Mapo Letrare

Mimoza Hysa: Një një darkë si Znj.Dalloway

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Leximet e mia tashmë i ngjajnë kërkimeve për të zbuluar përqasje, këndvështrime që më ndihmojnë në krijimtarinë time, ose për të zbuluar vepra që ia vlejnë të përkthehen. Kërkimi i parë është si kërkim thesaresh për vete, i dyti për të tjerët. Për vete po lexoj libra historikë, biografi, autobiografi e romane që kanë të bëjnë me aviacionin, me perceptimin e figurës së ushtarakut në përgjithësi, të shërbesës sidomos gjatë periudhave të luftrave apo regjimeve diktatoriale. Kam lexuar për shembull një studim shumë interesant të një profesori të Kembrixhit me titull “Ushtarët hebrenj të Hitlerit”, autobiografinë e pilotit amerikan Charles Yeager që kaloi për herë të parë shpejtësinë e zërit, apo biografinë e “Baronit të Kuq”, cilësuar si piloti më i mirë i të gjitha kohërave, që shërbeu në ushtrinë gjermane gjatë luftës së parë botërore. Ndërkohë po lexoj disa autorë italianë që mund t’i përkthej si Cladio Magris, Domenico Starnone apo Roberto Calasso.



Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Vështirë të ketë një roman që ta meritojë këtë përcaktim. Do të më ndihmonin tri fazat e ndarjes së historisë njerëzore nga filozofi italian Gianbattista Vico për të bërë një përzgjedhje për çdo kohë: për fazën e parë, kohën e perëndive, do të zgjidhja poemën “Odisea” të Homerit, për fazën e dytë, kohën e heronjve, romanin “Don Kishoti i Mançes” të Servantesit, për fazën e tretë, kohën e njerëzve, do të zgjidhja “Lufta dhe paqja” të Tolstoit.

Po nëse do t’i referohem ndarjes së etapave të jetës së njeriu sipas Kierkegaard-it, që përkojnë me fazat e formimin, do të kisha tjetër zgjedhje:  për fazën estetike, kur njeriu është indiferent ndaj parimeve morale dhe vlerave, duke tentuar t’i përmbysë, do të zgjidhja një klasik si Dostojevski me “Krim dhe ndëshkim” apo bashkëkohor si Houellebecq me “Grimcat elementare”, për fazën e dytë, kur njeriu priret të respektojë vlerat morale të shoqërisë dhe familjes, do të zgjidhja “Komendinë njerëzore” të një klasiku si Balzaku, për fazën e tretë, atë fetare, të besimit përtej parimeve morale, përtej së mirës dhe së keqes, do të zgjidhja romanet e Singer-it apo dhe udhëtimet e Claudio Magris-it.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Lexuesit përgjithësisht kanë frikë nga ndryshimi dhe nga fillimet e reja. Kjo është ndoshta arsyeja pse parapëlqejnë romanet meqenëse kanë vetëm një portë hyrëse që nëse të mbërthen në faqet e para, mund të vazhdosh qetësisht e të qëndrosh gjatë. Një vëllim më tregime është marramendës dhe të kërkon të ndërmarrësh për çdo herë një udhëtim të ri. Po mua pikërisht për këtë aryse më pëlqejnë tregimet. Nga letërsia italiane më pëlqen cikli i tregimeve të Markovaldos së Calvino-s, që rrëfejnë një fëmijëri të tjetërsuar në kohërat moderne, larg natyrës, aventurës dhe lojës, si dhe tregimet e Italo Svevo-s, që vizatojnë paradoksin e pleqërisë, kohës kur rritet përvoja mbi jetën ndërkohë që pakësohet dëshira për të vepruar dhe për të ndryshuar. Për nga qartësia e strukturës së tregimit dhe mesazhet universale rilexoj tregimet e Çehovit, për nga befasia dhe forca e imagjinatës lexoj tregimet e Cortazarit, Bolanjos e në përgjithësi autorëve latino-amerikanë, për nga çudia e rrëfimit mjeshtërisht të asgjësë dhe gjithçkasë së përditshmërisë lexoj Raymond Carver-in.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Një shkrimtar është i plotë kur përçon një filozofi të tijën të jetës përmes formave të ndryshme të shkrimit. Kam vite që merrem me veprën e Claudio Magris-it dhe vlerësoj humanizmin e tij në të gjitha shkrimet, aftësinë për të interpretuar kohën dhe për të përkthyer në letërsi një filozofi jete, atë të bindjes (persuasione) në kuptimin që i ka dhënë kësaj fjale filozofi triestin Carlo Michelstaedler: bindja si zotërim i jetës tënde në të tashmen, aftësia për të jetuar çastin, pa e sakrifikuar atë për të ardhmen. Është një mënyrë për të interpretuar dhe kohërat moderne dhe thelbin e jetës në përgjithësi.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Parapëlqej poezinë, tregimin, romanin dhe esenë, por nuk përjashtoj asnjë gjini. Nuk lexoj romane triller edhe pse ndonje film triller në orët e vona mund ta shoh.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk e di së çfarë librash mund të duken të çuditshëm për të tjerët në bibliotekën time, por mua më ndodh të zbuloj rastësisht libra që nuk di pse janë aty, cila dorë i ka sjellë apo në ç’kohë. Si për shembull një seri e botuar me librete estradash dhe dramash të realizimit socialist. Gjen dhe përkthime në një italishte skolareske të disa veprave të Enver Hoxhës me të cilat na mësonin gjuhën italiane në shkollë të mesme, apo vepra në gjuhën ruse të sjella nga im atë që nuk do të mund t’i lexoj ndonjëherë. Edhe pse nuk lexoj romane policorë, kam gjithë serinë e Sherlock Holmes-it në gjuhën italiane meqenëse për tim bir ka qenë në fëmijëri siç kanë qenë për mua heronjtë e Zhyl Vernit.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

“Martin Iden” i Xhek Londonit ka qenë dikur heroi im, se jam gjithnjë në anën e njerëzve që luftojnë për t’u lartësuar dhe për të arritur qëllimet në jetë, për të tejkaluar veten dhe fatin që u ka rënë për pjesë. Edhe pse heronjtë e mi më të shumtën vrasin veten prej zhgënjimit, si Martini.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

Lexuese e thekur. Lexoja gjithçka, duke filluar nga romanet e aventurës “Aventurat e Çipolinos”, “Aventurat e gozhdës”, “Kronikë në gur”,“Aventurat e Hakëlberri Finit” apo “Tom Sojerit” te ato fantastiko-shkencor të Zhyl Vernit. Pastaj romanet e Stendalit, Dikensit, Balzakut, Hygosë e natyrisht Ismail Kadarenë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Në lagjen ku jam rritur kishim një bibliotekë shumë të bukur në një vilë të rrethuar me trëndafila që mua më dukej si shtëpi përrallash. Vetëm se punonjësja, edhe pse e bukur e leshverdhë, i përngjante shtrigës. E bezdisur nga prania ime e vazhdueshme, më vinte të lexoja me detyrim soj e soj librash të kuq, me histori trimash e fjalime kongresesh.  Një herë, në klasë të katërt, më dënoi të mos dukesha më në bibliotekë pa mbaruar një vepër të “Yjeve të pashuar” dhe pa i thënë përmendësh emrat e heronjve. Qe një muaj i vështirë.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

Nuk mund të përmend një libër. Kjo që jam sot më kanë bërë të gjithë librat nga pak, ndoshta dhe ato të padëshiruarit apo ata që kam lexuar me mundim. Përkthimi pastaj ka qenë një palestër stili dhe më ka shërbyer për të njohur më në thellësi procesin e të shkruarit. Në periudha t ndryshme më kanë ndihmuar poezitë e Leopardit apo Montales, tregimet e Buzzati-t, romanet e Tabucchi-t apo esetë e Eco-s dhe Magris-it. Autorët e mi të parapëlqyer që u kthehem shpesh dhe i mbaj me vete janë: J. M. Coetzee, Jelinek, Cortazar, Sabato, Philip Roth.

Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

Ende nuk mendoj se e kam shkruar librin më kuptimplotë.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Uroj që çdo president i yni ta ketë lexuar “Faustin” e Gëtes apo “Rrno për me tregu” të At Zef Pllumit. Të dy në mënyra të ndryshme të tregojnë sesi duhet të kujdesesh për të mos e shitur shpirtin dhe veten për të mirat materiale.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Jam kureshtare të shtroj një darkë si Znj.Dalloway me Virginia Wolf-in, Cesare Pavese-n dhe Silvia Plath-in, për të kuptuar nga shpirtra të tillë të zhgënjyer nga jeta arsyet pse duhet vlerësuar jeta.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Libri i fundit? Fituesja e çmimit Strega e këtij viti, Helena Janeczek me romanin “La ragazza con la Leica”. Ashtu si shpesh kanë filluar të më zhgënjejnë fituesit e çmimeve në përgjithësi.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

“Askund” të Coetze-s, “Kështjella” e Kafkës, dhe librat me strukturë të hapur që mund t’i lexosh pavarësisht rrjedhës së veprimit, si “2666” të Bolanjos. Pastaj u kthehem gjithnjë dhe shpesh poetëve si: Yehuda Amichai, Ricos, Kavafis, Leopardi, Pavese, Montale, dhe Hatibit e Lleshanakut nga poetët tanë.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Janë shumë. Për shembull ende nuk kam lexuar shumë autorë amerikanë bashkëkohorë si De Lillo apo Jonathan Franzen. Do të thotë që do të jenë në planet e mia të leximit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas