Bota

Maqedonia më 30 shtator në referendum për çështjen e emrit

Maqedonia më 30 shtator do të votojë në referendum për Marrëveshjen me Greqinëpër çështjen e emrit. Me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Maqedonisë ka votuar modalitetet e referendumit i cili do të jetë konsultues dhe me pyetjen: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë”.

Opozita nuk ka marrë pjesë në aktin e votimit, pasi paraprakisht kishte bërë të ditur se nuk mbështet referendumin.



Kryeministri Zoran Zaev paraprakisht i kishte bërë thirrje VMRO-DPMNE-së të mbështes referendumin si një proces shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, pasi me të, sipas tij, zhbllokohet procesi integrues i cili është bllokuar tani një dekadë pikërisht për shkak të kontestit së pazgjidhur të emrit.

“Siç e dini ky është një moment historik, jo vetëm për shkak të vendimit të referendumit, por edhe për shkak se përmes këtij vendimi do të definohet e ardhmja e Maqedonisë…Edhe njëherë e shfrytëzoj rastin që opozita të përfshihet në këtë proces dhe të bëj thirrje për dalje në votim, që të mund qytetarët të dalin në numër sa më të madh për të dhënë votën e tyre”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Por, nga opozita kundërshtuan pyetjen e referendumit, për shkak të, siç thonë manipulimeve që tenton të bëjë pushteti me fshehjen e ndërrimit të emrit të shtetit.

“Pyetja e referendumit, absolutisht se është manipuluese, pasi Ligji për referendumin është shumë i qartë. Pyetja e referendumit duhet të jetë e kuptueshme, e thjeshtë dhe me një kuptim. Këtë që e ka paralajmëruar pushteti ka më shumë kuptime apo tetë deri në nëntë kombinime të mundshme. Dikush mund të jetë për anëtarësimin në NATO, por jo edhe në BE apo e kundërta, apo dikush të jetë për këto dy organizata, por jo edhe për marrëveshjen për ndërrimin e emrit”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski, duke theksuar se qëndrimi i VMRO-së është i qartë, se pyetja e referendumit duhet të jetë ekskluzivisht për çështjen e ndërrimit të emrit të shtetit, që kjo parti e vlerëson si marrëveshje të dëmshme për identitetin, gjuhën, kulturën dhe veçoritë maqedonase.

“Pyetja duhet të jetë e thjeshtë dhe e kuptueshme. Qytetarët duhet të përgjigjen se a janë apo jo për Marrëveshjen me Greqinë që parasheh ndryshimin e emrit të shtetit. Pra, kjo të mos lidhet me integrimet në NATO dhe BE, për të cilat mund të ketë referendum të veçantë apo në të njëjtin referendum të ketë pyetje të veçantë për këtë çështje, por jo të përfshihen të gjitha në një”, ka deklaruar Nikollovski.

Ndërkohë, është zgjedhur edhe përbërja e re e Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve që ka për obligim zbatimin e referendumit. Anëtarët e Komisionit, pas betimit që bënë para Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, thanë se do të bëjnë çmos për organizimin me sukses të referendumit, në aspekt të përgjegjësive ligjore.

Që referendumi të ketë sukses duhet të votojnë mbi 50 për qind e trupit votues që numëron rreth 1 milion e 800 mijë votues dhe nga ta, gjysma të deklarohet pozitivisht.

Pas referendumit, nëse kalon me sukses, pasojnë ndryshimet kushtetuese me qëllim harmonizimin e dispozitave të saj me Marrëveshjen me Greqinë që parasheh emrin“Maqedonia e Veriut”.

Me zbatimin e Marrëveshjes për emrin, si nga Maqedonia ashtu edhe nga Greqia, përfundimisht zhbllokohet procesin integrues, fillimisht me anëtarësimin e vendit në NATO dhe me hapjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /REL/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas