Kryesore, Politika

“Deri në ‘44, Hoxha s’njihej si komandant”

metaKreu i Kuvendit komenton zhvillimet politike dhe reformat e qeverisë. Ai vlerësoi pozitivisht vitin e parë të bashkëqeverisjes. Kryetari i LSI-së ka vlerësuar se reformat e qeverisë do kenë kosto elektorale, por të përkohshme

 



Pyetja ime është: a ju shqetësoi pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në këtë protestë?

Aspak. Duhet të ishim të shqetësuar në rast se nuk do të kishte pjesëmarrje, ose do të ishte një pjesëmarrje e kufizuar, sepse kjo do të tregonte se këtu çdo gjë shkon në mënyrë perfekte, e vështirë për t’u pranuar në çdo demokraci, sado e zhvilluar që të jetë ajo, ose që njerëzit këtu kanë frikë të dalin të protestojnë dhe të identifikohen, sepse ka kufizime të demokracisë. Fakti që opozita del të manifestojë, që ka edhe një pjesëmarrje të konsiderueshme, sikurse e thatë edhe ju, është një tregues pozitiv i asaj që demokracia funksionon dhe do të funksiononte edhe më mirë nëse opozita zërin e protestuesve do ta sillte drejtpërdrejt në parlament.

Kryetari i PD-së, zoti Basha tha se, nëse nuk përmbushet kontrata që qeveria ka me zgjedhësit e saj, ose largohet, ose rrëzohet. A keni një koment për këtë deklarim të kryetarit të PD-së gjatë protestës?

Sigurisht që e ka thënë shumë drejt, sepse kontratat bëhen çdo katër vjet, tashmë kjo është një traditë edhe në vendin tonë, si vend me një demokraci gjithnjë e më të  konsoliduar. Kështu që në vitin 2017 qytetarët do të shprehen me votën e tyre për të rinovuar kontratat me mazhorancën aktuale ose për të lidhur kontrata me opozitën e sotme. Deri atëherë secili ka të drejtë të kërkojë një përkrahje në rritje nga qytetarët dhe nga votuesit. Por në fund fare janë ata që do të vendosin, pra qytetarët.

Si do ta perifrazoni këtë periudhë qeverisjeje?

Gjithçka duhet të vendoset në dy plane: në raport me situatën përpara 14 muajve dhe në perspektivën e viteve që vijnë. Natyrisht në rast se do ta vendosim të gjithë bilancin e qeverisjes në raport me marrjen e përgjegjësive dhe në trashëgimin e qeverisjes, të treguesve makroekonomikë, të borxhit, të deficitit e të tjerë me radhë dhe në rast do ta vëmë edhe në planin e perspektivës, ku po shkon kjo qeveri me këtë trend qeverisjeje apo reformash, unë besoj se është një bilanc pozitiv. Në këta 14 muaj, besoj se kjo  qeveri është përpjekur të mbjellë sa më shumë për të korrur disa rezultate në  interes të vendit si  i tërë dhe të ekonomisë kombëtare si e  tërë dhe, së  dyti, në interes të qytetarëve dhe të  ekonomive të tyre familjare. Kështu që për mua janë më se të qarta arritjet e qeverisë deri tani, por sidomos traseja që  ajo ka shtruar për të  ardhmen, e cila do të jetë edhe më e efektshme për qytetarët.

Aksioni për energjinë elektrike. Përqendrohemi te shtresat që janë në nevojë dhe më pas shkojmë te reforma…

Këtu debati më i madh ka lindur në lidhje me ristrukturimin e çmimit dhe me heqjen e  fashës prej 300 kilovat/orësh, por unë besoj  se qeveria ka dhënë zgjidhjen për të gjitha familjet, të cilat jetojnë  me ndihmë ekonomike apo që përfitojnë ndihmë  ekonomike, familje të konsideruara në nevojë. Të gjitha këto do të kompensohen për diferencën në lek. Besoj se ky është një tregues i qartë i vëmendjes për të mbrojtur këtë shtresë. Ndërkohë hiqet mundësia  e manipulimit dhe e abuzimit me dy çmime që ka qenë një fenomen masiv deri tani. Kjo është një reformë, e cila rrit transparencën në të gjithë sistemin dhe që  mbron edhe shtresën në nevojë.

Ju jeni pro rritjes së çmimit të energjisë? LSI është pro?

Nuk kemi të bëjmë thjesht me rritje por me ristrukturim të çmimit. Sepse ka edhe kategori që përfitojnë nga ristrukturimi i çmimit. Kemi të bëjmë me një reformë jo thjesht me një rritje çmimi. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për çështjen e abuzimit me energjinë elektrike. Jam i bindur që asnjë veprim nuk ka ndodhur në mënyrë arbitrare.

Pyetja ishte kjo, a jemi në një situatë ekonomike të tillë, ku qytetarët  mund të përballojnë rritjen e çmimeve apo ristrukturim të çmimit, siç doni ta quani ju? Jemi duke folur gjithmonë për energjinë elektrike…

Për shtresën në nevojë kjo çështje është e zgjidhur. Ata do të kompensohen për diferencën. Janë 200 mijë familje që do të përfitojnë nga kjo gjë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, deri ditën e djeshme janë arrestuar 423 persona, 190 në kërkim, a e imagjinoni situatën në burgje? Gjithmonë për çështjen e energjisë.

Besoj se situata është shumë e qartë, nëse secili është në rregull, nuk ka  asnjë arrestim, nuk ka asnjë problem dhe nuk ka asnjë shqetësim. Të gjithë duhet të jenë të qartë se nuk mund të vazhdojnë të harxhojnë energjinë si biznese të mëdha  dhe të paguajnë sikur janë familje në ndihmë ekonomike. Kjo gjë nuk shkon, nuk ka logjikë, nuk ka sens. Jam i bindur se  asnjë veprim nuk ka ndodhur në mënyrë  arbitrare.

Dakord, zoti Meta, qëndrojmë te një aksion tjetër i qeverisë, prishja e ndërtimeve  të paligjshme. Opozita thotë se ai ka qenë selektiv, klientelist. Klientët e qeverisë janë kursyer. Sipas jush, a e ka humbur besueshmërinë ky proces? A ka qenë selektiv?

Nuk mund ta gjykoj këtë çështje, sepse nuk jam gjykatës. Kur ka kontradikta të tilla, ata shkojnë në gjykatë. Ajo që unë apeloj është të zbatohet ligji, dhe të zbatohet në mënyrë të barabartë për  të gjithë.

Zoti Meta, reformat janë të dhimbshme. Kështu tha edhe zoti Rama. Janë reforma  të dhimbshme edhe me kosto elektorale, megjithatë, sipas Kryeministrit, janë edhe të nevojshme. Ju mendoni se janë  aq të nevojshme sa të ketë edhe kosto elektorale, duke qenë se LSI-ja është një parti shumë elektorale dhe shumë pranë elektoratit?

Edhe  operacionet janë të dhimbshme, por janë të domosdoshme për të shpëtuar shëndetin apo për të kaluar në një gjendje më të mirë shëndetësore. Janë disa sëmundje të cilat nuk mundet të kurohen ndryshe, duhen edhe ilaçe të forta, pak edhe të hidhura.

Zoti Vasili ka thënë dje se fondi për fasonët ka qenë  5 milionë në buxhetin e kaluar dhe tani është 2,5 milionë, ndërkohë që fasonët janë një nga  fushat ku LSI-ja është investuar edhe politikisht, apo jo?

Padyshim,  është një nga sektorët  që ka kontribut ndër më të mëdhenjtë jo vetëm  për rritjen e punësimit, por edhe për rritjen e eksporteve. Në këtë vit në krahasim me vitin e kaluar janë rritur eksportet me 30%, prandaj ky sektor do të vazhdojë të ketë mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithë qeverisë.

Fakti që ishte 5 milionë fondi për masonët në buxhetin e kaluar dhe tani është 2,5 milionë, a e shqetëson LSI-në që është kaq pranë fasonëve?

Fakti që ka një debat, tregon një shqetësim dhe natyrisht që do të punojmë për të bërë më të mirën.

Do të doja një opinion shumë shkurt, një perifrazim, nuk e di, ndoshta dhe një batutë, në qoftë se ju vjen, për qeverisjen Rama, për ministrat e qeverisë.

Unë mendoj se qeveria ka treguar përkushtim për të realizuar reformat, për zbatimin e ligjit dhe ka një vizion të qartë për perspektivën.

A kemi një qeveri diletante? E them diletante, sepse jam duke perifrazuar kreun e grupit parlamentar socialist, zotin Ruçi. Nuk e di nëse ju keni nevojë, unë mund ta rishfaq artikulimin e tij, nëse ju kujtohet, ka qenë në parlament.

Unë mendoj se te zoti Ruçi si politikan me shumë eksperiencë, nuk duhet shkëputur asgjë nga konteksti ose shqetësimi që ai mund të ketë shprehur. Mendoj se disa vërejtje të tij ishin të drejta, por më shumë ato synonin për të motivuar ministrat që ta bëjnë edhe më mirë punën e tyre.

Ministra që sillen si kryeministra, nuk qeveriset me aksione. Cilat nga këto fraza të zotit Ruçi janë të drejta sipas jush?

Mendoj se zbatimi i ligjit do të jetë një aksion i pandërprerë, sidomos në fushën e energjisë.

Zoti Rama thotë se këto reforma kanë edhe kosto të mëdha elektorale. Me gjithë protagonizmin, do t’i linit zotit Rama dhe kostot?

Mendoj se kostot janë të përkohshme, sepse reformat janë të shëndetshme. Pra, kostot janë si puna e ilaçeve që thamë, që janë të hidhura kur i pi, por më vonë të bëjnë mirë. Kështu që edhe në këtë drejtim natyrisht që ka qytetarë të cilët për momentin mund të jenë të pakënaqur, por nesër me rezultatet ekonomike që priten dhe që do të shkojnë në interes përsëri të tyre padyshim që do të bëjnë një rivlerësim të këtyre politikave, të këtyre reformave. Por në fund të fundit unë mendoj se zbatimi i ligjit është një rrugë pa kthim, cilado që të jetë kostoja dhe kjo është në interes të vendit.

LSI-ja përfundimisht është pozicionuar me koalicionet e veta në të majtë apo është fluide kjo lloj zgjedhjeje? E shihni në të ardhmen tuaj të mundshme dhe në koalicione të tjera me të djathtën?  Zgjedhjet e 2015-s janë afër.

Këtë pyetje e shoh pa vend. LSI-ja dihet se është një forcë e majtë, një forcë progresiste, është një forcë e angazhuar për integrimin, jo thjesht integrimin evropian, por integrimin si filozofi, edhe shoqërore, sociale, ekonomike. Dhe LSI-ja është në vendin e saj, aq më tepër në këtë koalicion dhe nuk ka asnjë arsye për të menduar se çdo të ndodhë në të ardhmen, sepse besoj që e ardhmja është në rrugën e duhur.

Cilat janë raportet me zotin Rama?

Janë shumë konstruktive dhe bashkëpunuese.

A ka probleme brenda koalicionit?

Brenda koalicionit, varet se çdo të thotë probleme, sepse dhe brenda një force politike mund të ketë mendime të ndryshme, por absolutisht që ky është një koalicion shumë më i qëndrueshëm dhe funksional.

Cili është plani i Ilir Metës? Është presidenca  një target?

Së pari, unë as që nuk preferoj të prononcohem për çështje të cilat nuk e kanë kohën e duhur, sepse ne kemi një president i cili gëzon respektin tim të plotë dhe, së dyti, absolutisht kjo është një çështje e parëndësishme edhe për mua, edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, në kuptimin që për ne mbetet e rëndësishme të përmbushim sa më shumë nga angazhimet që ne kemi marrë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Pyeta pak më parë për problemet në koalicion, pasi janë dëgjuar edhe disa zëra të deputetëve socialistë të majtë që kanë atakuar ministra të qeverisë suaj apo duket sikur ka një lloj, nuk do të doja ta quaja selektive, por fakti, për shembull, që një drejtoreshë arsimore thuhet e propozuar nga LSI-ja, ndoshta nuk është, nuk e di, do të doja të ma thoshit ju, po apo jo, është arrestuar për korrupsion. Janë përfolur disa emra të tjerë për ngjarjet …

Jo 1, por edhe 100 të arrestojnë për korrupsion, absolutisht nuk ka asnjë shqetësim dhe nuk ka asnjë problem në koalicion, sepse çdo punonjës, çdo drejtues duhet ta ketë të qartë se detyra e parë dhe e fundit është zbatimi i ligjit, dhe për më tepër nuk duhet të përfshihet në afera të ndryshme dhe akoma më shumë në shfaqje të tilla të shëmtuara, të neveritshme për të kërkuar ryshfete për vende pune. Kjo është një gjë e shëmtuar që meriton ndëshkim maksimal, maksimal, ndaj cilitdo, pavarësisht se çfarë përkatësie politike mund të ketë pasur apo mund të ketë edhe në të ardhmen dhe çfarë niveli mund të ketë.

Pak ditë më parë në komisionet parlamentare, në praninë e tij në komisionet parlamentare Llalla ka deklaruar se ka disa ministra dhe ish-ministra që janë nën hetim. Ju keni siguri që ministrat apo ish-ministra të LSI-së janë imun ndaj këtyre lloj hetimeve?

Unë nuk kam asnjë merak dhe asnjë shqetësim për këtë gjë, pasi porosia e parë që unë i kam dhënë çdo ministri dhe çdo personi nga LSI-ja që merr një detyrë të caktuar, dhe natyrisht që kjo është edhe porosia e LSI-së si parti, është zbatimi i ligjit dhe vetëm zbatimi i ligjit. Kështu që nuk kemi asnjë merak për asnjë person në rast se ekzistojnë persona të cilët shkelin ligjin.

A i përmbush Buxheti prioritetet e programit tuaj, programit të LSI-së e kam fjalën?

Çdo buxhet ka mangësitë e tij. Edhe një buxhet më i favorshëm do të kishte mangësitë e veta, por unë mendoj që është një buxhet optimal, sepse për herë të parë Shqipëria pas katër-pesë vjetësh, jo vetëm e stabilizon borxhin publik, por edhe fillon dhe e ul atë.

Pra, është buxheti i duhur për ju, edhe pse edhe deputetë të LSI-së e kanë atakuar, e kanë kritikuar.

Ky buxhet varet nga këndvështrimi sesi e shikon. Kushdo ka mundësi…

Investimet janë ulur, taksat janë rritur, nuk rriten pagat, nuk rriten pensionet.

Gjithçka është relative, pasi e theksoj edhe një herë tjetër, është shumë e rëndësishme cilësia e investimeve, pra investime të cilat ndikojnë në rritjen ekonomike në të ardhmen dhe jo investime të cilat thjesht përfaqësojnë harxhimin e fondeve dhe një bllokim të tyre, për të mos thënë diçka tjetër. Edhe brenda mazhorancës ka pasur vërejtje, siç thatë ju, ka pasur kritika dhe këto janë shumë normale. Mendoj se debati është i shëndetshëm dhe tregon përgjegjshmëri…

Ka një lloj perceptimi sikur prania e FMN-së i detyron këto masa shtrënguese të qeverisë shqiptare. A është e vërtetë?

Masat shtrënguese, siç i quajtët ju, apo këto reforma strukturore, nuk vijnë nga FMN-ja, por vijnë nga situata e trashëguar makro-ekonomike dhe financiare, e cila po dilte jashtë kontrollit, prandaj u thirr FMN-ja. FMN-ja është si të thërrasësh doktorin në shtëpi. Doktori sjell me vete ilaçe, nuk sjell llokume.

A duhet të ketë një hetim, në mendimin tuaj, edhe për gjykatësit që kanë dhënë këtë masë për Xhuvanin në gjykimin precedent?

Përderisa ka dyshime, si këto që ngrini ju, patjetër që mund të ketë dhe duhet ketë.

Ju keni plotësuar disa kërkesa por opozita kërkon marrëveshje me garanci ndërkombëtare…

Nuk po e kuptojmë çfarë kërkon por çdo kërkesë që ata të kenë ta drejtojnë në mënyrë institucionale dhe do merret parasysh.

Pritet një vendimmarrje e presidentit për guvernatorin e ri, do të votoni çdo emër që vjen prej tij? Varet nga emri procesi apo është thjesht procesi që do ketë rëndësi?

Një proces i mirë sjell edhe një emër përfaqësues. Lidhur me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës po vazhdon procedura normalisht.

Opozita deri tani thotë se nuk mund të ketë zgjedhje me këtë ndarje të re territoriale, a mund të kryen zgjedhje me këtë frymë konfliktualiteti?

Opozita asnjëherë nuk dha asnjë alternativë. Opozita ka hyrë në një qorrsokak, jo për mungesë të hapësirave të ofruara nga ana e mazhorancës. Zgjedhjet do të zhvillohen në kohën e duhur. Çdo ide tjetër konstruktive është e mirëpritur.

Sipas ligjit, nëse deputeti mungon 6 muaj, i digjet mandati; çfarë ndodh nëse grupi i opozitës nuk vjen në Kuvend?

Nuk besoj se jemi në këto kushte. Janë mandate që i takojnë opozitës. Shpresojmë që ata të kthehen në parlament. Është në interes të tyre dhe të vendit. Besojmë që duan të marrin përgjegjësi për të ardhmen e vendit për më tepër që kanë kritikuar bojkotin në të kaluarën.

A duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, a do bëni rifreskim të kabinetit?

Është një pyetje që i takon kryeministrit të japë përgjigje. Të gjithë kanë mundësinë dhe detyrimin për të bërë më shumë përfshirë edhe deputetët dhe kryetarin e Kuvendit.

Do ketë freskim nga ministrat?

Nëse freskim kemi të bëjmë vetëm me ndryshimet e njerëzve mendoj se kemi të bëjmë me një koncept të ngushtë.

Enver Hoxha, një argument delikat por edhe aq i mirë për marketingun. LSI është iniciatore e kremtimit me vëmendje më të madhe të 70-vjetorit të Çlirimit. Duket sikur ka në sfond një tendencë për rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës…

Nuk është e vërtetë. Enveristët dhe anti-enveristët duket se janë bashkëpunëtorë të njëri-tjetrit për të pasur një protagonizëm artificial. Më erdhi për të qeshur se kam ndjekur shumë debate dhe prononcime qesharake për këtë çështje. Nuk e identifikojmë luftën antifashiste me Enver Hoxhën, kjo luftë nuk ka nisur me Enver Hoxhën. Kjo luftë është zhvilluar shumë më parë se Enver Hoxha të merrte frenat e Partisë Komuniste. Para tij ka qenë Spiro Moisiu, një ushtarak karriere. Përpjekja e disa grupeve nostalgjike, se provokatorë është pak si tepër, sepse veprimi që ata bëjnë nuk e lartëson figurën e Enver Hoxhës. Është një ngjarje madhore se e kam bindje se pa 29 Nëntorin e 1944 nuk do kishim mundësinë të festonim as 28 Nëntorin e 1912. Lufta antifashiste shpëtoi vendin tonë nga copëtimi dhe mosekzistenca.

A mund të diskutojmë mbi faktin tjetër që ju i quajtët provokatorë? Të iniciuar nga kush?

Dikush më thoshte që mos i keni nxitur ju. Kam 20 vjet që bëj festime në Skrapar, zona ime elektorale. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të dalë një portret i Enver Hoxhës në festë. Jo se s’ka atje enveristë, por sepse mendoj që e kuptojnë që në një festë duhet të gjithë të respektojnë disa gjëra të përbashkëta. Enver Hoxha është një figurë që i ndan shqiptarët, nuk është një figurë që i bashkon. Nuk është një figurë që duhet të identifikohet me luftën antifashiste. Jemi këtu për të vlerësuar përpjekjen mbarëpopullore dhe kjo gjë nuk duhet të cenohet nga qëndrimi për këtë figurë. Këta elementë që nxjerrin foton një në aktivitet ku nuk janë të ftuar duke bërë një provokim të tillë, shfrytëzohen nga ata që nuk kanë ndonjë problem të madh me Enverin.

Ju distancoheni qartë në këtë riinterpretim të figurës së Enver Hoxhës?

Distancohem nga identifikimi i Enver Hoxhës me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Enver Hoxha është bërë një figurë e njohur në fund të luftës ose pas luftës. Ajo që mbetet vendimtare të zhveshim luftën antifashiste nga identifikimi me një individ dhe aq më tepër Enver Hoxhën.

 Eni Vasili, “Studio e Hapur”

PasPara

1 koment

  1. SHQIPERIA NUK DO TE ISHTE NJOHUR PA LUFTEN N CLIRIMTARE ..HA HA HA ME KUJTON ATO PERRALLAT ME GOGOLA QE TE MEDHEJTE I TREGONIN PER TI BERE ME FRIKE FEMIJET …SHQIPERI U NJOH QE NE 1912 .. NE 1918 FRANCA RUSIA GREKU SERBI E NDANE ..NA VODHEN TOKAT POR NUK NA ZHDUKEN FARE …. PRANDAJ ILIR META MESOJE LIRE HISTORINE … CFARE TE MIRASH PA POPULLI NGA L N CLIRIMTARE ..ASGJE PERCARJE VELLAVRASJE … VUAJTJE ..MJERIM.. DHE TURP … ENVERI NA BERI ME TURP ..KOMUNIZMI NA LA NJE VEND TE PRAPAMBETUR TE VARFER TE MBYLLUR ..KUR E IMAGJINOJ SE NE BOTE NUK KA ASNJE LIGJ PER TE FUTUR NE BURG PER NJE FJALE GOJE . DHE NE SHQIPERI TE MASAKRONIN …KUR E GJITHE BOTA I KISHTE KUFIJTE E LIRA MENDIMET E LIRA …KOMUNISTAT BLLOKONIN CDO MENDIM DEMOKRAT LIBERAL ..NUK ISHTE VETEM ENVERI I CMENDUR ..POR EDHE TE TJERET QE E MBRONIN ..QE E JA MBASHTESNIN MENDIMET … ILIR META PASKA NDRYSHUAR PAK … POR TE DUHET AKOMA PER TE STUDIUAR DEMOKRACINE . META A DONC NIVEAUX INTELLECTUALLE EQUIVALENT A SON NIVEAUX …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas