Kryesore, Politika

Meta flet me Sekretarin e Vatikanit për dialogun Kosovë-Serbi

Në vijim të vizitës së tij në Selinë e Shenjtë, Presidenti Ilir Meta u takua sot me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Kreu i Shtetit shqipatar shprehu kënaqësinë e veçantë lidhur me vizitën në Vatikan dhe për audiencën e posaçme me Atin e Shenjtë, Papa Françesku, si dhe nënvizoi rëndësinë e madhe që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë.



Presidenti Meta vlerësoi ndihmesën e jashtëzakonshme që Selia e Shenjtë i ka dhënë Kishës katolike dhe besimtarëve katolikë shqiptarë të cilët, ashtu si besimtarët e tjerë gjetën heroikisht forca për të ruajtur në zemrat e tyre besimin ndonëse për gati gjysmë shekulli kanë qenë të privuar nga liria dhe e drejta për të ushtruar të lirë besimin fetar.

“Ne jemi të privilegjuar”, nënvizoi Presidenti Meta, “që në themel të historisë së lashtë të marrëdhënieve tona qëndrojnë personalitete që u përkasin jo vetëm dy shteteve, por gjithë njerëzimit. Papa Klementi XI, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Shenjtorja Nënë Terezë, Kardinali i Nderit At Ernest Troshani, 38 klerikët katolikë shqiptarë të lumturuar janë pjesë e historisë sonë, por edhe dëshmi e pakundërshtueshme e përkatësisë dhe vokacionit evropian të popullit shqiptar”, shtoi Presidenti Meta.

Duke u ndalur në trashëgiminë e bashkëjetesës së shkëlqyer fetare në Shqipëri dhe mes shqiptarëve, Presidenti Meta falënderoi Atin e Shenjtë për vlerësimin e veçantë ndaj këtij thesari kombëtar si model dhe shembull i vyer në nivel rajonal e global. “Bota sot ka nevojë për mesazhe të tilla bashkëjetese dhe harmonie”, theksoi Presidenti Meta.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vëmendje të veçantë zhvillimeve në rajonin e Ballkanit dhe ndanë mendimin se rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim, mirëkuptim dhe harmoni.

Duke shprehur mbështetjen për vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta nënvizoi se të gjithë mirëpresin një marrëveshje, me zbatimin e të cilës jo vetëm do të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve, por do të hidhen themelet e një paqeje, stabiliteti dhe sigurie në nivel rajonal duke ndihmuar jo vetëm të ardhmen evropiane të Serbisë e Kosovës, por të të gjithë rajonit.

“Popujt e rajonit tonë kanë vuajtur shumë nga konfliket etnike ndaj duhet të angazhohemi më shumë për forcimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërfetar në rajonin tonë,” – nënvizoi Presidenti Meta.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas