Kryesore, Mapo Format

Muaji ‘i hidhur’ i mjaltit i Arta Markut

Një muaj nga zgjedhja, kryeprokurorja po përballet me të gjitha nuancat e sjelljes së politikës. Nga kërkesa e opozitës për ta shkarkuar, kallëzimi penal nga kolegët e komanduar deri te mbështetja e mazhorancës dhe e ambasadorëve. Spastrimi i të besuarve të Llallës dhe a është kjo një përgatitje terreni për zgjedhjen e KLP



Nga Leonard Bakillari – Flakadanët dhe protesta brenda e jashtë sallës së Kuvendit ishin vetëm fillimi i një detyre të vështirë për kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku. Prej një muaji, ish-prokurorja e panjohur e Shkodrës u shndërrua në emrin më të lakuar të debatit publik e politik në vend. Me një procedurë të kontestuar nga opozita, mazhoranca socialiste zgjodhi Arta Markun në krye të prokurorisë me 69 vota. Për herë të parë në historinë e Parlamentit Shqiptar të pluralizmit, flakadanët përfshinë sallën e seancave plenare, në momentin kur Prokurorja e Përkohshme përmendi frazën “Betohem”. Të majtët, të mbështetur edhe nga misionet asistuese ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS u shprehen të bindur se, me zgjedhjen e Markut si Kryeprokurore të Përkohshme, kanë zbatuar rigorozisht ligjin. Opozita është e bindur se Marku nuk është gjë tjetër veçse “kryeministri Edi Rama, në versionin prokuror, i cili synon të mbyllë çështjet problematike të qeverisë”.

Ky debat kulmoi me kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryeprokurores dhe një amendament kushtetues që synonte shkarkimin nga detyra të Arta Markut dhe rizgjedhjen e Prokurorit të ri me 3/5 e votave të parlamentit, pasi të ketë kaluar procesin e vettingut. Nisma ligjore e opozitës u pasua nga një letër e kryetares së LSI Monika Kryemadhi drejtuar Ambasadorit Amerikan, Donald Lu, ku ndër të tjera thuhej se zgjedhja e kryeprokurores ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Në përgjigje të kësaj letre, ambasada amerikane ripostoi dje të njëjtin qëndrim të shprehur edhe më herët, sipas të cilit “kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit”.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryeministri Edi Rama, i cili u pyet nga gazetarja Ilva Tare gjatë një interviste në emisionin “Tonight”, ku tha se opozita më parë duhet të merrte miratimin e ndërkombëtarëve. Në këtë atmosferë të ndezur politike, Kryeprokurorja e Përkohshme ka zgjedhur të mbajë një profil të ulët publik, pavarësisht se disa vendimmarrje të saj janë bërë objekt i kundërshtive të forta. Në një takim informal, të zhvilluar me gazetarët në fillim të kësaj jave, Kryeprokurorja Marku zgjodhi të qëndronte më shumë e heshtur, pavarësisht se ishte organizatore e eventit. Pak fjali të përmendura prej saj u përdorën nga përfaqësuesit mediatikë për të bërë lajm. Marku zgjodhi të fliste para gazetarëve me terma të përgjithshëm dhe preferoi që t’i përgjigjet në një moment tjetër interesit mediatik për tema të rëndësishme që lidhen me institucionin që drejton prej 18 Dhjetorit.

Arta Marku ishte një ndër 7 kandidatët që aplikuan para Komisionit të Ligjeve në procedurën për caktimin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në qarqe politike dhe mediatike, emri i saj ishte lakuar si i paracaktuar për këtë post, madje, edhe para kandidimit të saj. Në prezantimin para Komisionit të Ligjeve, Arta Marku tregoi biografinë e saj personale, e cila, siç u pranua edhe nga deputetët, nuk ishte aq mbresëlënëse, krahasuar me kandidatët e tjerë prokurorë. Ajo prezantoi programin e saj të mbështetur në 5 pika, ndërsa sipas ligjit qëndron në detyrë derisa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ende i pakrijuar të zgjedhë Prokurorin e ri të Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar. Zonja Marku, si prioritet të saj, ka përcaktuar zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Në vizionin e saj, prezantuar para Komisionit të Ligjeve, ajo është shprehur se, nëpërmjet urdhrave dhe udhëzimeve do të bëjë të mundur zbatimin e drejtë dhe me uniformitet të dispozitave të ligjeve që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi dhe Kodit të Procedurës Penale. Për këtë kryeprioritet, ende nuk ka asnjë të dhënë publike mbi vendimmarrjen e Kryeprokurores së Përkohshme. Deri më tani, janë shpërndarë informacione mediatike, por pa konfirmim zyrtar, lidhur me ngritjen e Drejtorisë për Mbrojtjen e të Miturve dhe Drejtorinë e Inspektimit për prokurorët. Drejtoria për të Miturit është një zhvillim i rëndësishëm, por jo i ri për institucionin e Prokurorisë. Prej vitesh, në një numër të konsiderueshëm prokurorish lokale ka seksione për hetimin dhe mbrojtjen e personave të mitur. Gjithsesi, në kuadër të Kodit të ri Penal për të Miturit, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti, një drejtori në nivel qendror mund të jetë zhvillim pozitiv. Nga ana tjetër, Drejtoria e Inspektimit, nëse është i vërtetë informacioni se është krijuar, bie ndesh me parashikimet ligjore.

Prej Tetorit 2016, ligji ia ka hequr të drejtën Prokurorit të Përgjithshëm të kryejë inspektime mbi prokurorët. Ky tagër i kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Një ndër defektet e paketës së Reformës në Drejtësi është fakti që, prej Tetorit 2016 e deri në krijimin e KLP-së, ligji nuk ka caktuar asnjë strukturë ligjore, as Prokurorin e Përgjithshëm, për të zhvilluar inspektime. E megjithatë, këto zhvillime strukturore, sërish nuk përmbushin deri më tani kryeprioritetin e zonjës Marku, e cila ka garantuar hartimin e urdhrave dhe udhëzimeve për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Një tjetër prioritet i prezantuar nga Kryeprokurorja e Përkohshme është inkurajimi për çdo prokuror që të veprojë në bazë të ligjit dhe në pavarësi të plotë. Ajo ka premtuar se do t’iu garantojë prokurorëve mbështetjen e plotë administrative dhe infrastrukturore në hetimin e çështjeve penale. Në fakt, kur ka kaluar një muaj nga marrja e detyrës, zonja Marku nuk ka shprehur asnjë mesazh inkurajues publik për prokurorët. Madje, deri më tani, nuk ka asnjë mesazh publik inkurajues të Prokurores së Përkohshme për prokurorët e Krimeve të Rënda që po hetojnë dosjen “Tahiri” dhe trafikun e narkotikëve ku janë përfshirë ish-zyrtarë të lartë të Policisë. 

Mes dy zjarresh

Muaji i parë në detyrë për kryeprokuroren e përkohshme është shënjuar nga dy zhvillime të rëndësishme për dosjet “Habilaj” dhe “Tahiri”. Fillimisht, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i riktheu pasaportën ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili është nën hetim për “trafik narkotikësh” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”. Ndërsa gjykata liroi nga prangat edhe Orest Sotën, në mjetin e të cilit u gjetën 864 mijë euro, si edhe patenta mjeti lundrues në emër të Saimir Tahirit.

Sipas raportimeve mediatike, gjatë seancës për lirimin e Sotës, Prokuroria ishte tërhequr nga qëndrimi i saj se paratë e gjetura në automjetin e të dyshuarit i përkasin personit nën hetim Saimir Tahiri. Nuk dihet nëse znj. Marku ka patur apo jo ndikim në këtë qëndrim të akuzës (pasi prokurorët sipas ligjit janë të pavarur), por një nga kundërshtimet e opozitës për mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurorit kishte të bënte pikërisht me këtë çështje: kapja e prokurorisë për të mbyllur dosjet e njerëzve të pushtetit.

Në Komisionin e Ligjeve, Marku tha se do të disiplinonte lëvizjet brenda institucionit, duke premtuar se nuk do të ketë komandime të prokurorëve pa kriter sa në një prokurori, në një tjetër. Në fakt, në lëvizjet e deritanishme, zonja Marku ka shkaktuar pakënaqësi dhe debate të hapura me prokurorët që kanë lëvizur nga detyra. Rastet më tipike janë ato të Drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe njëkohësisht shefes së Sektorit të Dekriminalizimit, Rovena Gashi dhe ish-drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina. Gashi dhe Gina, të cilët janë bashkëshortë me njëri-tjetrin, kanë bërë nga një padi secili kundër vendimmarrjes së Prokurores së Përkohshme. Madje, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Gina, ka bërë një kallëzim penal për “shpërdorim detyre” kundër Markut, ku, ndër të tjera, kërkon edhe ekspertimin Psikiatrik ligjor.

Gjithashtu, Kryeprokurorja ka larguar prokurorin Agron Gjana nga drejtimi i Prokurorisë së Durrësit dhe e ka transferuar në prokurorinë e Pukës. Gjithashtu, një ndër lëvizjet më të rëndësishme të firmosura nga Marku është edhe largimi i kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha. Të larguarit janë zëvendësuar nga të tjerë prokurorë. Një pjesë e këtyre ndryshimeve, përkundër deklarimeve publike të zonjës Marku, janë realizuar nëpërmjet komandimeve nga një prokurori në tjetrën. Në Elbasan është komanduar drejtues Ardian Nezha, i cili ka emërimin si prokuror në Pukë. Në Fier, pas largimit të drejtuesit Pali Deçolli, u komandua në krye të saj prokurori Fatmir Lushi, i cili ka emërimin në Elbasan. Në Kukës u largua drejtuesi Artur Ismailukaj dhe në vend të tij u vendos Alketa Nushi, një prokurore me emërim në Mat. Pra, premtimi i zonjës Marku për eliminimin e komandimeve nga një prokurori në tjetrën, rrëzohet në këto raste. Në fakt, lëvizja e vlerësuar më pozitivisht në radhët e prokurorëve, është caktimi i magjistratit Dritan Rreshka, në krye të Prokurorisë së Kryeqytetit.

Këto lëvizje të znj. Marku, përveçse tregojnë se tashmë ka nisur largimi i njerëzve të Llallës, konfirmojnë gjithashtu edhe zërat se znj. Marku po “ekzekuton listën e zezë” të ambasadës amerikane për prokurorët që tashmë u janë hequr vizat. Thuajse të gjithë prokurorët e larguar nga pozicionet që mbanin përkojnë me “listën” e ambasadës amerikane, nga ku herë pas here publikoheshin lajme për heqjen apo anulimin e vizës së këtij apo atij prokurori. Dhe në këtë pikë duket se znj. Marku ka mbështetjen e fortë të ndërkombëtarëve, e veçanërisht ambasadës amerikane. Në zyrën e Arta Markut kanë qenë këto javët e fundit të paktën 3 personazhe publike, të cilët kishin kohë që nuk afroheshin në Prokurorinë e Përgjithshme. Ambasadori Amerikan, Donald Lu, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin dhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, kishin ndërprerë thuajse çdo komunikim institucional me paraardhësin e zonjës Marku në atë zyrë, Adriatik Llalla.

Ambasadorët Lu e Vlahutin kanë shprehur mbështetjen e tyre për Prokuroren, duke dhënë sinjalet e përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, edhe Fatmir Xhafaj, i cili kishte përplasje të shpeshta publike me ish-kryeprokurorin Llalla, ishte ndër të parët që uroi në zyrën e saj zonjën Marku, për detyrën. Pozitat bashkëpunuese Xhafaj-Marku, me shumë mundësi, do të forcojnë edhe raportet polici-prokurori, të cilat në 2 vitet e fundit arritën në një pikë përplasjeje të fortë, sidomos pas hetimeve për përfshirjen e zyrtarëve policorë në trafikun e narkotikëve.

Krijimi i KLP

Një prioritet i fundit, i prezantuar nga zonja Marku, por jo më pak i rëndësishëm për ecurinë e institucionit të akuzës është krijimi i klimës së përshtatshme dhe të qetë për prokurorët në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende edhe pse ligji për ngritjen e këtij institucioni ka hyrë në fuqi që prej tetorit të vitit 2016. KLP e cila përbëhet nga 11 anëtarë, i propozon Parlamentit Prokurorin e Përgjithshëm, zgjedh prokurorin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), emëron, promovon, kontrollon dhe shkarkon prokurorët. Në përbërje të saj janë 6 prokurorë të cilët zgjidhen nga mbledhja e rreth 330 prokurorëve të republikës. Pra, ky është institucioni më i rëndësishëm në sistemin e prokurorisë.

Edhe pse znj. Marku është zotuar se do të krijojë klimën e duhur për zgjedhjen e anëtarëve të KLP, mes prokurorëve dhe në rrethet politike qarkullojnë zëra se kasta e re drejtuese e prokurorisë po përgatitet për të marrë KLP. Nëpërmjet lëvizjeve, komandimeve, largimeve të drejtuesve të mëparshëm po synohet krijimi i terrenit për zgjedhjen e anëtarëve të KLP që do të mbështesin të besuarit e kryeprokurores së përkohshme. Vetë znj. Marku ishte një nga kandidatët për KLP, por me zgjedhjen e saj në krye të Prokurorisë ajo u tërhoq nga gara. Megjithatë qëndrimi i kryeprokurores për këtë çështje mbetet për t’u parë, pasi siç dhe deklaroi në takimin me gazetarët, znj. Marku tha se do të jetë puna e saj në vazhdimësi që do tregojë nëse është e anshme apo e paanshme dhe e angazhuar për të zbatuar ligjin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas