Kryesore, Op Ed

Media shqiptare i duhet këndi i gazetave ideologjike, e përditshmja liberale MAPO aq më tepër

Nga Enton Palushi

Kryeredaktori i gazetës Mapo shpjegon se përse të jesh një media liberale nuk është një mision që bie ndesh me gazetarinë. Rasti i revistës “The Economist”, që për dy shekuj vazhdon betejën e saj me këtë parim, sidomos në këto vite të trazuara për demokracinë liberale dhe një letër që nuk duhet humbur



Para rreth një viti, një letër e shkruar në revistën e njohur britanike, “Spectator”, u bë virale në rrjet. Autori, James Bartholomew, i shkruante nipit të tij, një djalosh i ri që mbështeste liderin laburist, Jeremy Corbyn.
“Të rinjve duhet t’ua kujtojmë se çfarë do të thotë socializëm kur vihet në realitet”, shkruante Bartholomew. Rasti i Venezuelës ishte një ilustrim shumë i mirë i asaj që ndodh kur në vend aplikohen politikat socialiste. Një nga vendet më të pasura në botë dikur, brenda pak dekadash u katandis në një nga krizat më të thella, ku miliona njerëz nuk sigurojnë dot as bukën e përditshme. Për të ilustruar ndryshimin e madh që sjellin politikat liberale, Bartholomew sjell shembullin e Hong Kongut.

“Natyrisht mund të votosh për kë të duash dhe nuk është puna ime. Por po marr përsipër rrezikun që të të irritoj për shkak se do doja të të tregoj se përse nuk votova për Corbyn.

Supozoj se mund të të duket si një histori e lashtë, por jam politizuar në fillim të viteve ’80. Në atë kohë nisa një punë në Hong Kong, në atë kohë një vend i varfër, një provincë e vogël dhe e rrënuar e Perandorisë Britanike.

Megjithatë, mijëra refugjatë të varfër rrezikonin jetën duke kaluar nga Kina komuniste për aty. Qëndrova për disa net në një qytet të mbaruar, pa kanalizime dhe që qelbej era jashtëqitje njerëzore.

Hong Kongu ishte një vend i pazakontë në shumë mënyra, por politikat ekonomike ishin të jashtëzakonshme në krahasim me shumë vende të tjera. Niveli më i lartë i taksës së të ardhurave ishte 15 për qind dhe nuk kishte taksë mbi fitimet. Për shkak të disa aksidenteve historike, roli i qeverisë ishte minimal. Hong Kongu ofronte marrëdhënie të tregtisë së lirë me këdo. Kishte tarifa zero mbi importet. Ishte thuajse gjëja më e afërt e një kapitalizmi të pastër në botë. Rezultati? Një ekonomi që rritej me shpejtësi marramendëse. Rritja me 6 për qind në vit ishte normale. Çdokush mund të niste një biznes dhe të kishte shans për sukses. Vendi gjallonte nga fryma e sipërmarrjes.

Kam takuar një ekonomist atje që më pati thënë se me këtë nivel rritje, të ardhurat e Hong Kongut do e kalonin Britaninë në vitin 1990. Më dukej absurde. Britania kishte pas vetes shekuj të tërë zhvillimi ekonomik. Hong Kongu ishte vetëm një shkëmb shterpë me një shumicë refugjatësh. Por e tillë ishte shkalla e shkëlqyer e rritjes e gjeneruar nga kapitalizmi, sa miku im u tregua i saktë. Në vitin 1990, Hong Kongu u bë vërtet më i pasur se Britania për të ardhura për frymë.

Pas largimit nga Hong Kongu, pata një ndalesë të shkurtër në Tokio dhe më pas u ktheva në Britani me tren, duke udhëtuar përmes Kinës, Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë. Të gjitha ishin vende komuniste dhe shenjat e stanjacionit ekonomik dhe të dështimit ishin të dukshme. Në Kinë pashë një fermer që tërhiqte karrocën me duar. Nuk e përballonte dot të blinte një kalë. Në Irkutsk të Siberisë ndalova për të blerë fruta, por pas kërkimit në mbarë qytetin, mezi gjeta dy limona pa lëng. Bashkimi Sovjetik ishte kaq i varfër, sa më këshilluan që të marr me vete paketa cigaresh Kent, pasi ishin si një monedhë jozyrtare. E bëra dhe pashë se i trajtonin si monedha ari.

Në Rumani, ndriçimi gjatë natës ishte kaq i ulët, pasi vendi nuk e përballonte dot energjinë elektrike. Aty gjeta një supermarket me një raft të madh ku nuk kishte asgjë përveç disa konservave”, shkruan ai.

***

Prej kohësh, gazeta Mapo e ka vendosur mbi logon e saj një mbishkrim të shkurtër: “E përditshme liberale”. Për disa mund të duket si një provokim. Por rasti në fjalë nuk është as i ri, as provokim dhe as cenim. Një nga mediat më të mëdha në botë sot, revista “The Economist”, lindi këtu e rreth dy shekuj më parë me një qëllim që sot mund të duket i pazakontë. Ajo kundërshtoi ato që njihen si ‘Ligjet e drithit’, të miratuara në vitin 1815. Bëhet fjalë për disa tarifa të vendosura mbi ushqimin dhe drithin e importuar në Britani. Qëllimi i ‘Ligjeve të drithit’ ishte që të mbanin çmimet e drithërave sa më lart, për të favorizuar prodhimin e brendshëm. Një hap i tillë e bënte thuajse të pamundur për të importuar drithë nga jashtë, edhe kur mungonte ushqimi në vend.

Ajo që pasoi ishte fillimisht zija e bukës irlandeze, që detyroi miratimin e një rezolute. Presioni i madh sidomos nga grupet urbane, të udhëhequra nga revista “The Economist”, bëri që ligji të tërhiqej. Historianët thonë se ky ishte hapi deciziv që e dërgoi Britaninë e Madhe drejt rrugës së tregtisë së lirë.

Edhe sot e kësaj dite, revista e njohur e thotë me krenari se janë një media liberale, madje së fundmi publikuan një manifest të zgjeruar në mbrojtje të liberalizmit. Kjo nuk e bën atë një media që merret vetëm me një ide, pasi në revistë nuk mungojnë raportimet, debatet, provokimet, investigimet e analizat brilante. Por qëllimi i saj mbetet fisnik, sidomos në ditët e sotme, kur demokracia liberale është e kërcënuar, siç tregon manifesti i fundit.

I tillë është edhe misioni i gazetës Mapo, të jetë një e përditshme në mbrojtje të liberalizmit, taksave të ulëta, qeverisë së vogël etj. Kjo nuk e bën atë një gazetë që ka humbur funksionet e tjera, sidomos tashmë që ka një version online aktiv. Por është fakt se në mesin e debatit nëse do të bëhet ndonjëherë Shqipëria apo jo, rasti i Hong Kongut mund të na shërbejë si një udhërrëfyes. Kjo e gazetës Mapo nuk është një sfidë e lehtë, por një përpjekje sado e vogël për një të mirë të madhe. Sidomos në kohën kur besimi te politika ka rënë ndjeshëm, kur debatet thuajse janë shterpë dhe kur nostalgjia për diktaturën dhe Enver Hoxhën nuk po shkakton ‘Tërmet’ askund. Ndaj për ta mbyllur me një thirrje alla-Economist: Liberalë të të gjithë vendit, bashkohuni!

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas