Kryesore, Rajoni

Mbështetja nga SHBA: Thaçi dhe Vuçiç të gjejnë një zgjidhje paqësore

SHBA mbështet presidentët e Serbisë dhe Kosovës në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjes mes tyre, por mbështet edhe qëndrimin e shefes për politikën e jashtme në BE Federika Mogherini, raporton TCH.

Kjo, sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Kyle Scott.



Në një konferencë për sfidat e sigurisë në Ballkan, në kryeqytetin serb, ambasadori tha se ekzistojnë tre çështje kritike në rajon; dialogu Kosovë-Serbi, mosmarrëveshja për emrin e Maqedonisë dhe mbajtja e Bosnjë-Hercegovinës, shtet.

Sipas Scott, këto probleme nuk janë të pazgjidhshme, çka shihet me atë që po ndodh në Maqedoni. Në Bosnjë përparimi nuk është i shpejt ndërsa në Beograd dhe Prishtinë, po shihen lëvizje të reja.

“Shpresojmë që një zgjidhje e pranueshme dhe e qëndrueshme do të gjendet shpejt”, tha Scott.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane në Bosnjë-Hercegovinë, Maureen Cormack, tha për Radion Evropa e Lirë se politika e SHBA është e pandryshueshme kur flitet për dialogun Kosovë-Serbi dhe se rasti i këtyre dy vendeve nuk ka asnjë ngjashmëri me republikën serbe në Bosnjë.

Sipas saj nuk ka asnjë paralele mes tyre ndërkohë që ka nënvizuar se SHBA përkrah rolin e BE në dialogun Kosovë-Serbi dhe mbështet në anën tjetër sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Shumë analistë kanë thënë se nëse do të ketë ndryshime kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, kjo do të shërbente si precedent edhe për Bosnjën.

Ideja për ndryshimin e kufirit mes këtyre dy shteteve, është proklamuar nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, si zgjidhje e mundshme që do të ofronte një marrëveshje paqeje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar se do ta mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen të dyja vendet, ndërsa Gjermania dhe Britania e Madhe, janë shprehur kundër kësaj ideje.

Kryediplomatja evropiane, Federika Mogherini ndërkohë ka thënë se çdo zgjidhje është e pranueshme për sa kohë që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas