Dikur, Kryesore

Meksi ‘rrëfehet’ mbi anglo- amerikanët

anglo- amerikanetBisedë me studentët në UET, Aleksandër Meksi tregon kujtimet e tij për anglo-amerikanët në Shqipëri pas luftës 

 



Një foto mund të thotë shumë herë më shumë se sa kemi menduar më parë. Sfida për të interpretuar një foto nga pikëpamja historike dhe për të sjellë vetëm nëpërmjet një imazhi gjithë skenën politike të një momenti historik të një vendi është e madhe, por jo e pamundur. Pedagogia Irena Myzeqari, e cila jep lëndën e Shkrimit Akademik në Universitetin Europian të Tiranës, i vuri dje studentët e saj në një sfidë të tillë.

Frymëzim për ta u bë Foto-ekspozita nga Lufta e Dytë Botërore me temë “Kontributi i anglo-amerikanëve për Shqipërinë në vitet 1943-1946”, që është e hapur në ambientet e UET-it nën kujdesin e gazetarit Dashnor Kaloçi. Studentë të vitit të parë të Shkencave Politike dhe të Marrëdhënieve  me Publikun-Komunikim tentuan të bëjnë një interpretim të historisë nëpërmjet këtyre fotove të rralla, pak ose fare të panjohura për publikun shqiptar.

Kjo orë mësimi e realizuar në ambientet e një ekspozite kaq interesante do të bëhej akoma më interesante nga prania e rastësishme e ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, i cili u përfshi në bisedë me studentët, duke sjellë dhe kujtime nga fëmijëria e tij mbi kohën kur anglo-amerikanët ishin të pranishëm në Tiranë me misionet e tyre humanitare.

“Ishte një orë mësimi ndryshe, ku studentët po mësonin për interpretimin e imazheve, i ndava në grupe duke u caktuar disa foto secilit grup. Sfida e tyre ishte që të interpretonin foton dhe të sillnin përfytyrimin e tyre mbi atë kohë nëpërmjet interpretimit të veshjeve, fytyrave. Synimi ishte të mësonin sesi mund të risjellim historinë nëpërmjet imazhit”, – tha për gazetën “MAPO” pedagogia Myzeqari. Ajo shton se prania e zotit Meksi aty ishte një vlerë e shtuar për këtë orë të hapur, duke e kthyer atë në një bisedë të lirshme me studentët dhe duke përfituar nga vlerësimet dhe kritikat e vyera të zotit Meksi.

Ish-kryeministri Meksi kishte preferuar të shihte ekspozitën një ditë pas ceremonisë së hapjes së saj, në qetësi, pa zhurmën dhe pjesëmarrjen e madhe që karakterizon zakonisht këto ceremoni, por e vlerëson si shumë interesante përfshirjen e tij në këtë orë mësimi duke vlerësuar mënyrën e organizimit të mësimdhënies.

Meksi u tha studentëve se “një foto është një fakt historik dhe historia bëhet mbi fakte  konkrete, siç janë në këtë rast fotot dhe dokumentet, nuk bëhet mbi interpretime”. Por ai ka më shumë për t’u dhënë studentëve, që t’ua bëjë më të gjallë përfytyrimin për atë kohë dhe për të vërtetën e qëndrimit të anglo-amerikanëve në Shqipëri, ka kujtimet e tij të fëmijërisë.

“Mbaj mend bombardimet e forcave aleate në Tiranë, kam qenë i sëmurë dhe nuk arrita dot të lëvizja nga krevati për të shkuar në bodrum, por bombardimet  i kam parë nga dritarja… fati e deshi që nuk ra një bombë në shtëpinë tonë”, – tregoi ndër të tjera Meksi. Ndërkohë për të është e gjallë në kujtesë ndërtesa e misionit të aleatëve anglo-amerikanë në Tiranë, diku ku ndodhet sot Pallati i Kongreseve, ku ishte dhe flamuri i misionit të UNHRA-s deri në fund të vitit 1946, kur regjimi i Enver Hoxhës i përzuri nga vendi. Por Meksi kujton se, pavarësisht se britanikët dhe amerikanët u larguan nga vendi dhe për ndihmat e tyre humanitare dolën lloj-lloj legjendash të tipit “që ata hidhnin një thes me këpucë, po në të kishte vetëm nga një këpucë dhe ishin të gjitha të majta”, ndihmat e tyre në veshmbathje dhe ushqime vazhduan të shpërndaheshin nëpër shkolla deri në vitet ’50. Madje ai kujton margarinën “imperialiste” që shqiptarët e kishin përkthyer “gjalpë druri”.

“Shumë gjëra nga historia keqkuptohen sepse s’ka informacion të saktë, por nëse nuk flasim për të shkuarën, nuk mund të ndërtojmë të ardhmen”, – u tha ai ndër të tjera studentëve.

Fotot e sjella në këtë ekspozitë i kanë rezistuar ndërkohë pluhurit të harresës së një gjysmë-shekulli diktaturë. Shumë prej këtyre fotove janë të njohura për publikun, por ato kanë qenë të retushuara, në vend të ushtarakëve britanikë në foto, apo në vend të “armiqve” të sistemit, që ishin internuar apo pushkatuar, vendosej ndonjë pemë, ose ndonjë ndërtesë, ose bëhej e zezë. “Në Institutin e Historisë kishim një shok fotograf, i cili shkonte shpesh tek arshiva e shtetit dhe më vonë e morëm vesh se pse shkonte; njerëzit që deklaroheshin armiq të popullit, ai i retushonte nga fotot zyrtare dhe në vend të tyre në foto vinte një pemë ose një ndërtesë. Kur e morëm vesh këtë, ne e pyesnim me shaka kur kthehej: a mblodhe ndonjë pemë sot?”, – tregoi ndër të tjera Meksi.

 

PasPara

1 koment

  1. Shume fakte ishin “harruar” nga kujtesa enveriste. Persa shkruhet me siper, me kane mbetur ne mendje disa foto te publikuara nga Konsullata Polake ne Bratisllave te Sllovakise ne vitin 1958. Aty per cudine time paraqiteshin aeroplana britanike te komanduara nga pilota Polake duke bombarduar forcat gjermane gjate rruges Elbasan Tirane me 1944. Megjithese ishim miq me Polonine ne ate kohe , na mohohej e drejta per nohuri te tilla antikomuniste.
    Dhe me e “bukura” me ka ndodhur ne vitin 1989. Nga dhoma e Tregetise isha ftuar per te shoqeruar nje delegacion te Dhomes se Tregetise se Cekosllovakise. Kur po vizitonim Museun Kombetar, njeri nga Ceket, duke veshtruar fotot e shpalosura, mbante mende se me pare kishim Mbret, me pyeti nese ka ketu ne Museum ndonje fotografi te atije. I perktheva shoqeruesit te museut kerkesen e Cekut. Ai I habitur shume nga pyetja me tha se do te pyes drejtorin e museut ne se ka ndonje fotografi te Zogut ne arshiva. Mbas nja 10 minutash u kethye dhe me tha se “fatekeqesisht” asnje foto e Mbretit Zog nuk ekzistonte as ne arshivat e
    “Museut kombetar”??!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas