Arkiva 2

Media e lirë dhe opozita, në të njëjtin mision në shërbim të vendit

Ndërsa po rishikoja numrin e parë të gazetës RD, e cila ruhet me fanatizëm në shtëpinë e prindërve1517595_668001596584358_1972407435_n të mi, më tërhoqi vëmendjen editoriali që tashmë është bërë i njohur në faqen e parë, “Fjala e parë”, ku ndër të tjera citohet ajo që u tha këtu praktikisht nga çdo parafolës, se, “Rilindja Demokratike ka marrë për detyrë të thotë fjalën e vërtetë”.

Deri në mëngjesin e 5 janarit 1991, për atë fjalë të vërtetë kishin përfunduar në burgje, internime madje para togës së pushkatimit apo në litar, me qindra dhe mijëra burra dhe gra të këtij vendi. Por falë Zotit, më 5 Janar 1991 ato kohë ishin e shkuara dhe RD ishte themeli i lirisë së medias, ishte mjeti me të cilin po përçohej anembanë vendit era e re që po frynte për shqiptarët.



U fol këtu për radhët proverbiale për të blerë ushqimet e racionuara, gjithnjë e më të pakta për shkak të varfërisë së kohës, dhe faktit se këtyre radhëve iu shtua papritur një radhë e re, më e gjata, më e pashembullta në historinë e vendit: radha për të blerë Rilindjen Demokratike, e para gazetë antikomuniste që po shihte dritën e botimit pas një periudhe gjysmëshekullore të një media-altoparlanti për partinë-shtet, instrument i propagandës dhe trushpërlarjes totalitare.

Pra, ishte një paradoks i bukur radha për “Rilindjen demokratike”, që në fakt siç e tha edhe Preçi, ishte radha për t’i dhënë fund çdo radhe, radha më e bukur e njerëzve të etur për liri, për fjalën e lirë, për shprehjen e lirë, për mendimin e lirë, për të vërtetën, për pikëpamjen tjetër, për këndvështrimin tjetër, të njerëzve të çliruar nga propaganda dhe dogmatizmi.

Në ato kohë isha gjimnazist por nuk e harroj kurrë atmosferën e elektrizuar të kureshtjes, shpresës, dhe rilindjes reale që krijoi në Tiranë dalja e numrave të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”.

Botimi i “RD”-së më 5 Janar 1991 plotësoi një kuadër, një kuadër ngjarjesh të mëdha që rrodhën njëra pas tjetrës me shpejtësi befasuese; Lëvizja studentore, fitorja e pluralizmit, themelimi i Partisë Demokratike, dhe dalja e gazetës së parë të lirë.

Mund të imagjinojmë sot ose mund të marrim dëshmitë e protagonistëve për vështirësitë e mëdha që hasi kjo gazetë, si nga ana materiale, por edhe për arsye të tjera jo materiale që kishin të bënin me natyrën e medias, me stereotipet që ishin krijuar në 50 vite, rendin e ngurtësuar të gjërave, që duhet të thyenin e shkallmonin pionierët e Rilindjes Demokratike.

Por ata ia dolën, botuesit, gazetarët, bashkëpunëtorët, Partia Demokratike. Të gjithë së bashku, elitë e kurajës, elitë e kulturës, elitë e mendimit të lirë politik, krijuan një gazetë të re, një media të re, që është e shënuar të mbetet përgjithmonë flamurtarja e lirisë dhe fjalës të lirë në Shqipërinë demokratike.

Sot dhe çdo 5 janar, Partia Demokratike bashkohet me shtypin e lirë e të pavarur të çdo orientimi për të kujtuar, për të nderuar, për të reflektuar mbi fillimin dhe vazhdimin, mbi të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e kësaj vlere të pazëvendësueshme të demokracisë që është fjala e lirë.

Nderimi im si kryetar i Partisë Demokratike u shkon sot:

– këshillit të parë botues të gazetës, kryetarit të këtij këshilli, z. Zogaj, dhe anëtarëve të cilët ishin edhe autorë shkrimesh e intervistash  frymëzuese,

– i shkon stafit të fillimit, kryeredaktorit të parë, Frrok Çupit, kryeredaktorëve që e pasuan në atë periudhë të stuhishme, i ndjeri Napoleon Roshi, Mitro Çela, Bashkim Trenova, Lorenc Ligori, Lazer Stani, Astrit Patozi; gazetarëve që erdhën nga lëvizja studentore, Armand Shkullaku, Edi Paloka, Blendi Fevziu, Ben Blushi dhe Dritan Kaba; gazetarëve të tjerë që u angazhuan në kushte të vështira presioni dhe terrori si korrespondentë të gazetës së parë antikomuniste në vend, Bujar Xhaferri, Vera Isaku, Visar Zhiti dhe pena të tjera të respektuara.

-u shkon drejtuesve të opozitës së parë antikomuniste që ndërtuan frymën në të cilën u ngjiz gazeta; Sali Berishës, Gramoz Pashkos, Aleksandër Meksit, Genc Rulit, të ndjerit Pjetër Arbnori, bashkëpunëtorëve të njohur të gazetës, shkrimtarëve të shquar Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, publicistes Elsa Ballauri, poetit Rudolf Marku, shkrimtarit Fatos Kongoli, shkrimtarit dhe publicistit Besnik Mustafaj, përkthyesit dhe eseistit Aurel Plasari, dhe shumë personaliteteve të tjera që me shkrimet, përkthimet e tyre i dhanë më shumë larmi dhe forcë RD-së, e kthyen atë brenda një kohe fare të shkurtër si tribuna unike dhe e fuqishme e fjalës së lirë në atë periudhë.

Gazeta “Rilindja Demokratike” është prova e gjallë se si pasioni dhe përkushtimi i lirisë ndaj saj krijojnë shkolla, apo universitete, siç e quajti Doktor Berisha.

Përgjatë viteve që rrodhën më pas “RD” ka vijuar të promovojë dhe afirmojë drejtues dhe gazetarë të talentuar, të cilët kanë bërë të mundur që kjo gazetë të përcjellë në kohë historinë e saj të papërsëritshme të fillimit, nëpërmjet sukseseve të mëvonshme, jo thjesht si një objekt muzeu, por si një realitet i gjallë i medias së lirë, me vendin e vet në mozaikun e mediave bashkëkohore.

Mirënjohje, respekt dhe falenderime për gjithë stafet e “RD”-së në vite, që kanë patur privilegjin dhe përgjegjësinë të punojnë në një gazetë me një histori të madhe; urime dhe falënderime për stafin aktual dhe kryeredaktorin Blendi Kasmi që kanë organizuar këtë takim kuptimplotë si çdo vit më 5 janar.

5 Janari i vitit 1991 është dita reale e shtypit të lirë në Shqipërinë postkomuniste, dhe dua të pohoj përgjegjësinë e shtuar që ndjej dhe kam si kryetar i Partisë Demokratike për të respektuar, zhvilluar e mbrojtur në vazhdimësi lirinë e mediave në të gjitha format e manifestimit të saj, në televizione dhe radio, në shtypin e shkruar, në rrjetet sociale.

Ashtu siç e kemi parë në demokracitë e përparuara të planetit, Liria dhe Përgjegjësia, si anë të së njëjtës medaljeje, bëjnë ndryshimin dhe suksesin edhe në median shqiptare, në jetën e saj, në përpjekjet e saj kolosale për të ecur në një hap me kohën dhe shpeshherë para kohës, në sfidat e saj të konkurrencës së lirë, por edhe me probleme në një vend në zhvillim.

Liria dhe Përgjegjësia- ky kufi delikat që politika duhet të dijë ta kuptojë e respektojë me mendje të hapur, duke marrë përgjegjësitë që i takojnë në radhë të parë për lirinë e mediave, por duke treguar kujdes të madh mbi çështjen e përgjegjësisë, që në çdo rast mund të përdoret edhe si një alibi për të goditur në forma të ndryshme, lirinë e fjalës.

Prandaj është mirë që përgjegjësia të lihet me përparësi në diskrecionin e vetë medias, si një çështje e imazhit dhe besueshmërisë së saj, e suksesit apo e mbijetesës së saj në fund të fundit. Nuk ka asnjë shembull real suksesi nga shpërdorimi i lirisë, përkundrazi, ka plot shembuj dështimi.

Nga natyra e detyrës sonë si opozitë jemi më afër shtypit të lirë dhe shtypi i lirë është natyrshëm më afër opozitës se sa qeverisë. Sepse qeveria është problemi, siç thoshte Regan. Dhe kjo e jona jo vetëm në parim, në kuptimin e Reganit, por edhe në kuptimin e sipërmarrësit, profesionistit, pensionistit apo të papunit.

Ne, opozita politike dhe media e lirë, jemi në një varkë për të bërë sekush me mjetet e veta kontrollin dhe kritikën e qeverisë dhe qeverisjes, denoncimin e paaftësisë, shpërdorimeve, abuzimeve dhe korrupsionit, kudo ku verifikohen dhe sa herë të verifikohen. Ne jemi në një varkë për të shërbyer sekush në vendin e vet demokracinë në Shqipëri, ëndrrën europiane të shqiptarëve.

Kjo nuk do të thotë aspak privim nga e drejta për të kritikuar edhe opozitën. Absolutisht, jo. Në rrugën tonë të ringritjes, ribashkimit dhe fillimit të ri, çdo kritikë, sugjerim apo propozim është i mirëpritur, madje pa i ndërhyrë në lirinë e tij editoriale Drejtorit dhe kryeredaktorit të Rilindjes Demokratike, do t’i lutem t’u krijonte hapësirën e duhur në faqet e Rilindjes Demokratike çdo kritiku të opozitës dhe PD.

*Fjala e kryetarit të PD, dje me rastin e 23-vjetorit të gazetës Rilindja Demokratike. 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas