Kryesore, Politika

“Modeli Berisha mori fund që më 2006”

besnik mustafaj“Basha nuk është shabllon i ndonjë modeli, por as nuk ka një model lideri. As Rama nuk përbën model. Rama është reaktiv dhe repetitiv i praktikave të të tjerëve. Rama të jep rast të nervozohesh.”

 



Për ish-ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafaj, bashkëpunëtori i tij i hershëm në politikë, ish-kryeministri Berisha e ka mbyllur ciklin e tij politik që në vitin 2006.

I ftuar në emisioni “E Diell”, Mustafaj në një intervistë më së shumti kulturore, ka pranuar të flasë edhe për politikë, kryesisht për atë që e njeh më mirë, Partinë Demokratike.

I pyetur për sjelljen politike të opozitës dhe rolin që luan në të Berisha, ai do të shprehej “modeli Berisha e ka mbyllur ciklin që më 2005-2006”.

Gjithsesi, duke qëndruar tek PD-ja pas Berishës, ai do të shprehej se kryetari i ri  Lulëzim Basha nuk është se kopjon ndonjë model të caktuar, por në vetvete ai, për Mustafajin ka një të metë, pasi nuk ka krijuar ende lidershipin e tij.

“Basha nuk është shabllon i ndonjë modeli, por as nuk ka një model lideri. Nuk përbën lidership ajo që bën Basha”, – do të shprehej Mustafaj.

Sipas tij, Basha që të krijonte lidershipin e vet dhe të kishte autoritetin e duhur në parti, duhet që gjatë kësaj kohe të kishte bërë një analizë të asaj që e çoi PD-në në humbjen e pushtetit.

Megjithatë, vetë Mustafaj është i bindur se ajo që çoi demokratët në opozitë kishte të bënte me keqqeverisjen e Berishës. Kjo pasi sipas tij, zgjedhjet e 23 qershorit nuk i fitoi Rama, por i humbi Berisha.

“Duhet të sqarojmë diçka, në zgjedhjet e fundit humbi Berisha, nuk fitoi Rama. Berisha ishte bërë i padurueshëm për popullin. Basha duhet ta kishte bërë këtë analizë, por ai nuk e ka bërë këtë analizë që të drejtojë si duhet, të ofrojë një model lidershipi”, – tha më tej Mustafaj.

Ai nuk ka ngurruar të thumbojë edhe atë që po bën sot PD-ja duke qëndruar jashtë Parlamentit, duke u shprehur në mënyrë ironike se “PD është një makinë shumë e madhe, nuk ka nevojë që të mbledhësh parlamentin në selinë e PD-së për t’i dhënë shpresë popullit”.

Ndërsa duke u ndalur tek ajo që përfaqëson kryeministri aktual Rama, Mustafaj do të shprehej se ai nuk ka profilin e një lideri, por se në të shumtën e rasteve përsërit atë që kanë bërë të tjerët.

“Nga viti ’97, PD doli si një viktimë. As Rama nuk përbën model. Rama është reaktiv dhe repetitiv i praktikave të të tjerëve. Rama të jep rast të nervozohesh”, – do të shprehej më tej Mustafaj.

Ai ka folur edhe për kohën kur vetë ishte pjesë aktive e politikës dhe drejtonte Ministrinë e Jashtme, duke rrëfyer se ai vetë ishte përpjekur në atë kohë që të ndante politikën nga letërsia, ndërsa fobia e tij kishte të bënte me mosjoshjen për shkak të detyrës. “

Unë jam përpjekur në mënyrë skizofrenike për të ndarë punët e politikës me ato të letërsisë. Kam pasur një frikë se mos joshem, se shumë kollaj të merr erë koka, se ka roje, ka privilegje shumë, ka verë të mirë që mua më pëlqen aq shumë”, – tha Mustafaj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas