Kryesore, Mapo Format

Mustafa Nano flet për MAPO WEEKEND: Thaçi me siguri ka në kokë një marrëveshje, por duhet të jetë i qartë

Rrugëtimi i Hashim Thaçit si njeri i luftës çlirimtare, paqes në marrëveshjet e mëdha, Pavarësisë së Kosovës dhe politikanit që ka marrë përsipër t’i dalë në ballë një marrëveshjeje të mundshme, edhe me kosto, Kosovë-Serbi për “korrigjim” apo shkëmbim territoresh. Amerika dhe BE me qëndrime të njëjta: “Palët të bien dakord për rrugën e përbashkët drejt BE-së”. Çfarë humbet dhe fitohet. Flet analisti Mustafa Nano

Kosova është përfshirë në një debat të madh në lidhje me qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë, çka sipas tij do të sillte marrëveshje afatgjatë dhe paqe mes dy vendeve. Si e konsideroni këtë propozim?



E konsideroj të paqartë si propozim. Dhe Presidenti Thaçi, ndonëse ka dalë disa herë për ta bërë më të qartë propozimin e tij, nuk ka bërë gjë tjetër, veçse është bërë edhe më konfuz. Por është marrë vesh se çfarë është në thelb propozimi i Thaçit. Të gjithë e dimë tanimë. Ai është një propozim mbi ndryshimin e kufijve të sotëm të Kosovës. Thaçi me siguri ka në kokë një marrëveshje, me anë të së cilës t’u jepet serbëve veriu i Kosovës dhe t’u merren viset ku sot banojnë shqiptarë. Ky është një propozim, rreth të cilit mund të diskutohej, por Thaçi, duke mos e hedhur këtë ide, duke e fshehur pas formulave e emërtimeve të tipit “korrigjim kufijsh”, nuk po lejon as diskutimin që të bëhet. Në vend që ta hedhë këtë ide, dhe ta mbrojë në publik (nëse ka këllqe), ai po flet mufka. “Me korrigjimin e kufijve kam në mendje që, në fund të negociatave serbo-kosovare, ne shqiptarët t’u marrim serbëve edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin”, po thotë ai. Mirëpo nuk ka asnjë shqiptar që mund ta besojë se kjo mund të ndodhë. Edhe të dehur, edhe nëpër ëndrrat e tyre më të çartura, shqiptarët nuk mund të arrijnë ta besojnë se do marrkan urtë e butë, falë ndonjë dredhie e escamotage-i të Thaçit, vise të tjera të Serbisë së sotme.

Disa eksponentë të politikës, por edhe analistë po e etiketojnë presidentin Thaçi edhe si “tradhtar”, ndërkohë që mbetet një nga personazhet kryesor të luftës së UÇK-së. A mund të konsiderohet “tradhtar” një person që luftoi për çlirimin e Kosovës, fitoi zgjedhje dhe drejtoi qeverinë, ndërsa tashmë është në krye të shtetit, por ka hedhur në diskutim një çështje të madhe?

Unë shoh dy mundësi në këtë mes. Së pari, Thaçi duhet të ketë nuhatur apo duhet të jetë informuar, që faktorë të ndryshëm me peshë e ndikim ndërkombëtar (diplomatë apo diplomací) mund të jenë duke e parë “korrigjimin e kufijve” si zgjidhjen më të mirë e përfundimtare të çështjes së Kosovës. Duhet të ketë nuhatur gjithashtu që këta faktorë mund të bëhen shumë, me fjalë të tjera mund të krijohet ndonjë klub ndërkombëtar në favor të kësaj teze. Dhe Thaçi thjesht po ngutet të vihet i pari në radhën e miqve kosovarë të këtij klubi. Me këtë rast, rregullon disi biografinë me të huajt.

Ose së dyti, ai mund të ketë realisht në kokë idenë se shkëmbimi i territoreve, apo i popullsive, është edhe në të mirë të Kosovës. Thënë me fjalë të tjera, ai ka në kokë atë që, me shumë guxim e qartësi, e tha Rexhep Qosja në një shkrim të tijin të këtyre ditëve: “Ata që janë kundër shkëmbimit të territorit mes Luginës së Preshevës duke përfshirë Preshevën, Bujanocin e Medvegjen dhe Veriut të skajshëm të Kosovës, te Mitrovica, deshtën apo s’deshtën po ia dhurojnë Serbisë edhe njërën edhe tjetrën: Luginën e Preshevës si pjesë të Serbisë, kurse Veriun e Kosovës si autonomi substanciale (si pavarësi) në të cilën pushtetarët e Kosovës, si edhe tani, do t’i përkulen monumentit të madh të Knjaz Llazarit”. Ah, më ndjeni, ka edhe një mundësi të tretë: Hashim Thaçi ka filluar të drogohet. Mirëpo, për këtë nuk kemi dëgjuar të flitet. Kështu që le ta përjashtojmë.

Si e shihni mundësinë e ndarjes dhe nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës dhe Mitrovica e Veriut Serbisë, do kishte paqe afatgjatë. Sipas jush a janë ndërmjetësuesit e kësaj marrëveshjeje të mundshme SHBA dhe BE? Po rreziku i precedentit për ndryshime kufijsh, a mund të sjellë destabilitet edhe në vendet e tjera ballkanike?

Deri më sot nuk ka asnjë shenjë se qëndrimi ndërkombëtar mbi këtë çështje të ketë ndryshuar. E vërteta është se serbët kanë qenë shumë aktivë me diplomacinë e tyre, më së pari për të promovuar tezën e shkëmbimit të territoreve, apo popullsive. Por deri para pak kohësh, vetë serbët ishin duke jetuar me idenë se mundimi po u shkonte dëm. Vuçiçi ka qenë duke i përgatitur serbët për humbjen e madhe. Edhe dialogu i brendshëm që ai shpiku ishte një truk për të mos e mbajtur i vetëm përgjegjësinë e humbjes. Nuk dihet të ketë ndodhur ndonjë gjë e çuditshme gjatë javëve të fundit. Veç në është marrë ndonjë vendim në Helsinki, në takimin kokë më kokë (në prani të dy përkthyesve, në fakt) mes Trumpit e Putinit. Nuk është e pabesueshme kjo hipotezë, pasi Trumpi s’do ta kishte për gjë të binte dakord mbi një propozim të tillë, por hë për hë mbetet një hamendje, të cilën publikisht nuk e ka mbrojtur askush. Por edhe në qëntë e vërtetë që Trumpi të ketë rënë dakord, të vjen të besosh se do të jetë po Trumpi që do bëjë një hap prapa (kur t’ia shpjegojnë pamundësinë e pasojat e këtij veprimi në Ballkan). Kështu që besoj se shumë shpejt gjërat do kthehen në vendin e tyre. Dhe ky debat do të harrohet. Por Thaçi vetë do të mbahet mend si njeriu që në kulmin e dëshpërimit serb mbi humbjen e Kosovës tentoi që Kosovën ta zgjeronte edhe më shumë!!! Në kurriz të Serbisë, kuptohet!!! Kjo qyfyre gushti nuk do të harrohet.

PasPara

1 koment

  1. Nje njeri me tru dhe gjykim te qete, jashte politikave agresive dhe ekspansioniste, nje njeri qe di te ndaje te mirat dhe te keqiat qe kane ndodhur dhe qe do te ndodhin, rrugezgjidhjet e veshtira, apo teper te veshtira i gjen shume kollaj. Ashtu si buka me djathe. Situatat e shkuara i dime, te sotmet dhe te ardhmen nese do kemi kete statukuo qe na e pruri Londra e te tjere ne vitin 1913. Mitrovica u mbush me kolone serbe, jo sot por ka nje histori mbushese 100 vjecare. Nje mik me tha se atje jane 90 % e popullsise serbe dhe 10%-shi tjeter perbehet nga boshnjake dhe shqiptare. Kjo eshte e verteta z. Nano dhe ju te gjithe si nanot.
    Sa vite ka qe asgje nuk lëviz ne favor te Kosoves? Nuk shohim shtete te tjere per ta njohur. Nuk shohim entuziazëm per ndërtimin e zhvillimin e Kosoves, por shohim mburrje, trimerira, rrahje gjoksi è plot veprime foshnjarake qe sillen e perdridhen ne Kosove dhe qe u bejne freskllek edhe disa nano ne Shqiperi, gjoja se japin mend apo keshilla. Keto keshilla holle- holle kane dy qellime: qe te duken si patriotë, kur veprimet e tyre te shkuara dhe të tashme i gozhdojne “veprime antikombetare” dhe e dyta, eshte sjellje e kundert qe nenkupton se duke folur mbrapsh, keta tipa mendojne se do te fitoje e kunderta, pra si shtytje qe te vazhdoje te mbetet statukuoja 100 vjecare mes dy popujve.
    Se fundi: z. Thaci vazhdo me urtesi sqarimin e popullit tend( jo duke u tundra neper media apo Kuvend, por duke krijuar grupe njerëzish qe dine te komunikojne me popullin, te jeni te besueshem dhe te siqerte se rruga me e mire eshte jo qendrimi ne statukuone mbi 100 vjecare, por rruga e ndarjes me te keqen . Dhe kjo rruge eshte: 90%-in e ka krijuar periudha shekullore, nuk eshte faji i politikanëve te sotëm nga te dy anetare e kufirit. Ishte rezultati i estremizmit nacionalisto-ortodoks Jugosllav qe mbi populloi ne dekada ate territor. Ne keto kushte nuk ka pse te lejohet maskaralleku i shekullit njizet, ku shqiptarët e besimit mysliman si ne Kosoven dhe Cameri i këmbenin me ortodokset e Turqisë. Prandaj beni cmos qe Preshevën etj. ti shpetoni nga “zjarri” i nacionalisto-ortodokseve sllave dhe serbet qe kane asimiluar pjese te territorit Dardan, te jetojne me territorin e dikurshëm te asimiluar, te “Ilirise” para dymijëviteve. Mos degjoni lehjet e te shiturve, se ata per cdo ligjerate, vec paguhen per te mbetur vetem sherri mes popujve, ata nuk kanë asgje te perbashket me llogjiken e drejte dhe qe i perkon kohes qe jetojmë. Shuani sherret shekullore z.Thaci, bashkë me shokët e tu, qe i vute shpatullat dhe gjokset Kosoves tone -amant i dardano-arberor-epirote.
    Ma degjoni ZERIN TIM.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas