Op Ed

Mbi fetvanë e pakërkuar të myftiut të Tiranës për të mos u marrë me politikë

Nga Ilir Nikolla

Edhe pse nuk jam mysliman, prej thuajse 3 dekadash e kam bërë zakon që mbaj një ditë agjërimi gjatë muajit të ramazanit, si shenjë të vlerësimit të përpjekjes së shqiptarëve për të gjetur rrugën e besimit. Agjërimi është edhe mbështetje ne përpjekjen mbarëkombëtare për t’i kthyer besimit dinjitetin e përmasës publike, të ndaluar gjatë 50 viteve të diktaturës dhe të keqkuptuar nga neomarksistët, neoliberalët e post-modernistët e shekullit të 21-të.



Por në vigjilje të ramazanit të këtij viti, myftiu i Tiranës e përzjeu besimin me politikën e ditës, duke bërë thirrje që gjatë ramazanit, t’i qëndrojmë larg asaj. Thirrja për shmangie nga të marrurit me politikë s’është mirëfilli detyrim i klerikëve. Nëse ata s’duan t’i japin një dorë shoqërisë të çlirohet nga zullumet e politikës, le të mos e bëjnë, por s’ka pse të lëshojnë fetva të pakërkuara që shenjtërojnë status quo-në, duke i lënë ministrat e ish-ministrat e brendshëm në punë të vet, të patrazuar dhe me një 30-ditësh omerta nga hetimi i publikut dhe i drejtësisë.

Myftiu Ylli Gurra mund të jetë i kënaqur të mos flasë për politikë gjatë 30 ditëve të ramazanit dhe ndoshta këtë fetva do ta kundërfirmoste me dëshirë edhe Taulant Balla, por çdo besimtar dhe çdo shqiptar që do që në shoqërinë tonë të triumfojnë vlerat dhe jo batakçinjtë që na shesin heroinën për miell e kanabisin për çaj, e ka për detyrë që gjatë 30 ditëve të ramazanit të sivjetmë të kos ndalë së denoncuari atë klikë udhëheqëse që po detyron Shqipërinë të zbrazet dhe qeveritarët të trajtohen nga sistemi si mbinjerëz.

Them që do të ishin 30 ditë të një shërbimi të mirë mbifetar e mbarëkombëtar, paçka se s’do t’i shkonin për shtat Myftiut të Tiranës. Si një partizan i hershëm i kauzës që besimi të fitojë dukjen publike që meriton, jam besimplotë se “fetvaja” e pakërkuar e myftiut të Tiranës s’ka për t’u dëgjuar dhe secili besimtar do ta trajtojë kërkesën për çlirimin e zyrave të shtetit nga narkotrafikantët si një detyrë e ramazanit, si një mision që pas “çdo sakrifice sjell lehtësimin”.

PasPara

1 koment

  1. Akoma keta budallenjte mbaje ramazan, ose me sakte transferojne kohen e te ushqyeri?ore po nuk e shikoni cfare fare mbillni dhe cfar edukate perconi ore te rjedhur, po cjane gjithe keto investime ne kisha dhe xhami kur populli vuan per kafshaten e gojes, apo eshte strategji per te vjedhur dhe hedhur ihi syve popullit.per cfare duhen keto shtepi multi kur ne to nuk shkon njeri, .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas