Politika

Marrëdhënia e kushtëzuar me Kuvendin, opozita rrezikon mandatet

Marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin mund t’i kushtojë deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kushtetuta sanksionon se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend.

Pjesa dërrmuse e lijvënësve të opozitës sipas përllogaritjeve nga punimet e Kuvendit, prezencën e fundit në seancën plenare e kanë më 19 Korrik. E duke iu referuar përcaktimeve kushtetuese, 19 Janari i vitit të ardhshëm është afati i fundit kur deputetët do të duhet të kthehen në Kuvend për të mos djegur mandatet. Rregullorja e Kuvendit thotë se sesioni i parë vjetor i punimeve të Kuvendit nis të hënën e tretë të janarit. Që do të thotë se sesioni i ri i vitit 2019 nis më 21 Janar, ditë në të cilën është konsumuar djegia e mandateve.



Më i rrezikuari është nënkryetari i PD-së Edi Paloka, i cili pjesëmarrjen e fundit në Kuvend e ka pasur më 5 Korrik. Ndër shumë deputetë, në rrezik për djegie mandate janë edhe drejtuesit dhe figurat kryesore të PD-së dhe LSI-së. Lulzim Basha, kryetari demokrat, ish-kryeministri Sali Berisha dhe drejtuesja e LSI-së Monika Kryemadhi, kanë shkelur për herë të fundit në Parlament më 19 Korrik.

Por mes deputetëve, ka një sërë syresh të cilët nuk i cënohet mandati, pasi kanë qenë pjesë e komisioneve parlamentare apo të Këhsillit të Legjislacionit, sic ishte rasti i kësaj të merkureje, të deputetëve Oerd Bylykbashi, Enkeljed Alibeaj, Gent Strazimiri, Nasip Naço, Edmond Haxhinasto dhe Silva Caka.

Kushtetuta flet për mbarim të mandatit pas 6 muajsh mungesë pa arsye në Parlament. Nga opozita pretendohet se 30 ditët pushim të muajit gusht nuk mund të konsiderohen. Por, ekziston një precedent kur Parlamenti drejtohej nga nënkryetarja demokrate Jozefina Topalli. Në vjeshtën e vitit 2009 Partia Socialiste në atë kohë në opozitë bojkotoi Parlamentin. Ndërkohë në  marsin e 2010 Topalli deklaroi prerazi se mandati i socialistëve do të digjej nëse nuk ktheheshin në Parlament, duke përfshirnë në 6 mujorin e përcaktuar në Kushtetutë edhe javët e pushimit në muajin janar. Të detyruar nga rrethanat, socialistët u rikthyen në Parlament më datë 19 Mars, rreth një javë para se t’u digjej mandati.

Situata jashtë Parlamentit ka sjellë ditët e fundit reagime edhe nga vetë aleatët e PD-së. republikani Fatmir Mediu ka kërkuar rikthimin në Kuvend, pasi atje është vendi ku politika duhet të mbrojë interesat e popullit. Ndëkrohë që Monika Kryemadhi ka deklaruar se nuk ka shanse që mazhoranca të djegë mandatet e opozitës.

Opozita ka kushtëzuar marrëdhënien e saj me Parlamentin me miratimin e vettingut në politikë, duke theksuar se nuk kemi të bëjmë me bojkot . Në analizën që Komisioni i Venecias, i konsideruar nga palët edhe më parë si arbitër i paanshëm, në draft-opinonin e tij, pasi analizës, ka rekomanduar që palët të ulen në dialog politik për të gjetur zgjidhjen. Ngërç që mund të kalohet ndoshta edhe përmes rreullimeve në ligjin për dekriminalizimin, për të cilin demokratët luftuar fort. Seanca e fundit plenare është parashikuar të mbahet më 20 Dhjetor, datë në të cilën opozita mund të kthehet në Kuvend për të thënë fjalën e saj për vettingun në politikë e kështu për të evituar çdo përplasje që mund të përshkallëzohet për shkak të djegies së mundshme të mandateve./BW/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas