Aktualitet, Kryesore, Mapo Format

Me mendje për të ikur, 367 mijë shqiptarë aplikuan për lotarinë amerikane

Sipas të dhënave të DASH, krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptareve që aplikuan  për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë në 2007-n, në 367 mijë në vitin 2017.

Rreth 367 mijë shqiptarë, (apo rreth 13% e shqiptarëve) i varën shpresat e tyre tek “ëndrra amerikane” duke aplikuar për Lotarinë Amerikane dhe duke u renditur kështu të parët në Europë që kanë përqindjen më të lartë të popullsisë që aplikojnë për lotari.



Krahasuar me vitin 2007, numri i shqiptarëve që aplikuan për Lotarinë Amerikane është dyfishuar, nga 173 mijë shqiptarë që aplikonin  në 2007-n, në 2018 numri i aplikimeve kapi shifrën rekord prej 367 mijësh, sipas statistikave të Departamentit amerikan të Shtetit.

Rritja e aplikimeve në Lotarinë Amerikanë ka qenë e lartë, veçanërisht pas vitit 2013 sikurse shikohet edhe nga grafiku.

Shifrat

Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e aplikimeve për Lotarinë Amerikane në vitin 2017. Sipas të dhënave të “Pew Research Center”, në Shqipëri kanë aplikuar 13% e popullsisë, duke u renditur vendi i parë në Europë, ndërsa vendet e lindjes janë ato që kryesojnë. Sipas të dhënave të DASH, në vitin 2017, kanë aplikuar për lotarinë plot 315,842, ndërsa në vitin 2018, ky numër është rritur më tej, duke shkuar në 367,231 aplikues.

Në Libi rreth 15% e qytetarëve aplikuan për programin, por edhe vende të tjera të Afrikës kishin të njëjtën përqindje aplikimi. Në Sierra Leone rreth 14% e popullsisë aplikoi ndërsa në Gana vetëm 8%. Në Europë vendet me përqindjen më të lartë që kishin aplikuar në program ishin vendet e lindjes, ku Shqipëria mbante rekordin.

Sipas të dhënave të Pew Research Center, pas Shqipërisë renditet Moldavia me 11% të popullsisë, Armenia me 9%. Ndërsa në Azi vendet që kryesojnë janë Uzbekistani me 7% dhe Nepali me 4%.

Gjatë 2017-s më shumë se 22.4 milionë njerëz aplikuan në të gjithë botën  në programin e vizave amerikane, i cili jep rreth 50 mijë Green Cards, apo leje qëndrimi të përhershme nëpërmjet një sistemi lotarie. Numri i aplikantëve thuajse iu afrua rekordit të vitit 2016 ku në të gjithë botën aplikuan 23 milionë njerëz, kryesisht për shkak se administrata Trump tha se do ta hiqte programin.

Studimi, 80% e shqiptarëve duan të punojnë jashtë

Shqiptarët vijojnë të kenë dëshirë të punojnë jashtë. Ky është përfundimi i një studimi mbi tregun ndërkombëtar të punës. Sipas këtij studimit, nga 2014-2018 përqindja e shqiptarëve që duan të largohen ka rënë disi, megjithatë, shteti ynë gjendet në listën e vendeve ku 70-80 % e të pyeturve duan të punojnë jashtë. Vendet e tjera të Ballkanit rezultojnë në nivel më të ulët të dëshirës për të punuar jashtë ose që aktualisht punojnë jashtë.

Boston Consulting Group dhe kompania ndërkombëtare e rekrutimit The Network janë bashkuar për të krijuar një nga sondazhet më gjithëpërfshirëse të tendencave të punës dhe preferencat e punës – 366,000 njerëz në 197 vende, me titull “Të dekodosh talentet globale 2018”.

Studimi sugjeron se të kuptosh sjelljet e fuqisë punëtore globale është thelbësore për kompanitë dhe shtetet. Ata që e menaxhojnë atë, do të fitojnë fleksibilitet në adresimin e sfidave të tyre të ardhshme dhe do të kenë probabilitet më të lartë në mbështetjen e rritjes ekonomike.

Sipas studimit, ka një rënie e dëshirës për të punuar jashtë vendit, ndonëse vendet që kanë patur një tendencë të tillë vijojnë të mbeten në shifra të larta siç është edhe Shqipëria./Mapo.al/

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas