Aktualitet

Mijëra njerëz homazhe për Xhevat Hanën, mungon qeveria

Tiranë Me mijëra njerëz përcollën dje në banesën e fundit prokurorin Xhevat Hana, i cili u nda para kohe nga jeta në një spital në Itali, ku kurohej prej disa ditësh nga një sëmundje e rëndë. Miq, të afërm, dashamirës, kolegë, njerëz të thjeshtë, që ndoshta nuk e kanë takuar kurrë prokurorin e ndjerë, i dhanë atij lamtumirën e fundit. Mes turmës së njerëzve që mbanin radhë për të ngushëlluar familjarët e tij nuk mungonin as politikanë, apo edhe presidenti Bamir Topi, së bashku me paraardhësin e tij, ish-presidentin Alfred Moisiu. Ish-kolege e kolegë, të ardhur nga i gjithë vendi i kanë bërë nderimet e fundit Xhevat Hanës, prokurorit që do të mbahet mend gjatë për këmbënguljen e profesionalizmin në dosjet e hetuara prej tij. Pas shumë përpjekjesh, homazhet në nderim të prokurorit u zhvilluan në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, ku për më shumë se një orë, me mijëra njerëz prekën për herë të fundit arkivolin ku do të prehet përjetësisht Xhevat Hana. Edhe pse pjesëmarrësit ishin të shumtë, sërish binte në sy mungesa e krerëve aktualë të drejtësisë shqiptare. Përveç kryeprokurores Ina Rama, e cila mori pjesë edhe në ceremoninë e varrimit të zhvilluar në varrezat e Tufinës, të gjithë njerëzit e rëndësishëm të drejtësisë mungonin. Për arsye ende të paqarta, gjatë homazheve mungonte ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, zv/kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, si dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Gjithashtu në homazhe nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i qeverisë, e cila vetëm pak javë më parë refuzoi kërkesën e familjarëve të prokurorit për dhënien e një fondi të veçantë që do të mbulonte shpenzimet e mjekimit në Itali, ku Xhevat Hana qëndroi për disa ditë. Në homazhe morën pjesë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, si dhe disa deputetë të së majtës, të cilët kryen nderimet e fundit edhe pranë varrezave ku do të prehet trupi i prokurorit 59-vjeçar. Pas përfundimit të homazheve, kortezhi mortor u nis drejt varrezave të Tufinës, ku në një ceremoni të thjeshtë miqtë dhe të afërmit i dhanë lamtumirën e fundit Xhevat Hanës. Prokurori Xhevat Hana lindi në Librazhd më  28.03.1953. Gjatë karrierës së tij në organet e hetimit, Xhevat Hana ka qenë pjesë e disa dosjeve të rëndësishme, ku së fundmi përfaqësonte akuzën në gjykatë për katër ish-oficerë të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas