Aktualitet

Marrëveshja me Greqinë, Bushati: Mbyllet në një të ardhme të afërt. Me rëndësi takimi Rama-Tsipras

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati bën të ditur se marrëveshja me Greqinë do të mbyllet në një të ardhme të afërt. Duke folur nga Londra, Bushati tha se takimi Rama-Tsipras është një mundësi e artë për të përcaktuar linjat e drejtimit që duhet të jepen në këtë proces.
“Ne kemi bërë hapa të qëndrueshëm përpara përsa i përket bisedimeve për një marrëveshje të re për kufizimin e zonave detare, një marrëveshje e re që do të udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare publike, në fushën e detit, por mbi të gjitha një marrëveshje e re e cila do të ishte e drejtë dhe e zbatueshme për dy vendet tona. Nuk është një proces i lehtë, ka rezistencë politike në të dyja anët, qoftë në Shqipëri ashtu dhe në Greqi, por besojmë se me vendosmëri dhe vullnet politik të qartë ne në një të ardhme të afërt do të kemi produktet konkrete, qoftë për këtë marrëveshje ashtu dhe për pjesën tjetër që përbëjnë elementët e paketës që ne po diskutojmë me Greqinë”, tha z. Bushati.
Ministri tha më tej se rezistenca ka të bëjë më tepër me qëndrime politike si në Shqipëri dhe në Greqi duke u shprehur se segmente të caktuara ose preferojnë status quo ose janë kundër një perspektive të përbashkët evropiane të Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministri i Jashtëm theksoi dhe njëherë se përtej afateve që janë folur për përfundimin e marrëveshjes e rëndësishme për momentin që flasim është cilësia e punës së grupeve dhe vetë procesit. “Është folur shpesh për afate, u përcaktua pranvera, fillimi i vers, vera, vjeshta Afatet janë shumë të rëndësishme sepse janë një mundësi për të mbajtur të motivuar ekipet respektive që punojnë dita ditës për të gjitha marrëveshjet që janë në tryezë, por është më e rëndësishme në këtë moment që flasim, cilësia e punës dhe cilësia e këtij procesi. Besojmë se ndajmë të njëjtin mendim dhe me palën greke, që nuk duhet humbur kohë në këtë proces, sepse problematika tashmë është mbi 70-vjeçare, e stërnjohur dhe të gjitha opsionet janë shqyrtuar në tryezë”, tha z. Bushati.

Për migracionin Bushati tha se: “Qëndrimi i Shqipërisë ka qenë dhe mbetet i njëjtë. Jemi për aplikimin e parimit të solidaritetit dhe proporcionalitetit, sipas të cilit, secili prej vendeve anëtare të BE dhe vendeve kufitare në këtë fenomen duhet të japin mbështetjen dhe kontributin e tyre për ta kapërcyer këtë krizë”.
Ministri foli më tej dhe për rëndësinë e samitit të Londrës, që për herë të parë solli në tryezën e Procesit të Berlinit çështjet e sigurisë, sundimit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Takimi i radhës i Procesit të Berlinit mbahet vitin e ardhshëm në Varshavë të Polonisë.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas