Arkiva 2

Minxhozi: Tregu i punës nuk e shpërblen përpjekjen dhe performancën e grave

Anketa/ Kompania “Deloitte” organizoi për të parën herë anketën “Women in Business”. Prof. Dr. Luljeta Minxhozi: Gruaja, garanci e fortë për perspektiven e shoqërisë së dijes ku aspirojmë të arrijmë

Kompania “Deloitte” organizoi për të parën herë anketën ‘Women in Business’. Raporti i publikuar bazohet në gjetjet e një Zysh Luli ne Panelankete rreth pozicionit të grave në biznes dhe lidership në mjedisin shqiptar të sipërmarrjes. Për të diskutuar rreth sfidave që gratë shqiptare duhet të përballin midis avancimit të tyre në karrierë dhe gjetjes së një balance optimale të jetës së tyre private dhe karrierës në Tiranë, u organizua një forum diskutimi me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj. Një nga panelistët e këtij forumi, Prof. Dr Luljeta Minxhozi, Drejtore e Programeve Master në Universitetin Europian të Tiranës, në intervistën e mëposhtme për gazetën MAPO u jep përgjigje disa prej pyetjeve që u ngritën në këtë forum.



Zonja Minxhozi, cilat janë sipas jush pikat e forta të grave në sipërmarrje?

Në sondazh duket qartë se pjesa më e madhe e grave të angazhuara në biznes i kushtojnë vëmendje zhvillimit të tyre profesional dhe përfitimit të aftësive të reja. Kjo situatë gjen pasqyrimin e saj edhe në auditorët e universiteteve, ku pjesa më e madhe e studentëve në programet Master janë gra dhe ato performojnë shumë më mirë akademikisht se kolegët e tyre burra. Kështu ato janë shumë të përgatitura për tregun e punës. Por në Shqipëri, tregu i punës nuk është i strukturuar në mënyrë që të shpërblejë këtë përpjekje të grave për dije. Informaliteti dhe mungesa e rregullave të qarta në tregun e punës i përjashton ato nga mundësia për të arritur një pozicion drejtues. Kështu, vetëm 15 për qind nga të intervistuarit besojnë se gratë mund të marrin në mënyrë konkurruese një pozicion drejtues në biznes. Megjithatë, shifra 62 për qind e grave balancojnë shëndetshëm raportin punë – familje dhe 47 për qind e tyre zhvillojnë aftësi të reja është shumë shpresëdhënëse për vendin tonë. Gratë e ditura me rolin e tyre të dyfishtë mund të kontribuojnë më shumë në shoqëri dhe mund të transmetojnë dëshirën për dije tek fëmijët. Kjo është një garanci e fortë për perspektiven e shoqërisë së dijes ku aspirojmë të arrijmë.

Si shihen gratë në krahasim me burrat në lidership në mjedisin shqiptar?

Po të krahasojmë rezultatet e sondazhit për burrat dhe gratë në lidership në Shqipëri, rezultatet janë vërtet interesante. Gratë demonstrojnë një lidership modern sepse 40 për qind e tyre kanë aftësi analitike, 60 për qind e tyre demonstrojnë profesionalizëm në lidership dhe 40 për qind përdorin komunikimin si teknikë të lidershipit. Ndërsa burrat demonstrojnë një lidership autokratik të mbështetur në vetëbesim, kjo në 50.8 për qind të të anketuarve, dhe teknika më e përdorshme në lidership është presioni. Unë besoj se edhe pse situata duket konfuze për shkak të mungesës së rregullave të qarta në treg, lidershipi i grave do të forcohet në të ardhmen. Globalizimi i tregjeve dhe forcimi i korporatave të mëdha, të bazuara në rregulla të forta e të qarta, do të kërkojë gjithnjë e më shumë një lidership që mbështetet në këshillim e negocim.

Një tjetër aspekt është hendeku i pagës, pse gratë nuk paguhen njësoj si burrat?

Sondazhi verifikon eksperiencat e shumë grave në përballjen me tregun e punës, ku diferenca në shpërblimin për të njëjtën punë në krahasim me kolegët e tyre burra është shumë e dukshme. Hendeku në pagë e ka burimin në shkallën e ulët të institucionalizimit të tregut të punës. Po të vendosim arsyetimin në një situatë ideale, ku secili individ në tregun e punës shpërblehet në bazë të vlerës që ai krijon, nuk do të kishte asnjë devijim në shpërblim mbi baza gjinore. Por në realitet, tregu i punës është shumë vulnerabël ndaj paragjykimeve që vijnë për gjinitë, racat, përkatësitë fetare apo etnike, të cilat për të gjithë pjesëtarët e këtyre grupimeve rezultojnë në një diference në pagë. Vendosja e rregullave në tregun e punës, sindikalizmi i profesioneve janë disa nga drejtimet që në të ardhmen do të ngushtojnë diferencat në pagë.

A duhet të vendosen kuota gjinore që të rritet pjesëmarrja e gruas në rolet drejtuese në biznes?

Mendoj që vendosja e kuotave duhet të konsiderohet një “shërues i përkohshëm“ për situatën diskriminuese të përfaqësimit të grave në vendimmarrjen e biznesit dhe të jetës shoqërore në përgjithësi. Kuotat mund të ekuilibrojnë përkohësisht disa shpërpjesëtime, përsa kohë pjesa më e madhe e vendimeve të punësimit merret në tregje informale të punës. Në afat të gjatë, institucionalizimi i tregut të punës është rruga e vetme për të vendosur një ekuilibër të merituar të përfaqësimit gjinor sipas meritës dhe aftësive.

Minxhozi: Tregu i punës nuk e shpërblen përpjekjen dhe performancën e grave

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas