Kryesore, Mapo Format

Më mirë në universitet privat apo publik? Presidenti i UET tregon avantazhet

Ditën e djeshme në programin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit u fol për një çështje shumë të rëndësishme të ditëve të sotme, që lidhet pikërisht me ethet e maturantëve, të cilët duhet të marrin vendimin se çfarë do të bëjnë me të ardhmen e tyre, ku do të studiojnë  dhe çfarë drejtimi do të marrë karriera e tyre. Nga data 30 korrik deri në 4 gusht të gjithë maturantët me mesatare mbi notën 6 do të plotësojnë formularin A2 ku do të rendisin dhjetë preferencat e tyre për studimet e larta. Këtë qershor janë 37000 nxënës që përfunduan maturën dhe mbyllën shklollën e mesme, tani përballë vendimit të vështirë për ti dhënë drejtim jetës së tyre. Përveç dëshirës për të studiuar jashtë kufijve të vendit, dilema më e madhe e maturantëve është nëse duhet të zgjedhin një universitet privat apo publik, cili prej tyre ofron më shumë cilësi dhe standard.

Përballë Arben Gjatës, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Mateo Spahos, Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Luarasi dhe Kseanela Sotirovskit, Rektore e Universitetit të Durrësit, ishte edhe Adrian Civici, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës.



Tema e emisionit ishte “Debati për universitetet, më mirë në universitet privat apo publik?”. Adrian Civici foli për investimin në dije në një universitet privat kundrejt atij publik, cilësinë, standarded dhe garancinë që duhet të ofrojë një universitet, tendencën e shqiptarëve për tu shkolluar jashtë vendit si dhe çfarë e bën Universitetin Europian të Tiranës një universitet privat me cilësi dhe standarde të larta.

I pyetur nga gazetarja në lidhje me sistemin e ri të pranimeve në universitet dhe si ka rezultuar, Civici u përgjigj kështu:

“Mendoj që viti i parë ishte relativisht i vështirë, jo vetëm për  maturantët, por edhe për universitetet si dhe për Ministrinë. Sistemi u komplikua , u paragjykua dhe përgjithësisht krijoi  shumë probleme që u zgjidhën me vështirësi dhe për një kohë të gjatë. Tashmë jemi  në vitin e tretë dhe situata duket më e qartë. Maturantët janë më të qartë. Ne kemi bërë shumë takime me maturantët në të gjithë gjimnazet e Shqipërisë dhe përgjithësisht ata duken të informuar.  Jo vetëm të informuar për sistemin, por ata janë dhe më të sigurt për atë që duan të zgjedhin. Pra, përveç formalizmit në përfshirjen në sisteme, ata kanë filluar të arsyetojnë dhe reagojnë në mënyrë më cilësore për zgjedhjet e tyre për të qenë koherent për të përfituar maksimalisht nga sistemi. Dhe kam përshtypjen se nëqoftëse sistemi informatik i menaxhimit të këtyre kërkesave nuk do paraqesë ndonjë problem, do jetë një vit i qetë korrekt për sa i përket kësaj”.

Nëse mund të konsiderojmë se ka një ofertë të bollshme akademike sot në Shqipëri, Presidenti i UET ka këtë mendim: “37000 maturantë këtë vit është pak a shumë i njëjti numër me ndonjë lëvizje të vogël  me vjet apo dy vjet më përpara. Po ta ballafaqojmë këtë numër që po e quajmë kërkesë me ofertën që kanë universitetet shtetërore dhe universitetet private përgjithësisht, numri i kapaciteteve dhe i ofertave në mos e barabartë, është edhe më e madhe sesa numri total i maturantëve. Megjithatë,  kjo është thjesht një përqasje aritmetike midis këtyre dy treguesve, sepse ajo që tregon të vërtetën është struktura e ofertës dhe struktura e kërkesës, pra ku janë të përqëndruara dhe ku është intensiteti më i madh nga ana e maturantëve dhe ku është kapaciteti më i gjërë. Panorama varet po themi nga elementët psikologjikë dhe mentaliteti se përse një maturant sot kërkon një degë të caktuar dhe jo një degë tjetër. Nga ana tjetër pse kërkon një universitet dhe jo një universitet tjetër. Dhe këto të dyja bashkë e krijojnë atë që mund ta quajmë mospërputhje. Sepse vazhdon të ketë preferenca për disa degë të caktuara siç vazhdon të jetë ekonomiku, mjekësia, juridiku. Ndërkohë që për degë të tjera që po i quajmë degë më teknike, qoftë Shkencat e Natyrës, degët inxhinierike dhe IT që janë dhe shumë të rëndësishme dhe për zhvillimin e vendit dhe mënyrën si po avancon teknologjia sot, ose konsiderohen degë të vështira ose në vitet e fundit ka një rënie në vlerësimin e tyre publik”.

Më mirë në universitet privat apo publik? Sipas Adrian Civicit kjo pyetje është tejkaluar tashmë. Kriteret që duhet të vlerësohen sot janë cilësia dhe standardet që universiteti ofron.

“Unë mendoj që kjo është një pyetje e tejkaluar tashmë, i përket një periudhe kur universitetet private sapo kishin dalë apo kur ishte fillimi i ligjit të ri të arsimit të lartë, dhe unë jam dakord që kriteret që një maturant duhetv të vlerësojë sot për universitetin është cilësia dhe standaedet që ai ofron. Dhe sot cilësia dhe standarded nuk janë thjesht çështje e mediatizimit të universiteteve apo e bërjes reklamë njërit më shumë apo njërit më pak. Maturantët përgjithësisht po edhe studentët që zgjedhin cikle të tjera kanë të gjithë informacionin e nevojshëm që nga rezultatet e akreditimit britanik, që nga shumë tregues të tjerë. Shpenimi për universitetin është ndoshta gjëja më e vogël në krahasim me përfitimet që ka një student nga universiteti. Pra ne flasim shumë për tregun e punës, ne flasim shumë për akomodimin që ai do ketë dhe karrierën dhe nukn flasim sa duket për faktin që investimi më I madh dhe më serioz që bën një I ri apo një e re për gjithë këtë karrierë profesionale dhe treg pune është pikërisht universiteti. Dhe në këtë rast nuk mendoj që në plan të parë mund të vendoset thjesht zgjedhja e një universiteti pse kushton më pak, po duhet zgjedhur ai universitet që është më cilësor, që garanton marrjen e dijeve të qëndrueshme, që profesionalion mirë dhe të bën shumë të aftë përgjithësisht për tregun e punës, për karrierën po dhe si qytetar  I edukuar dhe I kulturuar. Kështu që në këtë sens mendoj që më vlerë ka pyetja “kush dhe çfarë është një universitet cilësor sot?” sesa thjesht një ndarje bardhezi privat apo publik”.

“Unë shoh që universitetet përgjithësisht, po flas për UET-in, ne kemi një program prej disa vitesh në bashkëpunim me atë që e quajmë Alumni ose studentë që kanë mbaruar. Tashmë janë dhjetë breza studentësh të diplomuar dhe kemi filluar një studim vetë për të parë disa tregues shumë të rendësishëm. Përveç përqindjes së punësimit edhe tregues të tillë: që sa është përqindja e pumësimit në atë degë që ata kanë mbaruar, se shpesh herë ka dhe shumë devijime; sa është koha e punësimit të parë, si është evoluimi I këtyre ne pagesë, pra në të ardhura dhe përgjithësisht sa është stabiliteti në punën që kanë, që nuk e ndryshojnë. Dhe është një eksperiencë shumë e rëndësishme që mendoj që universitetet duhet ta bëjnë në mënyrën më maksimake të mundshme, sepse nga rezultatet e kësaj ti kupton edhe opinionin që ka për të diplomuarit në tregun e punës po edhe e shikon direkt dhe indirekt se si ka qenë trajektorja e punësimit tuaj qoftë si punësim sasior po themi si vend pune, qoftë edhe cilësor përsa I përket të ardhurave. Edhe faktikisht na rezulton që jo vetëm në sektorin privat, po dhe në sektorin publik tashmë ka një koshiencë që kur I marrin në punë nuk pyesin më thjesht çfarë universiteti ke mbaruar, por shikojnë edhe çfarë cilësish dhe çfarë standardesh ka ai student që ka mbaruar, dhe kjo n aka bërë që edhe neve më shumë se sa të bëjmë si të thuash një propagandë për emrin, ta shikojmë sistemin nga brenda se cfarë cilësie ka ai student që mbaron në raport me këtë treg pune. Dhe ky ballafaqim me këto shifra të Alumnit është barometri ose treguesi kryesor I rishikimit të përmirësimit të programeve dhe I gjithë zhvillimit të universitetit” u shpreh Civici lidhur me mënyrën si mund të maten cilësitë dhe standardet e një universiteti.

Eni Vasili: Ka një lloj skepticizmi të vazhdueshëm ndaj arsimit privat në Shqipëri. A është I legjitimuar ky mosbesim professor, për të qenë I sinqertë

Civici: Unë mendoj që ky shqetësim ka legjitimitet, natyrisht, po më tepër është I nxitur dhe I stimuluar nga shumë debate dhe me natyrë politike, dhe me natyrë ideologjike, po shpesh herë edhe për interesa private edhe konkrte; Shqipëria natyrisht pasi filloi peridha e tranzicionit që e quajmë  neve, po ndërton ekonominë e tregut dhe kapitalizmin, e pati relativisht të vështirë mësimin me sektorin privat jo vetëm në arsim, po edhe në shëndetësi, në television, në banka dhe në shumë vende të tjera. Nga kjo pikëpamje vazhdojnë akoma ato reminishencat e të kaluarës që pon të jetë privat është shfrytëzues, është përfitues, dhe është vazhdimisht I keq sepse nuk ka shtetin nga mbrapa. Në fakt pot ë kthehemi pak në kohë; çfarë ndodhi 15 vite më parë; universitetet private lindën jo vetëm si dëshirë dhe iniciativë e një individi, megjithëse edhe ato individë që I bënë kanë meritat e veta, por lindi si një treg plotësues do thoja përsa I përket plotësimit të kerkesës së maturantëve për tu arsimuar. Pra 15 vite më parë në treg kërkesa nga maturantët ishte më e madhe se mund të ofronin universitetet piblike. Nga ana tjetër, duke e konsideruar arsimin e lartë si një shërbim publik, si shumë shërbime publike të tjera, nuk ka rëndësi se cili aktor apo institucion e ofron, apo çfarë natyre ka pronësia e tij, nese është shtetëror apo është privat. Rëndësi ka që shoqëria ka nevojë për këtë shërbim dhe aktorë të ndryshëm, përfshirë këtu aktorët privatë, e ofrojnë këtë shërbim në interes të shoqërisë me cilësinë dhe me standarded që duhen. Tani përveç këtij debati me natyrë remineshence, ideologjike dhe të së kaluarës, edhe universitetet private patën dhe të mirat dhe të këqijat e tyre, dhe faktikisht edhe vendimi për mbylljen e një pjese të tyre jo vetëm private, po edhe shtetërore, ishte një element që ndoshta u keqpërdor në sensin që po qe shtetëror është i bardhë, po qe privat është i zi. Eksperienca e këtyre 15 viteve tregon që ky duhet të jetë një debat tashmë totalisht i tejkaluar sepse universitetet private arritën që të japin shembuj cilësie, shembuj standardi, shembuj të një universiteti cilësor, që përmbledh të gjitha ato kriteret që thamë, sepse nuk ka asnjë arsye përveç faktit që janë edhe të motivuar, edhe të financuar, edhe duke dalë më vonë në tregun e arsimit të lartë kanë mundësi që të marrin edhe një pjesë të njohurive, dijeve apo strukturave institucionale të organizimit më të përparuara. Kështu që në këtë pikë mendoj që sot nuk duhet më të diskutohet nëse është privat apo është publik, edhe për një fakt tjetër; nëse ka një kontribut që universitetet private kanë dhënë përveç të tjerave është fakti që janë më të financuara. Natyrisht ne akoma mendojmë që 100% duhet ta financojë shteti universitetin. Kur punonim për ligjin e ri të Arsimit të Lartë, bëmë një studim se sa është financimi I një studenti shqiptar në vit dhe rezultonte që si mesatare, një student financohej 400-500 euro në vit. Po ta krahasojmë me dy vendet më të fundit të Bashkimit Europian, Rumania dhe Bullgaria, e kanë mbi 3000 euro financimin për një student, mos të flasim për Italinë që e ka 15000 euro, Francën 18000, Britaninë e Madhe 21000 dhe Shtetet e Bashkuara mbi 30000. Pra shoqëria shqiptare ka një problem me të cilin duhet të përballet: Si t’i financojë më mirë universitetet që të jenë cilësore dhe të prodhojë studentë me standarde më të larta. Dhe këto standarde, pa laboratorë, pa biblioteka dhe pa pedagogë cilësorë dhe shumë elemente të tjera, është vështirë. Ateherë pse duhet të insistojmë 100% që çdo gjë duhet ta financojë buxheti i shtetit? Natyrisht unë jam në favor absolutisht të faktit që buxheti duhet të bëjë përpjekjet maksimale, ndoshta ta dyfishojë, ta trefishojë financimin që ka për universitetet. Po shoqëria ka dhe shumë mekanizma të tjerë që duhet t’i mobilizojë për të pasur universitete më të financuara dhe më cilësore, duke filluar nga bizneset dhe korporatat, nga pushteti lokal, nga vetë studentët, nga buxheti i shtetit, në mënyrë që ne të kemi mundësi të prodhojmë një të diplomuar cilësor. Nëqoftëse tani sprovën e sasisë dhe masivitetit e kemi realizuar, pra nuk ngelet më asnjë i ri apo e re që do të studiojë ne universitet pa një mundësi për të studiuar, jemi përballë sprovës së cilësisë, dhe sprova e cilësisë, përveç shumë elementëve që ne i përmendëm, ka të bëjë dhe me faktin se si dhe sa kanë mundësi universitetet të financohen. Dhe po ta shikosh edhe si tendencë, edhe në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, edhe në Perëndim, pas rënies së Murit të Berlinit, pati një zhvillim të universiteteve private, natyrisht jo për të zëvendësuar universitetin shtetëror dhe publik, por për të qenë pas universitetit shtetëror dhe publik si një ofrues i këtij shërbimi të rëndësishëm në disa drejtime të caktuara, përgjithësisht në drejtime cilësore, në degë më të kushtueshme ose në element formimi që janë më specifik. Kështu që mendoj që duhet t’i shikojmë si dy sektorë komplementar, jo si dy sektorë konkurrentë dhe nuk dua ta çojmë as studentin dhe as diskutimin “kush është i mirë, kush është i keq, thjesht pse është shtetëror apo është privat”,  po “kush është i mirë apo kush është i keq në raport me çfarë ofron, çfarë mundësish ka dhe çfarë standardesh dhe si është vlerësuar”.

 

Pyetjes nëse dëshira e të rinjve shqiptarë për të studiuar jashtë shtetit është tregues I mungesës së besimit tek arsimi shqiptar, Civici tha se: “Mendoj që është një tregues më kompleks se kaq, po jua them një shifër. Besoj jemi në grupin e tre-katër vendeve të para në botë përsa i përket numrit të studentëve në raport me popullsinë. Kemi gati 30 studentë për 1000 banorë jashtë, surprizë, ndoshta mund të jemi vendi i dytë në botë. Një shifër që tregon se sa e fortë është tendenca, dëshira e studentëve shqiptarë për të shkuar jashtë. Unë sivjet shkova në shumë gjimnaze dhe të them të drejtën më bëri përshtypjen, në krahasim me vitet e kaluara dukej sikur ishte më i madh numri i atyre që kishin dëshirë që të studionin jashtë. Dhe do ta ndaja në dy pjesë këtë lloj dëshirë ose këtë tendencë kaq të fortë që kanë maturantët shqiptarë po dhe studentët e cikleve të tjera për të shkuar jashtë. Është absolutisht tendencë pozitive, në të gjithë botën mobiliteti apo lëvizjet e studentëve nga njëri vend në një tjetër, nga një vend më pak i zhvilluar në një vend më të zhvilluar, drejt një universiteti ku ka profesione apo studime që nuk i gjen këtu apo me atë cilësi. Është një tendencë normale, nuk duhet ta anatemojmë apo ta shikojmë me sy negative, edhe këtë dëshirë dhe këtë zhvendosje të studentëve për të studiuar jashtë.

Ajo që më shqetëson, që në shumicëm e rasteve, përveç dëshirës që ka maturanti apo studenti, ka dhe një tendencë tjetër, që duket relativisht e fshehur, në shumë raste, kërkesa për të studiuar jashtë, duket dhe si një lloj migracioni i fshehtë ose një migracion i padukshëm, sepse po të shikosh çfarë degësh zgjedh dhe mënyrën  si e zgjedhin, ka një “po” të menjëhershme. Boll të jetë një universitet jashtë dhe unë them menjëherë “dakord”. Edhe nga studimet që janë bërë, rezulton që një pjesë e konsiderueshme e studentëve që shkojnë jashtë, ose shkojnë në universitete jocilësore, ose shkojnë në degë që s’kanë asnjë lidhje me realitetin shqiptar, ose përgjithësisht janë degë sa për të kaluar radhën, sepse ka edhe në Europë shumë universitete që janë ndoshta nën nivelin mesatar të universiteteve shqiptare. Po thjesht është tendenca që të shkojë jashtë patjetër. Jo, unë do thoja që, e para njëherë duhet të jesh një maturant apo student cilësor në mënyrë që po kaq cilësisht ta bësh edhe studimin universitar në një vend europian apo në Amerikë, ku standardet janë shumë të larta. Është tendencë që duhet mbështetur dhe duhet përkrahur për faktin sepse ky kontigjent vjen shumë më cilësor kur kthehet në Shqipëri, por nga ana tjetër duhet kuftuar çdo lloj tendence formalizmi thjesht për të ikur jashtë. Ne tashmë, modestisht po mund ta themi, një pjesë e konsiderueshme e universiteteve shqiptare, si shtetërore dhe jopublike, ofrojnë programe cilësore dhe për më tepër programe të përshtatura me realitetin dhe me tendencat që ka Shqipëria, dhe përgjithësisht Ballkani ose Europa Juglindore. Prandaj mendoj që nuk është një zgjedhje e lehtë, është një zgjedhje e kushtueshme për familjet shqiptare. Por , shpesh herë është një zgjedhje që kur shikon një pjesë e tyre që kthehen, ne bëjmë konkurse për të marrë pedagogë, vijnë studentë që kanë mbaruar jashtë dhe Master, dhe Doktoraturë, dhe sinqerisht e kemi të vështirë për t’i marrë, sepse po të shikosh se çfarë kombinimi kanë bërë me studimet e tyre, kanë filluar Juridik, kanë vazhduar Ekonomik, kanë bërë një degë tjetër, pra duket tendenca thjesht që unë të rri atje ku jam, ta shtyj sa më shumë me bursa ose me gjëra të tjera, tjesht sa po bëj një universitet jashtë. Universiteti është një gjë shumë e madhe dhe shumë cilësore për t’u trajtuar në mënyrë joserioze. Ka dhe një element, që ndoshta pak njihet nga maturantët, ndërkombëtarizimi që ka një pjesë e madhe e universiteteve shqiptare sot. Dhe unë dua ta theksoj që, pothuajse universitetet kryesore shqiptare janë të gjitha të përfshira në projekte me Bashkimin Europian apo me institucione të tjera. Dhe studentët kanë shumë mundësi që të bëjnë një semestër ose një vit në programe, sidomos në Erasmus, në universitete të tjera. Ne p.sh kemi gati 150-160  studentë çdo vit që i çojmë  një semestër ose një vit jashtë. Pra, nëse ti e ke këtë njohuri, atë dëshirë që ke për të shkuar në një universitet serioz edhe jashtë, mund ta përdorësh duke qenë student cilësor edhe në Shqipëri. Dhe faktikisht besoj që dhe në universitete të tjra, ka një tendencë edhe të kundërt. Kanë filluar të vijnë studentë të huaj, evropianë ose nga vende të jera në universitetet tona. Edhe ne kishim 8 studentë vitin e kaluar, priten 15 këtë vit, që është një fenomen i ri, çka tregon që në këtë botë globale, duke u ndërkombëtarizuar dhe bashkëpunuar sa më shumë me këto universitete perëndimore, studenti e ka mundësinë që ta ndjekë dhe të përfitojë.  Mos të shikohet si diçka bardh e zi, ose vetëm jashtë, ose në Shqipëri.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas