatshme. Jemi gjashtë punonjëse që kemi firmosur për denoncimin, shpresojmë të na bashkohen edhe vajza të tjera, të cilat ndihen si ne.

Dita e parë e punës pas 5 ditësh, helmohet punonjësja tjetër

Institucionet shtetërore në drejtim të paditur, kompania fason bën “kurbanin” e radhës. Një tjetër punonjëse e shoqërisë “Lovers Albania”, degë e shoqërisë “Lovers Romania”, me administrator një shtetas italian dhe me vendndodhje në Shkozet, Durrës, u helmua dje për shkaqe të panjohura. Ajo është paraqitur dje në Urgjencën e Spitalit të Durrësit me të njëjtat simptoma.

Pas ngjarjes ku u helmuan 24 punonjëse, gjashtë prej të cilave shtatzënë, kapanoni qëndroi i mbyllur për pesë ditë për shkak “hetimesh” për incidentin e shënuar. Por dje rinisi aktivitetin dhe pa kaluar as dy orë nga starti i punës, një punonjëse u transportua me urgjencë në spital. Pasi mori mjekimin e nevojshëm në Urgjencë, ajo u kthye në shtëpi. Ngjarja po hetohet nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet kompetente të shëndetit publik, Prokurorinë e Durrësit si dhe Inspektoratin e Punës.

Gjatë pesë ditëve hetime, grupi hetimor i ngritur për të hetuar shkakun e asfiksimit të punonjëseve doli në përfundimin se nuk ka arsye që kompania të qëndrojë e mbyllur dhe ka dhënë “Ok” të rifillojë punë. Por dy orë aktivitet dhe kushtet e këqija të punës shkaktuan incidentin e radhës, ku një grua u nis me urgjencë drejt spitalit. Grupi hetimor justifikohet me faktin se analizat toksikologjike vonojnë minimumi 15 ditë dhe theksojnë se po vazhdojnë hetimet, ndërkohë që jeta e punonjëseve rrezikohet dita-ditës./Panorama/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas