Kryesore, Politika

Projekti sekret i mazhorancës

rama-nishaniPas bllokimit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, një grup deputetësh të PS e LSI kanë paraqitur para dy ditësh në Kuvend një projektligj që ndryshon mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave të gjykatësve

Ndërsa plotësimi i vendeve bosh në Gjykatën e Lartë prej më shumë se një viti është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve Presidencë-mazhorancë, kjo e fundit ka vendosur që ta zgjidhë këtë ngërç në mënyrën e saj. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar eksponentë të saj, një grup deputetësh të majtë kanë paraqitur para dy ditësh në Kuvend një projektligj, me anë të të cilit këtë krizë 1-vjeçare mendojnë ta zgjidhin me anë të disa ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë.



Drafti në fjalë nuk është pranuar nga nismëtarët të publikohej deri dje në faqen e Kuvendit, megjithëse seanca plenare e djeshme e ka përfshirë atë në programin e punës së këtij institucioni deri në fund të muajit dhjetor. Gjithsesi, burime nga mazhoranca kanë bërë me dije se drafti në fjalë synon të zgjidhë debatin që ka lindur me Presidentin për emërimin e gjyqtarëve të lartë, duke ndërhyrë në dispozitat e ligjit që parashikojnë kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së emrave që dekretohen nga Presidenti.

Tashmë me këto ndryshime, sipas firmëtarëve detajohen hapat dhe mënyra sesi Presidenti do mund të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve, duke synuar sipas tyre, që të rrisë edhe transparencën e procesit. Po ashtu mësohet se për këtë qëllim krijohet Bordi i Këshillimit të Emërimeve, i cili do bëjë dhe vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Ky bord propozohet të drejtohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe në përbërje të tij do të jenë ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i komisionit të Ligjeve, si dhe juristë të institucioneve kryesore në vend. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur dje se për këto ndryshime është marrë konsensusi paraprak edhe i kreut të shtetit. Çka në fakt është hedhur poshtë nga institucioni i Presidentit.

Burime nga Presidenca kanë bërë me dije dje për MAPO-n se Presidenti së pari nuk mund të japë konsensus për një ligj për të cilin shprehet me dekret. Së dyti, ata kanë mohuar që Presidenti të ketë dijeni se çfarë ky projektligj përmban. Dhe së treti, se mënyra e përzgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të lartë është e paraparë në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Nisur nga këto qëndrime, duket se sërish mazhoranca ka ndërmarrë një nismë të pakonsultuar më parë me Presidentin dhe që në përmbajtje të vet përmban propozime që synojnë kufizimin e kompetencave të kreut të shtetit edhe për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Vetëm pak javë më parë Kuvendi i rrëzoi Presidentit dy dekrete në lidhje me emërimet në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që më parë kjo mazhorancë i ka rrëzuar Nishanit edhe 3 propozime të tjera. Mazhoranca ka argumentuar në të gjitha rastet se Presidenti ka bërë përzgjedhjen e këtyre propozimeve në mungesë transparence dhe i pakonsultuar me grupet parlamentare.

Projektligji: “Krijohet Bordi i Këshillimit të Emërimeve, i cili do bëjë dhe vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ky bord propozohet të drejtohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe në përbërje të tij do të jenë ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i komisionit të Ligjeve, si dhe juristë të institucioneve kryesore në vend”.

PasPara

1 koment

  1. neqoftese nje politikane ka nje superbesim tek vetja dhe nje mosbesim absolut tek institucionet dhe tekte tjeret kjo eshte shume e rrezikeshme per nje vend.shqiptareve nuk u duhen supermane per ti udhehequr .jane te lodhur me ta dhe me kenget qe u ka kenduar,sot duhen njerez te urte e te mencur bashkepunes dhe larg pames .politikanet grindavec duhet ti hedhim ne koshin e pleherave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas