Editorial

Më mirë pa gjykatës apo me gjykatës të korruptuar, kjo është çështja

Nga Ervis Iljazaj

Procesi i vettingut është duke zbrazur gjykatat nga trupat gjyqësore, ku shpeshherë, bllokohet dhe funksionimi i tyre siç është rasti i Gjykatës Kushtetuese. Për shkak të vonesës të Reformës në Drejtësi dhe mënyrës se si ajo është parashikuar, efekte të tilla ishin të pritshme. Kjo është një reformë rrënjësore, e cila do të rrezikonte futjen në një fazë tranzitore që po bllokon shumë nga institucionet e drejtësisë. Sa më shumë zgjatet kjo Reformë, aq më të mëdha janë efektet e dëmshme që sjell jo vetëm për drejtësinë, por edhe në shumë fusha të tjera, si: ekonomia, politika dhe shoqëria.



Prandaj, pyetja që duhet ngritur në këtë rast është nëse është më mirë që institucionet të rrinë për një kohë pa gjykatës apo me gjykatës të korruptuar, ashtu sikurse po del shumica e tyre nga kontrolli i pasurisë?

Nuk është e lehtë të japësh një përgjigje, por e sigurt është se vettingu, deri më tani është një nga proceset më të suksesshme të Reformës në Drejtësi. Një gjë të tillë e theksonte fort edhe raporti ku rekomandohej hapja e negociatave të Shqipërisë.

Vettingu është një proces, ku shpeshherë është anatemuar, ndonjëherë janë bërë edhe batuta me këtë proces të drejtësisë, duke u përpjekur që ta përqeshin apo ta konsiderojnë një absurditet, i cili nuk do të jepte asnjë nga rezultatet e dëshiruara. Ditët e fundit hedhin poshtë të gjitha këto akuza apo ironi që janë bërë mbi këtë proces.

Asnjëherë më parë nuk e kishim menduar që e gjithë trupa gjyqësore shqiptare do të futej në një kontroll të tillë të pastërtisë së figurës së tyre, dhe kjo ndodhi falë Reformës në Drejtësi dhe procesit të vettingut që ajo parashikon. Në këtë kuptim, vettingu përbën padyshim një proces historik, dhe një precedent që po themelon nga e para të gjithë sistemin e drejtësisë shqiptare.

Efektet e tij janë të prekshme që në këto momente. Duke qenë se një nga problematikat më të mëdha të drejtësisë shqiptare ka qenë korrupsioni galopant në këtë pushtet, Reforma në Drejtësi ka arritur të bëjë pastërtinë e figurës së gjyqtarëve apo prokurorëve. Procesi i vettingut sapo ka filluar, shumë nga magjistratët shqiptarë kanë dhënë dorëheqjen dhe procesi duket në rrugë të mbarë.

Në këtë aspekt, ajo që mund të thuhet është fakti se hetimi pasuror i gjyqtarëve është marrë seriozisht. Jo vetëm kaq, por ka raste ku procesi nuk mjaftohet vetëm me vettingun, por edhe me hetimet penale që hapen kundër gjyqtarëve apo ish-gjyqtarëve të caktuar.

Në këtë drejtim, nuk mund të mohohet, kundrejt çfarëdo skepticizmi, që vettingu është një sukses i kësaj Reforme.

Ndoshta, suksesi i Reformës në Drejtësi matet shpesh në opinionin publik nga arrestimet e përgjithshme për politikanë apo pushtetarë të rëndësishëm, por kjo është faza e fundit e kësaj reforme. Më së pari, duhen ndërtuar organet që parashikohen në drejtësinë e re, dhe të pastrohet pushteti gjyqësor nga figurat e korruptuara, duke ndërtuar kështu një drejtësi të pavarur, të ndershme dhe të guximshme, që do të jetë në gjendje të kryejë hetime edhe ndaj pushtetarëve të rëndësishëm.

Nëse suksesi i Reformës matet me arrestimet e bujshme, jemi në rrugën e gabuar. Sepse nga uria e popullit shqiptar për drejtësinë e munguar në këto 27 vite, këtë gjë mund ta përdorë politika dhe hetimet të jenë tërësisht politike apo të ndikuara prej saj. Prandaj, faza e parë e Reformës në Drejtësi, nuk janë arrestimet e politikanëve, por ndërtimi i organeve të drejtësisë së re dhe kontrollin e pastërtisë së figurave të pushtetit gjyqësor, më pas, vetëm një drejtësi e tillë ka kurajën të zhvillojë hetime të paanshme edhe për politikën. Çdo thirrje tjetër për drejtësi popullore, është vetëm në disavantazh të Reformës në Drejtësi.

PasPara

4 komente

  1. Shumë interesante pyetja që shtron z. Iljazaj.
    Më mirë farë pa drejtësi apo me gjykatës që prokurori Rama i quan të korruptuar ?
    Më saktë akoma do të ishte pyetja tjetër :
    E ç’na duhen gjykata e prokurorë të korruptuar, kur punën e tyre e bën një njeri “i ndershëm” e i pastër si qelibari, kryeministri Rama ?

  2. Në përgjitnhësi, kur mungon drejtësia dhe me gjithë reformën ala Rama, vepron vetëgjyqsia. Reformën tek ne e bën partia dhe sh. Ramë, që po ta kishte seriozisht, duhet të arrestonte vetveten, me dëshirën e tij, për të dhënë shembullin personal. Ai është kapoja i gjithë kriminelëve që sillen vërdallë nga parlamenti në qeveri, nga trafikantët civilë me mbështetje në polici e shumë ministri. Gjykatësit e korruptuar dhe të komanduar nga partia e Ramës nuk i duhen as dreqit për meze, por edhe mungesa e tyre , njësoj është. Është kaos, pasiguri dhe mbrojtje e kriminelëve të të gjitha rrangjeve e llojeve. Është njësoj siç thotë shoku me poture se ne e meritojmë çeljen e negociatave me BE-në, pasi jemi të parët në krime, korrupsion, si azilkerkues, si furrnizues i më i madh me krime në Evropë e shumë pislleqe të tjera. Po të hapej konkursi se kush ka bërë punët më të këqija në Evropë e më gjërë, ne do të zinim vendin e parë. Ndaj , “me të drejtë” , thotë timonieri me tepsi, legen e kusi se ne meritojmë edhe më shumë. Po,po . Me tuta e batuta, me atlete e barcoleta po çudit Evropën mbarë. Vetëm ata që nuk ia duan të mirën, flasin mirë për të. Ndaj e meritojmë dhe as dhurata nuk pranojmë. S’dimë nga vimë as nuk dimë ku shkojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas