Kryesore, Politika

Mbarojnë pushimet, Rama mbledh ministrat në Vlorë. Priten ndryshime në kabinetin qeveritar?

Kryeministri Rama do të mbledhë ministrat e tij në një takim informal analize të 300- ditëshit të parë të mandatit të dytë të tij. Takimi mësohet se do të zhvillohet në vilat qeveritare në Vlorë, larg vëmendjes së mediave, të cilat do të mundin të regjistrojnë vetëm hyrje-daljet e makinave të ministrave dhe stafit të Kryeministrit.

Të hënën, ministrat dhe stafet e tyre u kthyen në punë pas pushimeve gati dyjavore. Mësohet se axhenda e takimit (retreat) të Kryeministrit me ministrat e tij është analiza e punës së vitit të parë qeverisës dhe plani për vitin e dytë, në përmbushje të programit 4-vjeçar të qeverisë të prezantuar nga Edi Rama më 10 shtator 2017.



Një vit më parë, pas shpalljes së kabinetit të ri, Kryeministri zhvilloi dy takime të tilla në Llogara dhe në Shëngjin, pak ditë më vonë. Takimet i shërbyen hartimit të prioriteteve të qeverisë dhe programit qeverisës, që u prezantua nga Kryeministri me nisjen nga puna të Parlamentit të ri. Në vitin e parë qeverisës, Kryeministri vijoi punën e tij me të njëjtin kabinet, pa bërë asnjë ndryshim ministrash.

Pritet që në shtator Kryeministri Rama të bëjë ndryshime të ministrave të tij, për shkak të nevojës për “impulse” të reja në qeveri. Një vit deri qershorin e ardhshëm, kur Këshilli Europian do të marrë një vendim për negociatat me Shqipërinë, Kryeministri do të kërkojë një ritëm të ri të kabinetit të tij.

Mësohet se instrumenti matës i punës së çdo ministri, përveç realizimit të objektivave të programit të 300 ditëve të para, do të jetë edhe platforma e bashkëqeverisjes shqipëria që duam.al, në të cilën qytetarët shprehin ankesat dhe problematikat që ndeshin në zyrat e administratës.

Sipas raportit të publikuar nga vetë Kryeministri Rama, në 10 muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit.

Analiza e qeverisë në Asamblenë Socialiste, në fillim të shtatorit

Analiza e qeverisë për vitin e parë të punës së saj do të zhvillohet në Asamblenë Kombëtare Socialiste, e cila pritet të mblidhet ditët e para të shtatorit. Kjo analizë do të përcaktojë dhe ministritë, ku duhet të ndërhyjë Kryeministri për të bërë ndryshimet e tij. Asambleja ishte parashikuar të zhvillohej në fund të korrikut, para pushimeve të verës. Por në mbledhjen e Grupit Parlamentar Socialist, të zhvilluar më 16 korrik, kryetari i tij, Taulant Balla, njëkohësisht dhe kryetar i Asamblesë Kombëtare të PS, njoftoi deputetët se Asambleja Kombëtare, ku do të bëhet analiza e punës së qeverisë për vitin e parë të mandatit të dytë të saj, shtyhet për në shtator.

Mbledhja e fundit e Asamblesë Kombëtare është zhvilluar në prill të këtij viti dhe aty është bërë po ashtu analiza e punës së qeverisë për periudhën janar-prill 2018. Gjatë këtij mandati, ministrat e qeverisë kanë zhvilluar takime llogaridhënieje para deputetëve socialistë, ku kanë marrë dhe pyetje dhe kritika nga deputetët e tyre. Një vit më parë, ishte Kryeministri Rama i cili përcaktoi një rol të ri të grupit parlamentar dhe strukturave të partisë përballë qeverisë që ai drejton./Burimi: Gazeta “Panorama”/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas