Sport

Mou-Real, tani edhe tifozët kundër


Reali i Madridit fitoi 4-1 kundër Atletik Bilbaos, por ka diçka që nuk shkon në ambientin madrilen. Pikë së pari harmonia e pakët mes futbollistëve në fushë, ndërsa një tjetër aspekt i rendesishem është ai që tifozët në Bernabeu për herë të parë vërshëllyen publikisht Zhoze Murinjon. Në minutën e 27-të Cristiano Ronaldo bëri një faull të keq ndaj Markel Susaetas. Arbitri i tregoi kartonin e verdhë dhe, ndërsa portugezi protestonte, Ksabi Alonso i dha një të shtyrë për ta larguar duke evituar që arbitri ta ndëshkonte më ashpër dhe reagimi i trajnerit luzitan ishte një vështrim rrufe që u kap nga të gjitha telekamerat. Më pas ishin tifozët ata që vërshëllyen Murinjon duke treguar se kanë filluar të bezdisen nga sjellet e tij dhe trajneri si zakonisht u pergjigj duke kaluar në kundërsulm me stilin e polemikave të tij. “Nuk më kishte ndodhur kurrë, as tePortoas te Çelsi dhe as tek Interi , por ka gjithmonë një herë të parë. Këtu kanë vërshëllyer dhe Zinedin Zidane, fenomenin Ronaldo dhe Kristiano Ronaldon, pse nuk duhet të më vërshëllejnë mua. Zidane dhe të tjerët u përgjigjën me lojën e tyre, Kristiano Ronaldo po ashtu, ndoshta një ditë do të përgjigjem dhe unë me punën time”, u shpreh “Special One”. Më pas trajneri luzitan e ashpërson gjuhën për t’i bërë të qarta gjërat njëherë e mirë: “Unë nuk kam lindur një tifoz i Madridit. Unë jam një profesionist që punon për një klub. Ishin ata që më kërkuan dhe janë drejtuesit e klubit përfaqësuesit ligjorë të tifozerisë. Dhe me ta, drejtuesit kemi një marrëdhënie fenomenale ku nuk ekzistojnë problemet”, përfundoi Zhoze Murinjo.

Por, megjithatë, shtohen zërat që e shohin atë larg Realit të Madridit në fund të këtij sezoni. Televizioni spanjoll, Intereconomia, në një kronikë të gjatë deklaron se pas zënkave të fundit mes teknikut luzitan dhe lojtarëve madrilenë, Mou ka vendosur të largohet nga Madridi. Për këtë, sipas këtij televizioni, tekniku portugez ka njoftuar edhe drejtuesit e Realit. Edhe gazeta “As” shkruan për një largim të mundshëm të Murinjos në fund të këtij sezoni. Madje për këtë, e përditëshmja kujton një intervistë të portugezit dhënë në janarin e vitit të shkuar, ku kishte paralajmëruar largimin e tij në fund të sezonin 2011-2012. Nga ana tjetër, “Marca”, gazeta tjetër spanjolle që nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë e saj për Real Madrid, ka zbardhur debatin mes Murinjos dhe disa lojtarëve. Lojtarët, sipas “Marca” kanë kritikuar trajnerin për skemat e zgjedhura prej tij, sidomos gjatë takimit me Barcelonën në Kupën e Mbretit, ndeshje e luajtur mesjavën e kaluar ku madrilenët humbën 1-2. Por veç lojtarëve, Mou duhet të përballet edhe me tifozët e skuadrës “merengues”. Ata kanë fërshëllyer Murinjo dhe në disa forume kanë kërkuar largimin e tij dhe ardhjen në krye të Realit të Fabio Kapelos. Mou akuzohet nga tifozët si frikacat; “ai ka frikë Guardiolan”, thonë tifozët.



 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas