Kryesore, Mapo Format

Masakra e Selenicës, propozimi i pedagogut të UET: Të rikthehet shërbimi i detyruar ushtarak

Pas masakrës së Selenicës, mediat dhe rrjetet sociale janë mbushur me propozime nga më të ndryshmet se si mund të parandalohen ngjarje të tilla në të ardhmen.

Profesori Kristaq Xharo, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës dhe ekspert i çështjeve të sigurisë, shkruan në gazetën Mapo se një ide interesante është rikthimi i shërbimit të detyruar ushtarak.



“Përse shërbimi i detyrueshëm ushtarak? Vendi i vetëm dhe koha më e mirë ku individi mund të marrë aftësitë për t’u bërë dhe ndjerë pjesë e komunitetit është shërbimi i detyrueshëm ushtarak. Sigurisht për çfarë përmendet më lart është më pak çështje ushtarake… Por ndërkohë që roli i familjes po dobësohet gjithnjë e më tepër, ai i shkollës po sulmohet nga gjendja virusale e përgjithshme e shoqërisë, e shtetit që edhe pas 25 vitesh nuk ka arritur të qartësojë raportet e tij me individin dhe shoqërinë atëherë kaosi është i vetmi faktor që është prezent në gjithë rritjen dhe formimin e një individi. Ku po shkojmë e çfarë duhet të bëjmë? Nuk ka receta por mund të mësojmë nga përvoja dhe nga të tjerët. Janë kushtet kur shërbimi ushtarak më së paku, por jo vetëm, mund të rekomandohet si një preventiv afatgjatë në problemin që po diskutojmë. Është si një antidote që mund t’i vijë në ndihmë shoqërisë, që tashmë duket e helmuar që në qelizë. Të tjerë më parë janë shprehur se në një vend ku nuk ekziston asnjë institucion formal apo joformal i shoqërizimit, përveç stadiumeve të futbollit, shërbimi i detyrueshëm është i vetmi institucion që mund të vendosë qytetarët e vet në mënyrë të barabartë përballë të njëjtës ndjenjë përgjegjësie.

Të rinj/të reja, që vijnë që nga shtresa super të pasura deri në ato ekstremisht të varfra mund të jenë në një vend e në një kohë ku të ndihen të barabartë përballë një përgjegjësie më të madhe seç përfaqësojnë veç e veç. Të ndjerët të barabartë do t’i sensibilizojë edhe më shumë se kur ndjekin një ndeshje të kombëtares. Shërbimi ushtarak ju jep mundësi të sfidohen dhe të sensibilizohen përballë të njëjtës përgjegjësi, që është më e madhe se individët, më thellë se besimet, më shumë se kulturat, apo të barabartë me sakrificën. Nuk është vetëm ajo që do të ndjejnë , por më tepër ajo që individët dhe shoqëria përfiton e në këto kushte, shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër, në ndjenjën dhe sjelljen sociale të individit në një shoqëri të dërrmuar në të gjitha nivelet e vlerave të saj.

Në ditët e sotme asnjë institucion tjetër, veç ushtrisë nuk mund ta zhvilloj këtë proces. Ajo ka aftësinë, kapacitetet dhe eksperiencën për ta kryer ketë detyrim. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak mundëson që njerëzit të ndihen së bashku, sidomos kur përballen me sfida apo kërcënime të identitetit, me ndarje kulturore apo religjioze, politike apo ideologjike, nga çfarëdo lloj drejtimi, që mund të veprojë. Ai ua mundëson të rinjve për të mësuar dhe trajnuar së bashku, duke mundësuar që të ndajnë eksperienca të përbashkëta. Më tej, ndihmon të kuptuarit e përgjithshëm për jetesën, vështirësinë dhe përgjegjësinë, që thuajse është e nevojshme për çdo lloj angazhimi të mëvonshëm. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak nuk nxit nacionalizmin, por ndërgjegjëson qytetarët e vet për konceptin real të kombit dhe përgjegjësinë e secilit për vendin tënd,” shkruan Xharo.

Lexoni më poshtë në link tekstin e plotë:

Selenica e gjakosur, a mos nevojitet shërbimi i detyrueshëm ushtarak?

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas