Kryesore, Politika

Meta në kampin e Tepelenës, nderon 4 ish-të persekutuar: Të vazhdojë lustracioni…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Kreu i Shtetit vlerësoi, duke dekoruar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatave dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore.



Presidenti tha se drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore dhe nxiti drejt kërkimit të së vërtetës, duke përmendur procedurat e lustracionit, për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e viktimave të komunizmit.

“Jemi sot në një ditë shumë të rëndësishme kujtese, por mbi të gjitha reflektimi.

Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare sjell ndërmend miliona njerëz që u bënë viktima të këtyre sistemeve, dhe kryesisht të burgosurit e kampeve të përqendrimit, kampeve të vdekjes, gulagëve, kampeve të punës, e burgjeve.
Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor”, tha Meta.

Ai u shpreh se kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.

“Ky kujtim gjithashtu mbështet dhe ushqen angazhimin tonë për të zhvilluar demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar shfaqjet e sotme të intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.

Vlerat e demokracisë qëndrojnë në principet themelore të saj si barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, dhe kjo e fundit është thelbësore për viktimat e sistemit totalitar”, theksoi Presidenti.

Ai deklaroi më tej se keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje.

“Pajtimi me të kaluarën mund të arrihet vetëm duke ndarë dhe duke promovuar të gjithë së bashku, kujtimet e heronjve që sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të besnikërisë ndaj idealeve të tyre, të drejtësisë, të lirisë dhe të së vërtetës!

Sepse disa nga këta heronj, po perifrazoj titullin e librit të At Zef Pllumit “Rrno vetëm për me tregue”, jetuan dhe jetojnë për të treguar tmerret e terrorit komunist dhe totalitarizmit. Tregojnë që ne të mos harrojmë! Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.

Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes”,- u shpreh Kreu i Shtetit.

Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore, tha më tej Presidenti. Sipas tij, kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.

“Dhe sot jemi së bashku në ish-kampin e Tepelenës pikërisht për të bërë këtë homazh, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, si personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare.

Znj. Gjelë Gjikola, znj. Mrikë Gjikola, dhe z. Lek Pervizi që janë sot këtu, por dhe kujtimi i znj. Drane Jakja janë disa nga figurat më frymëzuese që vlerësohen edhe sot këtu në Tepelenë, në vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të sakrificës dhe humanizmit të njerëzve të thjeshtë.

Jeta e tyre ka qenë një kalvar i gjatë dhimbjesh dhe vuajtjesh, por humanizmi, sakrifica dhe heroizmi i tyre duhet të bëhen shembuj frymëzimi veçanërsiht për brezat e rinj.

Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e jetës së fëmijës së saj. Por tre gratë, që nderojmë sot, u ngritën mbi dhimbjen dhe me sakritificë dhe vetmohim, pa marrë parasysh pasojat e rënda që mund t’u vinin kryen akte heroizmi e vetmohimi.

Dy prej tyre, znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola, varrosën vetë vajzat e tyre 3-vjeçare pranë kampit për t’i rigjetur, rizhvarrosur dhe për t’ju siguruar një vend prehjeje të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.
Znj. Drane Jakja varrosi dhe më pas zhvarrosi djalin e saj 2-vjeçar, duke e mbajtur për shtatë javë trupin e tij pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve”, rrëfeu një pjesë të historisë Presidenti.

“Ndërkohë që z. Lek Pervizi i ka bërë një shërbim të paçmueshëm historisë nëpërmjet dëshmive në formën e vizatimeve, të sjella deri në ditët e sotme. Duke përdorur thëngjill e laps, ai ka dokumentuar me saktësi figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij, të cilat i pamë në hyrje në kampit, shprehin gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie”,- tha Meta.

Ai tha se këta janë vetëm 4 nga shumë heroina e heronj që kanë vuajtur në këtë kamp famëkeq, që sot nderohen në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe kërkon paqësisht të jetojë të ardhmen.

“Për merita të veçanta civile, në kujtesën e kombit ata janë shembuj të vetëdijes qytetare, por dhe kombëtare për të ardhmen.
Nderim përjetë të gjithë disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë që dhanë jetën në emër të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor!”,- u shpreh Kreu i Shtetit

Në përfundim Presidenti i Republikës pasi falënderoi organizatorët për këtë iniciativë u shpreh se “Është detyra jonë që të ndriçojmë historinë tonë, me qetësi dhe drejtësi, në emër të forcimit të paqes sociale e të realizimit të një pajtimi kombëtar të vërtetë”.

“Kjo sakrificë e jashtëzakonshme duhet kujtuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos përsëritur drama dhe tragjedi të tilla për shoqërinë dhe për popullin tonë, për mos e ndarë më atë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe për të pasur gjithmonë parasysh atë që ka thënë Shën Nënë Terezës: ‘ne të gjithë i përkasim njëri-tjetrit’.

Faleminderit të gjithëve, për këtë iniciativë kaq kuptimplotë për të ndriçuar këtë vend dhe sidomos për këtë zgjidhje kaq të mençur, për të mbjellë filiza të rinj këtu në Tepelenë që na kujtojnë se këto sakrifica të jashtëzakonshme duhet t’i vëmë në shërbim të mbarë kombit për një të ardhme më të mirë dhe më të paqtë!”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas