Kryesore, Mapo Format

Mjekët e Shkodrës nuk u arrestuan për llogari të spitaleve private

Pas arrestimit të disa mjekëve, mes tyre njëri që braktisi Amerikën për Shqipërinë, rrjetet sociale janë mbushur me spekulime dhe teori konspirative. Por si mund të shpjegohet situata ku e gjeti veten mjeku Luan Dragusha

Nga Enton Palushi



Ndryshe nga sa ndodh rëndom, kur mjekët arrestohen apo dhunohen publikisht nga pacientë apo të afërm të tyre, këtë herë nuk pati ‘schadenfreude’. Disa mjekë dhe infermierë të Spitalit të Shkodrës provuan prangat dhe lajmi që doli i pari nëpër gazetat e Tiranës ishte se mes të arrestuarve ishte Luan Dragusha. Për ata që mund të mos e kishin fiksuar emrin e tij deri në atë kohë, ai është një mjek që ‘braktisi’ Amerikën dhe vendosi të kthehej në Shqipëri për t’u kthyer në një histori suksesi, sipas kryeministrit Edi Rama.

Mori bonusin e qeverisë dhe pranoi t’u shërbejë shkodranëve me devotshmëri derisa provoi prangat e ftohta. Mëkati i mjekëve? Kishin kërkuar më shumë medikamente nga sa kishin nevojë.

Dragusha u lirua në sallën e gjyqit dhe iu revokua masa e sigurisë. Disa media shkodrane thonë se ai tashmë do e braktisë Shqipërinë. Pati nga ata që thanë se mjeku bëri atë që bëjnë të tjerët, pra u konfirmua me korrupsionin shqiptar. Por historia e tij bëri që njerëzit të kishin empati për mjekët e prangosur, ndryshe nga sa ka ndodhur më parë, kur urrejtja ndaj bluzave të bardha ka qenë gjithmonë evidente. Ajo që pasoi me lirimin e Dragushës është si gjithmonë një histori shqiptare, e cila ka nevojë të shoshitet mirë.

***

E para, duhet të pranojmë dhe të mësohemi me idenë që sistemi i drejtësisë nuk funksionon në bazë të një ‘hierarkie’ arrestimesh. Fjala bie, nëse është arrestuar Dragusha, më parë duhej të ishte arrestuar ndonjë ish-ministër, ministër apo ish-kryeministër etj. Sepse nëse nuk arrestohen ata të parët, të tjerëve nuk kemi të drejtë t’u vëmë prangat dhe t’i çojmë përpara drejtësisë. Kështu funksionon sistemi, duket mizor, por nuk ka kurrfarë piramide a diçka të tillë. Nëse të kap, të kap…

E dyta dhe më e rëndësishmja, ka nisur prapë të qarkullojë nëpër mediat sociale dhe në disa portale ideja se ka një konspiracion pas prangosjes së mjekëve.

““Personazhi” kryesor i gjithë kësaj historie, është Luan Dragusha. Madje, në një farë mënyre ai është edhe “fajtori” që u arrestua ai vetë dhe kolegët e tij. Edhe këtu për një arsye të thjeshtë: Ishte i suksesshëm më shumë nga sa parashikohej në punën e tij, duke u shkaktuar dëme jo të vogla kolegëve në Tiranë, sidomos atyre në spitalet private! Lehtësoi barrën e shpenzimeve për mijëra familje që ekzaminimet e zemrës, i bënin “dy hapa” larg shtëpisë. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, ishte i suksesshëm 100% në të gjitha ndërhyrjet e tij në Laboratorin e Hemodinamikës në Shkodër” , shkruan një nga faqet e njohura në Shkodër. Disa portale madje bëjnë edhe llogari shifrash për çdo operacion. Mllefi ndaj shërbimit privat sigurisht vjen nga ‘dhimbja e pagesës’, por Dragusha as nuk e ka bërë më të mirë dhe as më të keq të gjithë sistemin e rrënuar dhe të sakatosur të shëndetësisë falas në shtetëror. Hiqeni këtë nga mendja pasi nuk ka asnjë teori konspirative që mbulon faktin që shëndetësia në Shqipëri është e ‘ngjizur’ mbrapsht që në fillim. Nuk ka kompani private që luftojë një mjek. Nëse nuk zgjidhet me themel kjo punë e shëndetësisë, kështu me arnime dhe me heroizma alla Luan Dragusha, që fitojnë simpati nëpër rrjetet sociale, nuk kemi asgjë në terezi. Sidomos për ju që paguani edhe siguracionet dhe përballeni me një shërbim të tmerrshëm, nuk është e nevojshme që të bini pre e ‘viktimave të identifikueshme’.

***

A ju ka ndodhur që të shihni nëpër lajme se dikush është arrestuar për një krim që e keni bërë edhe ju? Nuk është fjala për vrasje apo trafik droge, por ndonjë vjedhje e vogël, sherr fizik, konsum droge, prishje qetësie publike, ndonjë falsifikim i vogël, një marrëzi e momentit apo e moshës…? Natyrisht keni thënë se keni shpëtuar paq.

Një nga prokurorët më të mirë në SHBA, Adam Foss thotë se nëse do ishte për punë prangash, shumë njerëz do ishin tashmë pas hekurave. Por sistemi nuk duhet të jetë gjithmonë kaq i ashpër.

“Unë si prokuror e kam në dorë që të shkatërroj jetë njerëzish”,  e pranon Foss në TED pa kurrfarë ngurrimi.

“Duhet të bëj një rrëfim nga ana ime. Shkova në juridik që të fitoj para. Nuk isha i interesuar që të jem një shërbëtor publik, nuk kisha asnjë interes në Kodin Penal dhe përfundimisht nuk mendoja se do bëhesha një prokuror”.

Por kur nisi punë, gjërat ndryshuan. Nisi të kuptonte fuqinë që kishte në duart e tij, e pranoi që duhej të njihte më mirë historitë njerëzore përpara se të vendoste për paditë ndaj tyre.

“Në vjeshtën e vitit 2009, një i ri u arrestua nga policia e Bostonit. Ishte 18 vjeç dhe ishte në vitin e fundit në gjimnaz. Kishte inteligjencën e duhur për universitet, por nuk kishte shumë mundësi financiare. Pas një serie me vendime të këqija, ai vodhi 30 kompjutera laptop nga një dyqan dhe i shiti në internet. E arrestuan dhe dosja e tij më erdhi në tavolinë. E di që mund të duket dramatike, por ia kisha jetën në duar. Isha 29 vjeç, një prokuror i ri dhe nuk e dija se si do ndikonin vendimet e mia në jetën e tij. Shumica e prokurorëve e nisin punën me shumë pak vlerësim për ndikimin e vendimeve tona”.

Foss thotë se shumica e prokurorëve që njeh do kishin ngritur padi, ndërsa jeta e Christopher do dilte nga kontrolli.

“Kur mbarova juridikun, bëra atë që bëjnë të gjithë. Dola si prokuror duke pritur që të bëj drejtësi, por nuk e mësova kurrë se çfarë është drejtësia në klasë. Askush nga ne nuk e bëri. E megjithatë, prokurorët janë aktorët më të fuqishëm në sistemin penal. Fuqia jonë është pa kufi. Askush nuk mund të na thotë, në shumicën e rasteve, as gjykatësi, as policia, as legjislativi, as kryebashkiaku, as presidenti, se ç’të bëjmë me rastet tona. Mund të ngrija 30 padi ndaj Christopher”…

“Një natë, teksa isha në një takim dhe po fusja sanduiçët në gojë, ashtu siç bëjnë punonjësit publikë, shoh dikë që më përshëndeste dhe më buzëqeshte. E njoha. Erdhi dhe më përqafoi. -“Më ndryshove jetën, u kujdese për mua”. Ishte Christopher. Nuk ngrita padi ndaj tij. Punova fort me të, arritëm të rigjejmë 75 për qind të kompjuterave dhe punuam me një skemë që të paguajmë pjesën tjetër. Ai bëri shërbim në publik. Shkroi një ese duke reflektuar për atë që i kishte ndodhur. Aplikoi në kolegj, mori ndihmë financiare dhe u diplomua”.

“Pasi u përqafuam, pashë që ai ishte bërë menaxher në një bankë të madhe në Boston. Christopher ia kishte dalë- dhe bënte më shumë para se unë”.

PasPara


Pas