Kronika, Kryesore

“Mollë sherri u bë një vajzë”, si nisi përplasja me thika në Lungomare

Dy të rinj konfliktohen për një vajzë, plagoset 21-vjeçari. Një adoleshent ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi është autor i një plagosjeje me thikë, të ndodhur në Lungomaren e Vlorës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të së mërkurës. Mësohet se gjithçka ka ardhur për motive të dobëta. Autori E.P. 17 vjeç ka plagosur lehtë me thikë R.S. 21 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe të Vlorës.



Burime nga Policia bëjnë të ditur se mes tyre ka hyrë një vajzë, e cila është bërë shkak për nisjen e sherrit. Në momentin që dy të rinjtë janë takuar me njëri-tjetrin për t’u sqaruar, i riu 17-vjeçar në debat e sipër ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur njëherë.

I plagosuri mësohet se ka marrë vetëm plagë të lehta dhe pas marrjes së ndihmës në Spitalin Rajonal të Vlorës është larguar për në banesën e tij. Pak orë pas ngjarjes, Policia nga marrja në pyetje e të plagosurit arriti të identifikonte autorin dhe ta arrestonte atë.

Do të pritet rimarrja në pyetje e 21- vjeçarit të plagosur si dhe e autorit të arrestuar për të mësuar më shumë mbi rrethanat e konfliktit që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë. Gjithashtu, në pyetje nga ana e Policisë pritet të merret dhe vajza që u bë mollë sherri mes dy të rinjve vlonjatë.

Ngjarja ka ndodhur në pikun e sezonit turistik dhe në një prej zonave më të frekuentuara nga ana e turistëve dhe vizitorëve në qytetin bregdetar të Vlorës. Debati mes dy të rinjve dhe më pas përdorimi i thikës, ka shkaktuar panik mes të pranishmëve në zonën e Lungomares.

“Më datë 22.08.2018, rreth orës 23:00, në zonën e Lungomares ka ndodhur një konflikt ku për pasojë është plagosur me mjet prerës një shtetas. Shërbimet e Policisë shkuan në vendin e ngjarjes ku konstatuan se në lagjen ‘Pavarësia’, shtetasi E.P, ka goditur me mjet prerës ‘thikë’ shtetasin R.S., 21 vjeç, banues në fshatin Babicë e Madhe Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, duke marrë ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e mirorganizuara dhe të shpejta policore u bë e mundur identifikimi dhe kapja në kohë e autorit në qytetin e Vlorës. Dyshohet se konflikti ka ndodhur për motive të dobëta”, bën të ditur Policia, ndërsa mbi 17-vjeçarin e arrestuar rëndon akuza “Plagosje e rëndë me dashje” dhe çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Vlorës. / PANORAMA

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas