Kryesore, Politika

Meta nuk i jep fjalën Ramës

rama dhe metaKuvendi ka miratuar dje me 81 vota pro dhe 3 kundër Buxhetin e Shtetit për vitin 2015. Por si në komisionet parlamentare edhe dje në seance, nuk kanë munguar debatet  jo vetëm mes dy forcave kryesore të mazhorancës, por edhe mes vetë socialistëve

Nga Fejzi Braushi



 

Kuvendi ka miratuar dje me 81 vota pro dhe 3 kundër Buxhetin e Shtetit për vitin 2015. Por ashtu si edhe në komisionet parlamentare, edhe dje në seancë debati nuk ka munguar jo vetëm mes dy forcave kryesore të mazhorancës, por edhe mes vetë socialistëve.

Në prani edhe të medias, kryetari i Kuvendit, Meta ka replikuar me kryeministrin Rama, ndërsa deputeti Fino ka debatuar ashpër me deputetët Erjon Braçe dhe Anastas Angjeli.

Për këtë debat ka mjaftuar një propozim i deputetit Fino për të bërë një ndryshim në pjesën e buxhetit të pushtetit vendor dhe pikërisht për të shtuar 4 vende pune në agjencinë që do krijohet për implementimin e reformës territoriale.

“Propozimi që ne kemi bërë në komision ka qenë për 12 punonjës, nga një për çdo qark, dhe jo 8 që janë përcaktuar”, – tha Fino.

Por ky propozim ka gjetur kundërshtimin e relatorit të komisionit të Ekonomisë si komision përgjegjës, Anastas Angjeli, i cili ka vlerësuar si të panevojshme një shtesë të tillë.

“Nga tri propozimet e zotit Fino mund të konsiderohet vetëm ai i emrit të agjencisë, ndërsa sa i përket numrit të agjentëve, ne jemi konsultuar me qeverinë dhe ajo ishte dakord që fillimisht të vendosen 8”, – tha Angjeli.

Në këtë debat ka ndërhyrë kryeministri Rama me shpresën se do t’i jepte zgjidhje, por që duket se i ka hedhur më shumë “benzinë zjarrit”.

Kjo pasi ai ka vlerësuar propozimin e Finos, por ia ka lënë komisionit të Ekonomisë të drejtën për ta pranuar ose jo.

“Nga pikëpamja jonë, nuk shikojmë asnjë problem në qoftë se komisioni i Ekonomisë e shikon të arsyeshme të shtojë dhe 4 punonjës, që lidhet me mbulimin e 12 qarqeve të Shqipërisë, dhe pse edhe ideja që të fillojë me një bërthamë më të vogël e më pas të shtrihet nuk është krejt e pajustifikueshme, por gjithsesi kjo i mbetet në vlerësim komisionit të Ekonomisë. Ai e ka fjalën e fundit”, – tha Rama.

Për këtë arsye, fjalën e ka marrë Braçe, i cili ka nisur të argumentojë se, përsa kohë zbatimi i reformës territoriale do nisë pas gjysmës së dytë të vitit 2014, është e panevojshme një agjenci me 12 persona.

Kaq ka mjaftuar që mes tij dhe deputetit tjetër Fino të nisë një debat i ashpër, ku nuk kanë mjaftuar as shpotitë lidhur me punën e komisioneve që ata përfaqësojnë.

Ndërhyrjet e Finos nga vendi kanë bërë që Braçe të ndërpresë fjalën dhe pas pak momentesh të lërë dhe sallën e Kuvendit në mënyrë demonstrative.

Ndërkohë që në krah të Braçes ka dalë kryetari i grupit, Ruçi, i cili ka theksuar se qëndrimi zyrtar i grupit është që të votojë konform propozimit të komisionit të Ekonomisë, pra kundër propozimit të Finos.

I gjendur përballë kësaj situate, kryetari i Kuvendit ka hedhur në votim propozimin e Finos, i cili veç votës së anëtarëve të komisionit të Ligjeve, ka gjetur edhe votën pro të kryeministrit Rama, të ministrit të Financave, Cani, të deputetëve Ben Blushi, Çuko, Kosta, si dhe të deputetëve të LSI-së. Ndërkohë që Meta, Ruçi e Balla kanë abstenuar dhe një pjesë e grupit të PS-së votuan kundër.

Në përfundim të këtij procesi Meta ka shpallur të miratuar propozimin e Finos, çka është kontestuar nga deputetët Balla dhe Dokle, të cilët kanë shprehur rezerva për numërimin e votave. Ndaj, kreu i Kuvendit ka deklaruar se votimi do përsëritej me elektronikë dhe për t’u lënë mundësi palëve të gjenin konsensus.

Pas rifillimit të seancës Ruçi ka deklaruar edhe një herë se propozimi i Finos nuk mund të hidhej në votim, pasi nuk ishte paraqitur proceduralisht në kohë. Kjo ka sjellë reagimin e Finos, i cili ka akuzuar Ruçin dhe Metën për truk, ndërsa ka shpallur fitoren për amendamentin e tij.

Fjalën në këtë situatë e ka kërkuar Rama, por që kryetari i Kuvendit ka refuzuar fillimisht t’ia japë, duke i treguar se për çështje të tilla procedurale fliste vetëm me kryetarin e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi.

“Unë për këtë, zoti Rama, komunikoj vetëm me kryetarin e grupit parlamentar, zotin Ruçi. Nëse doni pushim…? Kjo është çështje procedurale, nuk është çështje thelbësore”, – tha Meta.

Gjithsesi Rama e ka marrë fjalën, duke pranuar nga njëra anë që buxheti të mos ndryshonte, duke kënaqur kështu Braçen dhe nga ana tjetër, për të kënaqur Finon, ka premtuar se numri i inspektorëve të agjencisë së reformës territoriale do shtohej më pas. Ndërkohë që më parë LSI dhe PS janë ndarë edhe për çështjen e buxhetit të fasonëve, kjo pasi socialistët nuk kanë pranuar ta shtojnë atë në 5 milionë dollarë.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas