Kryesore

Meidani e Brokaj kthehen në PS


Fejzi Braushi



Politika e hapjes së partisë nga Edi Rama duket se ka dhënë efektet e para konkrete. Ish-presidenti Rexhep Meidani, Sabit Brokaj dhe Bashkim Zeneli, figura të njohura të së majtës, janë kthyer në selinë rozë, pas një periudhe marrëdhëniesh ose konfliktuale ose në rastin më të keq si kundërshtarë politikë. Kjo pasi ata kanë marrë pjesë dje në takimin e parë të Këshillit Politik ose siç njihet ndryshe Këshilli i të Urtëve, i krijuar nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, gati dy muaj më parë, ku përveç tyre bëjnë pjesë edhe Pandeli Majko, Maqo Lakrori, Gramoz Ruçi, Arta Dade, Namik Dokle, Luan Hajdaraga, Ethem Ruka dhe Servet Pëllumbi. Takim ky që ka shërbyer vetëm për konstituimin e këtij këshilli, i cili ka vendosur që të mblidhet një herë në muaj si zakonisht, dhe që do të shërbejë edhe si një strukturë konsultuese dhe këshilluese e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Takimi

Partia Socialiste ka mbledhur këtë të premte Këshillin e të Urtëve, një strukturë kjo e përbërë nga socialistët e hershëm, themeluesit e ish-zyrtarët e lartë të PS. Në takimin e parë me kryesocialistin Rama kanë marrë pjesë thuajse të gjithë anëtarët e miratuar nga Asambleja, me përjashtim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili ishte i pamundur për shkak të problemeve me shëndetin. Ftesës së kryesocialistit Edi Rama i është përgjigjur edhe ish-presidenti Meidani, me të cilin kohët e fundit ka patur përplasje parimore për një sërë çështjesh, përfshi këtu edhe programin politik që u miratua në kongresin e fundit. Pavarësisht replikave që nuk kanë munguar as në publik, mësohet se kjo lloj marrëdhënie nuk ka ndikuar aspak në përballjen e tyre të djeshme. Megjithëse në mbledhje është rënë dakord që në lidhje me këto takime të mos ketë komunikim me mediat, burime pranë saj kanë bërë të ditur se takimi i djeshëm ka shërbyer më shumë për konstituimin e këshillit dhe për të njohur anëtarët e tij me misionin e kësaj strukture të re. Ndërkohë që vetë Meidani mësohet se është shprehur i gatshëm për t’u angazhuar dhe kontribuar për të realizuar qëllimin për të cilin është ngritur ky këshill. Gjithashtu, bëhet e ditur se një pjesë e anëtarëve të tij kanë falënderuar Ramën për këtë angazhim, duke konsideruar atë si një vlerësim.

Rama

Në fjalën tij kreu socialist, siç bën të ditur zyra e shtypit, ka falënderuar anëtarët e këtij këshilli për pjesëmarrjen dhe u ka bërë të ditur atyre se ai nuk do të jetë një këshill thjesht honorifik, por do ketë një rol tepër të deciziv në përcaktimin e qëndrimeve të PS-së për çështje konkrete. “Efikasiteti dhe produktiviteti i kësaj tryeze është i lidhur drejtpërdrejt edhe me kontributin e secilit, por unë nga ana ime jam i bindur që kjo tryezë është një vlerë e shtuar në gjithë përpjekjen për t’i dhënë familjes sonë politike sa më shumë kontribute në aspektin e diskutimit mbi strategjinë, mbi ecurinë hap pas hapi të ballafaqimit politik dhe sigurisht edhe mbi kohezionin që duhet krijuar medoemos midis gjithë faktorëve e aktorëve brenda kësaj familjeje të madhe. Ky nuk do të jetë një forum honorifik, por një bërthamë e rëndësishme dhe influente në vendimmarrjen e Partisë Socialiste. Kjo do të jetë një tryezë e hapur për të pasur prezent edhe protagonistë të tjerë të jetës dhe të punës së partisë, sipas rasteve dhe sipas nevojave që mund të nxjerrë periudha në vijim, duke e kthyer në një tryezë diskutimi për të marrë të gjitha sugjerimet, idetë, këshillat në raport me çështje apo momente të caktuara të jetës politike. Ne kemi filluar një proces të rëndësishëm me programin e ri të Partisë Socialiste. Kemi vendosur në Asamblenë e fundit që të çelim një rrugë të Programit për të komunikuar intensivisht në këtë fazë tezat e tij dhe për të marrë sa më shumë mbrapsht nga njerëzit, nga komunitetet, nga grupet e interesit, reagime, vërejtje, sugjerime dhe për t’i përfshirë ata, në mënyrë që ta bëjmë programin realist, të plotë dhe sa më pranë tyre, duke e kthyer atë në një pronësi të sa më shumë njerëzve. Edhe në këtë aspekt kjo tryezë do të përfshihet qoftë për të marrë informacion lidhur me ecurinë e punës me Programin, qoftë për të dhënë ide dhe sugjerime për Programin”, – tha Rama. Këshilli Politik do të mblidhet një herë në muaj, si dhe për çështje të veçanta. Gjithashtu është vendosur unanimisht që nga mbledhjet e tij nuk do të ketë njoftime për shtypin.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas