Kryesore, Mapo Format

Mustafa Nano flet për Mapon: Bashkëqeverisje? Për reformën në drejtësi po…

Shtyrja e hapjes së negociatave, ngecja e reformës në drejtësi dhe ligji i ri zgjedhor kërkojnë minimalisht një pakt politik mes palëve dhe maksimalisht bashkëqeverisje. Analisti dhe gazetari Mustafa Nano sjell një vështrim ndryshe mbi bashkëqeverisjen, në kushtet e Shqipërisë 

A duhet të kemi një bashkëqeverisje PS-PD për hir të integrimit, nevojës për reformë konsensuale zgjedhore apo edhe pakt të ri për reformën në drejtësi? 



Unë nuk bëj pjesë tek ata njerëz, që e refuzojnë në parim bashkëqeverisjen. Sigurisht, jam me idenë, që duhet të qeverisin ata që mandatohen nga votuesit për ta bërë këtë gjë, por në rrethana të caktuara, për të shmangur një kolaps, apo për të bërë ca reforma të rëndësishme, apo për t’iu përgjigjur një situate të caktuar politike, bashkëqeverisja mund të ishte një zgjidhje. Për ilustrim, ajo që po ndodh në ditët e sotme mund të merret për një situatë të tillë. E kam fjalën për reformën në drejtësi, e cila jo vetëm që po krijon një vakum të frikshëm në sistem, por edhe mund të bllokohet nga opozita.

Kam një frikë, megjithatë. Bashkëqeverisja në rrethanat e sotme mund të forcojë grupet e inkriminuara të politikës, për të cilat po pritet që drejtësia e re ta thotë fjalën e vet. Dhe kështu, bashkëqeverisja mund të shërbejë si një barkë shpëtimi për shumë vetë. Ajo në tërësi e valorizon një klasë të tërë politike, sepse e sheh këtë të fundit, jo si problemin, por si zgjidhjen e problemit. Përveç kësaj, bashkëqeverisja mund të pasohet me një rishikim të reformës në drejtësi, që do të synonte një zbutje të sajën. Kjo gjë nuk do më pëlqente. Mund të thuhet: Këta që po na qeverisin, nuk janë më të mirë sesa ata që janë në opozitë, apo sesa të dyja palët bashkë. Përgjigja është: Ok, është tamam kështu, por këta të paktën kanë një mandat qeverisës.

A mundet që PS e PD të shtrohen në këto linja diskutimi, pse jo edhe për marrëveshje mes tyre?

Shqetësimet, unë i shoh vetëm në diskutimin mbi reformën në drejtësi. Kjo reformë duhet përshpejtuar, e duhet mbajtur në nivelet e ashpërsisë që ka aktualisht. Në këtë plan mund të diskutohet. Dhe, bashkëqeverisja për këtë do duhej. Në plane të tjera, përsëris, neve na mjafton qeverisja.

 A do mund të vinte një bashkëqeverisje e tillë, pas situatës së krijuar, pas marrëveshjes së 18 majit?

Është krijuar një legjendë urbane lidhur me atë marrëveshje, por për mua ajo nuk është e ndryshme nga ajo që dimë. Thjesht Basha donte të hynte në zgjedhje, dhe ishte në kërkim të një alibie para mbështetësve të vet. Dhe ia kërkoi këtë alibi Ramës. Sepse ndryshe, i binte që Basha të hynte si humbës në zgjedhje. Dhe Rama ia dha. Ia dha në një masë më të madhe sesa e priste Basha vetë. I dha gjysmën e qeverisë. Dhe Basha në këmbim ka pranuar të hyjë në zgjedhje. Kjo është ajo që ka ndodhur.  Nuk besoj se ka pasur sekrete ajo marrëveshje. Nuk besoj se është folur për bashkëqeverisje. E në këtë kuptim, bashkëqeverisja, nëse do ndodhë, do ndodhë për arsye krejt të tjera, që kanë të bëjnë me situatën e sotme, e jo me situata të shkuara.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas