Kryesore, Politika

Meta për ‘Teatrin’: Tentuat të plotësoni vetëm 1 konstatim, por nuk garantuat dot garë

Presidenti Ilir Meta e ka kthyer sërish në Kuvend atë që njihet ndryshe edhe si Ligji i Teatrit. Herën e parë kur e ktheu në Kuvend, Ilir Meta listoi nëntë shkelje të ligjit të përgatitur nga mazhoranca.

Por Meta konstaton se mazhoranca ka tentuar që të plotësojë vetëm një prej konstatimeve të tij, atë që ligji të garantojë garë, diçka që ishte kërkuar edhe nga Bashkimi Europian.



Por sipas Metës, as këtë gjë nuk e ka garantuar dot mazhoranca.

“Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.

Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje.

Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë.

Këto konstatime e bëjnë këtë ligj të bjerë sërish ndesh me zbatimin e parimeve kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, duke cenuar funksionimin e vet shtetit të së drejtës.

Në këtë mënyrë në tërësi ligji i ri nr.37, datë 20.09.2018, paraqet të njëjtat probleme kushtetuese të evidentuara nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, duke e bërë atë të padekretueshëm për shpallje,” argumenton presidenti.

 

PJESE NGA DEKRETI

Edhe ligji i ri nr.37/2018, datë 20.09.2018, sërish nuk garanton zbatimin e parimeve të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”, parime këto të cilat gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.

Edhe pse kjo është e vetmja çështje e shqyrtuar nga Kuvendi, sërish parashikimet e reja ligjore nuk e kanë zgjidhur situatën antikushtetuese të konstatuar nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij të mëparshëm.

Kuvendi në ligjin e miratuar në 5 korrik 2018 kishte përcaktuar një trajtim preferencial të kompaninë private “Fusha” sh.p.k, ku kërkesa për shprehje interesi, e paraqitur nga kjo kompani, ishte vlerësuar “a priori” si propozimi më i mirë, duke bërë kështu dhe pranimin automatik të faktit të kryer, pa asnjë procedurë konkurrimi të hapur dhe transparente.

Pikërisht shkelja e parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve, ishte një nga arsyet, por jo e vetmja, që Presidenti i Republikës, me dekretin nr.10 849, datë 27.07.2018, vendosi ta kthente ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Kuvendi me ligjin e ri të paraqitur për shpallje është përpjekur të përcaktojë se për realizimin e këtij projekti, do të kemi tashmë një garë të hapur ku do të mund të përzgjidhet personi fizik apo juridik, me të cilin shteti do të negociojë për nënshkrimin e një kontrate bashkëpunimi. Konkretisht në nenin 3, pika 4, 5, 11 të ligjit parashikohet: “4.“Palë private” është çdo subjekt privat që paraqet një propozim për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. 5.“Palë private e përzgjedhur” është pala private, propozimi i së cilës ka rezultuar në përputhje me kërkesat e këtij ligji, më i favorshmi në raport të interesit publik, si dhe është klasifikuar e para nga komisioni. 11.“Thirrje e hapur” është ftesa e hartuar nga komisioni për palët private që janë të interesuara për të paraqitur një propozim për realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë̈ projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

Në pamje të parë, duket sikur tashmë do të kemi një procedurë konkurrimi të lirë dhe që respekton kërkesat kushtetuese për veprimtari të lirë ekonomike dhe trajtim të barabartë, por nëse shqyrtojmë dispozitat e mëtejshme ku përcaktohen kërkesat, mjetet dhe kriteret sesi kjo garë realizohet, arrijmë në konkluzionin logjik se sërish edhe kjo normë ligjore paraqet elementë që cenojnë drejtpërdrejt konkurrencën e lirë, trajtimin e barabartë dhe nuk garanton që procesi do të jetë objektiv dhe i ndershëm.

Konkretisht në pikën 3, të nenit 6, të ligjit parashikohet se: “3. Me marrjen e propozimeve, komisioni verifikon paraprakisht statusin e të gjitha pronave mbi të cilat do të zhvillohet projekti, sipas përcaktimeve të pikës 4, të nenit 3, të këtij ligji. Komisioni verifikon dhe marrëveshjet e arritura dhe të nënshkruara me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit.”

Pikërisht ky parashikim, përcakton se çdo palë private që dëshiron të marrë pjesë në konkurrim duhet që propozimin e tij për zhvillimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duhet ta shoqërojë dhe me marrëveshjet që duhet të ketë arritur, me pronarët e pasurive private që ndodhen në zonën objekt zhvillimi dhe që përfshihen në këtë projekt. Pra në thelb vendosja e këtij parashikimi ligjor përbën një kusht parakualifikues për të marrë pjesë në garë, duke e bërë kështu një proces selektiv konkurrimi. Për këtë është me rëndësi të evidentohet se:

Është fakt që, Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe më pas të qeverisë, u investua me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e propozimit dhe miratimin e ligjit nr. 37, datë 05.07.2018, duke përzgjedhur me ligj bashkëpunimin me shoqërinë propozuese “Fusha” sh.p.k, si një nga pronarët e pasurive prone private në këtë zonë.

Gjithashtu është fakt i bërë publik, që në zonën e përcaktuar për realizimin e këtij projekti ndërmjet rrugëve “Abdi Toptani” dhe “Murat Toptani”, shoqëria propozuese “Fusha” sh.p.k. ka në pronësi pasuri të paluajtshme truall dhe ndërtesa.

Në këtë situatë faktike, ku shoqëria “Fusha”, shpk, rezulton pronare në zonën objekt zhvillimi, vendosja e këtij kushti nëpërmjet ligjit dhe mosparashikimi në ligj i rolit të shtetit si garant për një proces të hapur dhe transparent konkurimi, sjell si rezultat të vetëm realizimin e një procesi selektiv konkurimi në kushte aspak të barabarta.

Kjo sepse ligji i ri në fakt parashikon se çdo subjekt që dëshiron të konkurojë, është i detyruar që të lidhë, apo të ketë lidhur marrëveshje me pronarët e truallit, ku një prej tyre rezulton të jetë propozuesi i parë i këtij projekti, me të cilin Kuvendi me procedurë të përshpejtuar kishte përcaktuar për të bashkëpunuar me të, me trajtim preferencial nëpërmjet një ligji të veçantë, tashmë të rrëzuar.

Kuvendi nuk ka parashikuar asnjë zgjidhje për rolin garantues të shtetit në kushtet kur të drejtat e pronësisë private të një, apo disa pronarëve mund të diktojnë pjesëmarrjen në konkurim.

Konkretisht nuk është parashikuar në ligj, zgjidhja e një situate ku një palë private paraqet një propozim, shumë herë më të lartë për nga interesi ekonomik për shtetin dhe interesin publik, por nuk ka mundur të realizojë plotësisht apo pjesërisht marrëveshje bashkëpunimi me pronarët privatë të pasurive të paluajtshme që ndodhen në këtë zonë objekt zhvillimi.

Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces.

Për rrjedhojë, arrihet në bindjen se edhe kjo procedurë e re ligjore krijon pabarazi dhe cenim të veprimtarisë së lirë ekonomike dhe barazisë përpara ligjit.

Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore nuk mund të dekretohet me shpallje nga Presidenti i Republikës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas