Arkiva 2

Mbi përkthimet e letërsisë shqipe në Poloni, etj…

(në vend të përgjigjes ndaj një poeti në emigracion) Në raport me shumë vende të tjera letërsia shqiptare Ylljet Aliçkanë Poloni po bëhet gjithnjë e më e pranishme, kjo jo vetëm për meritë të nivelit cilësor të kësaj letërsie, por do të thosha falë dhe  këmbënguljes dhe punës së apasionuar të përkthyeses Dorota Horodyska.

Nga ana tjetër, sot pranohet se një vepër e mirë letrare është e mirë si për lexuesin shqiptar ashtu dhe për atë të huaj dhe se vepra e mirë ka vlera universale, të cilat mbështeten te faktet reale, referencat shpirtërore e materiale të një populli në raport me kohën.



Por kam bindjen se pavarësisht arritjeve, kryesisht në nivelin cilësor, letërsia shqipe nuk po e ka të lehtë për të vazhduar përfaqësimin e saj në botë me vlerën apo peshën e saj reale, dhe se një ndërmarrje e tillë po dikton gjithnjë e më shumë nevojën e një mbështetjeje institucionale, siç ndodh në shumë vende të ngjashme me ne për nga popullsia dhe gjeografia.

Aktualisht, problematikat në lidhje me përkthimin dhe botimin e letërsisë shqipe në botë nuk kanë të bëjnë vetëm me ambiciet apo aventurën artistike të autorëve shqiptarë, por në një plan më të gjerë, me vetë imazhin e vendit, temë kjo tepër e ndjeshme, me pasoja gati traumatike, që rëndom është bërë  jo vetëm shkak zhgënjimesh e deziluzionesh në planin individual, por dhe një pengesë serioze në planin politik e atë institucional.

Mora shkas për të bërë këtë shkrim jo vetëm për të dhënë një mendim mbi realitetin e botimit të letërsisë shqipe jashtë vendit, nisur nga përvoja ime në këtë fushë, por dhe nga një ese-akuzë botuar në gazetën “Mapo”, shkruar nga një poet ish-diplomat në emigracion, të cilit për një etikë reciproke nuk po ia përmend emrin.

Personalisht i takoj atij grupimi shkrimtarësh shqiptarë që jam botuar si brenda dhe jashtë vendit dhe tej çdo modestie, pohoj se në raport me përpjekjet në këtë drejtim, përveç ndonjë rasti të rrallë, nuk e kam pasur luksin të jetë botuesi i huaj që të më kërkojë të më botojë. Përkundrazi, kam qenë unë që jam përpjekur për t’u botuar. Gjatë kësaj rruge plot peripeci në raport me përpjekjet, dështimet kanë qenë më të shumta se arritjet.

Shkaqet mund të jenë të natyrës artistike (krijuesi e ka të vështirë, pothuaj të pamundur të krijojë një opinion objektiv mbi vlerën e veprës së tij…), apo dhe jashtë cilësisë së veprës letrare.

Por në dinamikën e vrullshme dhe morinë e madhe të botimit jashtë, përballë një konkurrence globale dhe një krize financiare në rritje, jo pak botues të huaj, me të cilët ne përplasemi për t’u botuar, nuk e kanë të lehtë bërjen e një vlerësimi real të një vepre letrare nga një vend i vogël, apo të kuptojnë se ku fillon fantazia e shkrimtarit ose realiteti i vendit të tij. Shpesh në mjaft prej tyre mbizotëron prirja për t’iu përshtatur një perceptimi klishe apo ekzotik (gjakmarrja, gratë të  kthyera në burra, bunkerët e shumtë, krimi…).

Vështirësia e parë dhe ndofta më thelbësore për ne si autorë nis me gjetjen e një përkthyesi, përfshi mbulimin financiar të këtij përkthimi, i cili në të shumtën e rasteve i bie të mbulohet nga vetë autori. Për të vazhduar më pas me odisenë e prezantimit të këtij përkthimi pranë shtëpive botuese, derisa të vijë (nëse vjen) momenti fatlum i pranimit nga X botues, i cili minimalisht duhet të ketë kapacitetet e distribucionit, pasi jo rrallë ndodh që “suksesi” i botimit jashtë vendit vjen nga praktika komerciale, e quajtur compte d’auteur, dmth botimi me paratë e autorit, që nënkupton faktin se botuesi nuk merr asgjë përsipër veç shtypjes.

Për të ardhur së fundi te problemi dhe vështirësia se sa ky botim do zgjojë vëmendjen e kritikës dhe medias, që të ketë shansin të mbërrijë te lexuesi i shumtë.

Gjithë kësaj përpjekjeje, po t’i referoheshim shembullit të Francës, i duhet të konkurrojë në rrjedhën e një dinamike frenetike, mes mbi 60 000 titujve të rinj në vit që botohen në këtë vend me autorë  vendas apo nga letërsia e huaj.

Në njëfarë mënyre, një orientim jo i saktë apo real ndaj këtij realiteti aspak të lehtë, ofron për ne autorët shqiptarë gracka dhe zhgënjime të shumta, që me apo pa dashje, me vetëdije apo jo, priremi t’i projektojmë apo t’ia faturojmë një faktori pengues jashtë vetes, që rëndom në mendjen e krijuesit perceptohet si armik apo sabotator i botimit të tij jashtë vendit.

Idetë e mësipërme i dhashë dhe për të dalë te shkrimi ese i një poeti shqiptar, i cili, frymëzuar nga përvojat dhe modelet botërore në fushën e luftës dhe denigrimit të gjenive (idem siç ia paskan punuar dhe Heminguejit, Tomas Mannit, Çehovit, Moxartit apo Migjenit…) me një stil romanesh giallo, përpiqet të argumentojë se ashtu si dhe gjenive të mësipërm, ia paskan punuar dhe atij e bashkë me të edhe një grupi shkrimtarësh shqiptarë, duke iu sabotuar botimin e librave të tyre në Poloni nga “një gjysmë shkrimtar-gjysmë diplomat” shqiptar në Paris, i botuar dhe në Poloni”, që me gjasa, i bie të jem unë.

E gjithë kjo “falë miqësisë që diplomati shqiptar mund të ketë me ambasadorin polak në Paris” (Ç’të ka pjellë kështu mendja, o Poet !)

Është në interesin e lexuesit dhe natyrisht timin që të pasqyroj përmbledhtazi se si e ka shpjeguar poeti intrigën që i është bërë atij dhe disa shkrimtarëve të tjerë shqiptarë për t’u botuar në Poloni.

Historia, sipas tij, e merr zanafillën “një natë të frikshme në kufirin shqiptaro-malazez, ku atij i koincidon të njihet dhe simpatizohet me një çift polak nga Krakowi, të cilët, sipas traditës mikpritëse të shqiptarit, ftohen nga poeti të kalojnë natën në shtëpinë e tij. Të nesërmen polakët i pohojnë poetit se nuk do kishin mbetur gjallë në Shqipërinë e frikshme po të mos i kishte ftuar ai në shtëpinë e tij. Koincidon që gruaja polake të jetë “gazetare, me shumë njohje në fushën e botimeve”. Tepër e befasuar nga numri i shumtë i librave në shtëpinë e bujtësit, ajo i premton poetit t’i botojë romanin e tij në Poloni! Veçse poeti nuk pranon t’i bëhet ky nder pa u rekomanduar miqve polakë edhe dy shkrimtarë të tjerë shqiptarë, duke dëshmuar me modesti zemërgjerësinë e tij ndaj kolegëve shkrimtarë shqiptarë.

Por më pas, shkruan poeti, historia bëhet e trishtuar, “sepse korrespondenca me miqtë nga Krakowi ndërpritet”. Ai u bën të ditur miqve të rinj polakë se “nuk e çan aspak kokën për botimin e librit të tij në polonisht, por shqetësohet për humbjen e miqësisë dhe keqkuptimeve me ta”. Atëherë polakët nga Krakowi, detyrohen t’i tregojnë poetit se “një mik polak i tyre që jeton në Paris, ndoshta ambasadori apo atasheu kulturor polak në Francë, që koincidon të jetë mik me “gjysmë shkrimtarin dhe gjysmë diplomatin shqiptar të botuar në Poloni”, pra diplomati polak i ka marrë mendim diplomatit shqiptar mbi planet e botuesve polakë për të botuar në Poloni poetin në fjalë dhe bashkë me të dy shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Diplomati-shkrimtar shqiptar paska protestuar duke thënë se shkrimtarët R.M., Z.Ç. dhe N.L. (shkurtimet janë të poetit) nuk duhen përkthyer dhe botuar në polonisht, se shteti shqiptar nuk ka mendim të mirë për ta, dhe sepse ata janë të papëlqyeshëm për vendin e tyre…!!!! (kësisoj, poeti rreket në mënyrë tinëzare të më hedhë në kurriz dhe një takëm shkrimtarësh të tjerë shqiptarë.)

Pas këtij sqarimi nga miqtë polakë, poeti dedukton në esenë e tij se “përballë një presioni që vjen nga një diplomat (ambasador) shqiptar, nuk ka se si botuesit polakë të mos tërhiqen të frikësuar nga projekti i botimit…!!! ”

Më tutje poeti tmerrohet më shumë nga ky gjysmë shkrimtar shqiptar, diplomat në Paris, kur merr vesh se ai kështu ia paska punuar dhe një tjetër shkrimtari shqiptar, i cili “sapo paskësh qenë përkthyer dhe bërë gati për botim në Poloni, bllokohet në minutën e fundit nga po i njëjti sabotator”, (po pse nuk e dërgoi ky shkrimtar romanin e tij të përkthyer në një tjetër shtëpi botuese?)

Luaj vendit, or burrë! Nga të buron tërë kjo fantazi!

Kurrë s’e kisha besuar se një krijues, të cilit, për hir të së vërtetës s’i ka munguar talenti, dhe me të cilin kam pasur miqësi në rini, të stiste një të tillë ese-akuzë motivuar kaq djallëzisht, apo kaq trashë.

Kujtoj se poeti jeton në Perëndim dhe kam të gjithë të drejtën të besoj se e njeh mirë realitetin dhe mekanizmat e botimit të letërsisë së huaj dhe asaj shqipe në Perëndim, Poloni a kudo qoftë. Ai duhet ta dijë gjithashtu se edhe sikur ta kisha këtë dëshirë diabolike, kurrsesi nuk do e kisha atë fuqi.

Nga ana tjetër, ç’qenkan këto vepra letrare që u rrëzokan vetëm nga një “intrigë” tavoline diplomatike, apo anasjelltas, ç’qenkan këta botues polakë, që frigohen nga diplomatët e huaj. Historikisht dimë se në tregun e botimeve lakmohen ata shkrimtarë që janë antikonformistë me pushtetet apo institucionet diplomatike.

Nuk dua të marr pozën se një sulm i tillë nuk më bën fare përshtypje, apo se kjo gjë më bën të qesh. Përkundrazi, pranoj se përballë kësaj akuze të pandershme u ndjeva i fyer.

Në këtë botë nuk është shumë e vështirë për të bërë keq, ose të paktën është më e lehtë sesa për të bërë mirë, veçse me mëkatin që më atribuon, duke u përpjekur të solidarizojë kundër meje dhe të tjerë shkrimtarë shqiptarë, poeti më ngarkon diçka përtej çdo parafytyrimi.

Veshur kështu me mjegull dhe pa adresa të verifikueshme, prirem më shumë të besoj se më shumë ka pasur si synim për të bërë një sulm hakmarrës (s’e di për çfarë po hakmerret…) me të vetmin qëllim për të linçuar a diskredituar një “gjysmë shkrimtar-gjysmë diplomat”.

Dhe duke mos pasur asnjë qime floku të vërtetë (për besë, ASNJE!) nga ato që ai pretendon, si ndaj tij, ashtu dhe ndaj çdokujt shkrimtari tjetër shqiptar, nuk e gjej dot lehtë përgjigjen.

S’di t’i kem hyrë apo të më ketë bërë hije, për më tepër ai është dalluar si poet, ndërsa unë shkruaj prozë. Në Poloni, libri im i parë dhe i fundit është pritur mirë, dhe të vetmin kontakt që kam pasur atje është përkthyesja Horodyska, ndërsa botuesin e librit tim nuk e kam takuar kurrë.

Dikush më thotë se kjo buroka ngaqë poeti paska tipin apo karakterin e një trimi të çartur, pra që e kërkoka sherrin me vend e pavend. Veçse dhe ky shpjegim nuk më ngushëllon aspak. E kam nisur letërsinë për kënaqësi dhe jo për të shpenzuar kohë dhe mundim duke u përfshirë në një qerthull polemikash publike, sharjesh e kundërsharjesh, ku secili përpiqet të evidencojë si pa rënë në sy virtytet e tij morale dhe demaskojë veset e kundërshtarit, një mënyrë mbushjeje kohe kjo, që krahas ushqimit narcistik për një poet në emigracion, kam bindjen që më shumë shërben për të ngopur shije apo kuriozitete të sëmura, sesa synimit fisnik, për mbrojtjen e nderit të letrave shqipe nga sabotatorët apo salierët e saj. Thënë ndryshe, mundim që s’më shpie gjëkundi.

Po i drejtohem sinqerisht autorit të shkrimit, unë nuk kam luftuar njeri, por as kam ndihmuar njeri, jo vetëm se s’kam pasur e s’kam mundësi, por e them pa drojë se përparësi kam interesat e mia për t’u botuar brenda dhe jashtë vendit, sepse kjo është një lojë individuale dhe veçanërisht në tregun e botimeve jashtë vendit, sado të liq apo tinëzarë të jemi për ta dëmtuar njëri-tjetrin, nuk e kemi këtë mundësi apo këtë luks.

Më mbetet veç t’i drejtohem me lutjen për të mos e fshehur akuzën me mjegull apo historira të verdha, por për ta bërë atë lehtësisht të verifikueshme e të faktueshme. Sot janë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë gjë. Pra, le të dalë aksh gazetare polake me emrin Monikë, apo ambasador polak në Paris, apo cilido mik a koleg i poetit në Shqipëri, që të mund të dëshmojë një fjali të vetme timen, të thënë apo të shkruar, në dëm të botimit të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhë të huaj.

Në të kundërt, thjesht le të mbetet një borxh afatgjatë mes meje e tij.

 

PasPara

3 komente

  1. ..Po c’ke ore qe te djeg miza..
    Mora shkas për të bërë këtë shkrim etc nga një ese-akuzë botuar në gazetën “Mapo”, shkruar nga një poet ish-diplomat në emigracion, të cilit për një etikë reciproke nuk po ia përmend emrin.
    ………………..një gjysmë shkrimtar-gjysmë diplomat” shqiptar në Paris, i botuar dhe në Poloni”, që me gjasa, i bie të jem unë.
    Me dhuroji kenaqesine e te lexuarit te revistes FATOSI nje here e nje kohe.
    Z.Alicka ..nuk eshte kjo rruga per tu bere i njohur megjithese poetet jo raadhe jane ne delirium e kur logjikojne sigurisht perdorin..”me gjasa”
    Z.Marku qe po ja them une emrin pasi ti ke nje etike professionale, (meqe ra fjala s’jua kam zili profesionin asnjerit) por qe ndodh qe e lexojme me shpesh dihet se eshte shkrimtar ose shkronjes qe si zoterrote mund te krijoje gjera nga me te ndryeshmet po jo shkrime si ky i juaji qe te ben te humbesh respektin per autorin..dmth ju
    Faleminderit

  2. Rudolf Marku mos eshte ai qe ka te hapur nje proces per shpifje ndaj nje kolegu gazetar? U mbars mali e polli nje mi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas