Kryesore, Politika

Ministrja e Mbrojtjes rrëfen për herë të parë për familjen: Çfarë çmoj tek bashkëshorti

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka rrëfyer në një bisedë për emisionin “PushimeOn Top” në Top Channel, sifdat e saj si ministre, përjetimin e disiplinës në një ministri të fortë siç është mbrojtja. Teksa ka marrë disa ditë pushimesh në shtëpinë e pushimeve të ushtarakëve në Jalë, Xhaçka ka folur për herë të parë për familjen, vajzën e saj Hana dhe bashkëshortin, ish-deputetin socialist Artan Gaçi.

Zonja ministre si ndodhi që gjete pak kohë për të pushuar?



Ndodhi që Kryeministri i dha kabinetit qeveritar dy javë leje. Sigurisht që nuk kanë qenë javë të plota leje dhe realisht nuk është se pushohet me kohë të plotë, pasi puna sido që të jetë mbartet pak edhe gjatë ditëve të pushimeve. Megjithatë ka qenë një periudhë relaksuese këto 3-4 ditë që kam qenë këtu, një periudhë e kaluar me time bijë që ma ka bërë edhe më të këndëshme edhe më të bukur. Sigurisht pushimet të tilla janë, por fakti që pas një viti po kaloj një kohë shumë më cilësore dhe dedikuar për të është një kënaqësi shumë emadhe për mua.

Zgjodhët Jalën, për shkak se edhe Kryeministri tha se të gjithë ministrat duhet të pushojnë në Shqipëri, apo ishte edhe dëshira juaj?

Është padiskutim dëshira ime. Është shtëpia e pushimit e ushtarakëve. Këtu pushojnë stafi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe stafi i Shtabit të Përgjithshëm. Është një ambjent shumë i bukur që i ofron të gjitha kushtet për të bërë pushime shumë të bukura dhe nuk ka asgjë më pak se sa ambjentet e tjera jashtë vendit apo diku tjetër. Këhstu që është padiskutim zgjedhja ime. Është edhe një politikë e qeverisë për të promovuar turizmin dhe për të shpenzuar sa më shumë kohë në këto vende të mrekullueshme që Shqipëria ofron për të pushuar.

A nuk është pak e lodhshme që edhe në punë keni të njëjtin staf, edhe me pushime keni po ata? Ndoshta duhet ndonjëherë ndonjë shkëputje nga njerëzit e punës…

I takon ose i shikon në një mënyrë tjetër. Nëse më përpara jemi parë të kollarisuar dhe duke diskutuar për punë, tani është pak më ndryshe, sepse takohesh në një ambjent shumë më të relaksuar edhe për të konsumuar një bisedë apo kafe miqësore përtej atyre kornizave profesionale që ndonjëherë të dikton zyra apo ambjentet shumë serioze të Ministrisë së Mbrojtjes. Është për mua një mundësi shumë e mirë edhe për t’i takuar njerëzit në pjesën tjetër më familjare.

Në fakt është hera e parë që na jepet mundësia që të kemi Ministren e Mbrojtjes në aspektin familjar, teksa pushon e zhveshur nga detyra. Si ka qenë për ju si eksperiencë ministria, një ambjent kryesisht me meshkuj?

Për mua për hir të së vërtetës ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kam mësuar ta dua shumë këtë punë që bëj dhe këtë instituicion që drejtoj. Nuk mund të them se e kam njohur shumë më përpara sepse puna apo kontributi im në politikë dhe formimi im më kanë orientuar në të tjera gjëra që s’kanë qenë të lidhura me çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes. Por unë jam studente e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe Ministria e Mbrojtjes, padiskutim ka edhe një komponent diplomatik të përfshirë në të. Është edhe një ministri që, për hir të së vërtetës nuk është fort e dukshme, ka kaq shumë dimensione. Disa thonë që është një shtet brenda shtetit. Kështu që të jep mundësinë që të shikosh dhe të drejtosh në shumë aspekte e dimensione. Është një punë jashtëzakonisht e bukur.

Tashmë ju jeni edhe nënë dhe dedikimi ndaj familjes, vajzës, besoj kjo i ka ndryshuar disi raportet qoftë në përfshirjen politike, por edhe në detyrën si ministre..

Padiskutim. Koha për të, marrëdhënia me të është padiskutim një sfidë përsa kohë që koha e lirë është e kufizuar, por është edhe meraku kryesor që kam sa i takon një impenjimi ndoshta pak më të madh timin në kohën e lirë për ta shpenzuar me të. Nuk kam aq kohë sa ç”do të doja të kisha, por atë kohë që ja dedikoj është tërësisht cilësore, që do të thotë jam 110 përqind me të, pas saj. Deri më tani, pavarësisht kufizimeve gjykoj që nuk e ka ndjerë mungesën time cilësisht, pasi kam qenë gjithë kohën me të dhe pas saj, edhe kur nuk kam qenë aty fizikisht. Por ç’është më e rëndësishmja, dhe ky është një konstatim i imi për çdo grua në karrierë që për sa kohë që i dedikohen shumë cilësisht apo atë kohë që harxhojnë me fëmijët e tyre duke patur një vëmendje të dedikuar çdo gjë kompensohet.

Është vajza e babait, e përkëdhelur?

Është vajza e mamit totalisht. Babai është pakëz xheoz që ajo vazhdon të jetë ende gocë mami, sepse nuk e ka bërë ende atë kapërcimin. Do bëhet eventualisht gocë babi, se ka filluar të tregojë shenjat e para po për momentin është ende gocë mami.

Për ministren vetë si ka qenë? Keni qenë vajza e babit apo e mamasë?

Unë kam qenë vajza e babit me thënë të drejtën. Dhe e mbaj mend babin me shumë gjallëri kur kam qenë unë e vogël. Ma ka zbukuruar shumë fëmijërinë me vëmendjen që ka treguar dhe ndoshta është edhe një model se si unë dua të rris time bijë.

Ndoshta mund ta kesh thënë gjatë jetës se nuk do të kishe dashur që bashkëshorti të ishte pjesë e të njëtës fushë, punë dhe për më tepër në politikë aty ku ke qenë aktive. Tashmë ka ndryshuar ky mendim, pasi Artani është bashkëshorti yt, jeni të dy në të njëtën fushë dhe nuk e di sa jeni edhe përtnerë në vendimmarrje, në këshillim, në politikëbërje?

Kam idenë që jemi njohur në rrethana të tilla që na kanë bërë sigurisht partnerë, bashkëshortë, por edhe miq realisht shumë të mirë. Konsultohem gjithmonë me të. Nuk mund të them se vendimet tona janë gjithmonë të njëjta, por kemi një dialog shumë të shëndetshëm dhe shumë miqësor në prag të çdo sfide apo vendimmarrjeje. Fakti që sot nuk është në politikë, paçka se është shumë i angazhuar në sensin e të qenit aktiv me aktualitetin, mbështetës për gjithë sa bëj unë dhe gjithë sa bën kjo qeveri dhe kjo mazhorancë, duke qenë se ka qenë edhe deputet i Partisë Socialiste, por sot më i dedikuar pranë familjes, një ndihmë shumë e madhe për Hanën si edhe një mik e partrner i pazëvendësueshëm për mua dhe për marrëdhënien tonë, të paktën kështu e ndiej unë.

Çfarë ka ai në pjesën politike që ju do t’ja kishit pak zili?

Ka një intuitë që unë ja kam shumë zili. Ka një aftësi për të parë përtej asaj që duket…

Siç e do politika…

Siç e do politika, padiskutim, por edhe për të qenë pak më largpamës, më vizionar, për çfarë duhet bërë për të mbërritur disa qëllime shumë të mëdha dhe shumë të mira, kuptohet për punën që ne bëjmë, për të zhvilluar vendin, për të ofruar një standrat më të mirë jetese, për të përmirësuar cilësinë e jetës, që është puna e çdo qeverie dhe e çdo mazhorance.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas