Mapo Letrare

MapoLetrare, qëndresa ndaj pop-kulturës

Nga Alda Bardhyli

Vite më vonë Eugenio Montale do të kthehej në Trieste për tu ulur në të njëjtin bar ku dikur kalonte kohë me Italo Svevon dhe Xhejm Xhojs. Pas viteve 1930-të i ndodhte të merrte shpesh makinën për të mbërritur në lagjen ku jetonin Svevo e Xhojs. Në kafenenë ku një ndriçim i zbehtë binte mbi tavolinat e drunjta, ata kalonin orë të gjata duke marrë nëpër biseda gjithë letërsinë italiane. Në këto takime irlandezi Xhojs do të përfytyronte për herë të parë subjektin e një prej veprave më të rëndësishme të shekullit XX, “Uliksit”. Svevo në atë periudhë sapo kishte nxjerrë “Ndërgjegjen e Zenos” dhe ishte Montale ai që do të projektonte në shtyp një nga debatet më të mëdha në historinë e letrave italiane deri në ato vite, duke e bërë Svevon, nga një i panjohur interesant i Triestes, në shkrimtarin që do të provokonte debatin drejt një letërsie që kërkonte ta shihte njeriun ndryshe. Zeno ishte vetë Svevo, e këtë Montale e kuptoi që kur mbylli fletën e fundit të dorëshkrimit që miku i tij ia la një mbasdite mbi tryezë. Kafenetë letrare jemi mësuar ti lidhim gjithnjë me Parisin e shekullit të XIX, ku Hemingway mbërriti për të ndërtuar një histori tjetër të vetes. E në takimet me Fitzgerald, Salvatore Dali apo Gretude Stein ai do të gjente atë çfarë një shkrimtar i ri amerikan nuk mund ta shihte në New York. E ndërsa letërsia e shekullit të XX mori hov pikërisht nga këto takime shkrimtarësh, në shekullin e XXI ato do të zëvendësoheshin me revista letrare apo suplemente libri, që gazetat kryesore që botohen sot në botë me gjithë krizën e shtypit të shkruar, vazhdojnë ti botojnë. Është një shndërrim në një formë tjetër i takimeve të munguara që shkrimtarët sot nuk i kanë me njëri tjetrin. Një formë tjetër “kafeneje”, ku në mënyrë më të seleksionuar mund të shohësh çfarë ndodh me letërsinë. Sigurisht shumë rrallë herë mund të mësosh se cili është çaji i preferuar i Toni Morrison apo në vazhdon miqësia e saj me Angela Davids, por këto pak rëndësi kanë sot. Mungojnë dhe intimitetet për jetën e njëri tjetrit, por shkrimtarët mund të kuptojnë çfarë ka ndodhur me jetën e tjetrit, teksa lexojnë çkanë shkruar…



Revistat apo suplementet letrare janë kthyer në hapësirat e vetme ku kultura në formën e saj më të lartë vijon të jetë pararojë e politikave mbi librin apo kulturën. Me një qëndresë ndaj presionit të pop-kulturës, ato janë mediumet ku intelektualët kërkojnë të klikojnë çdo të dielë.

MapoLetrare prej vitesh ka krijuar identitetin e saj kulturor si një kauzë në shërbim të letërsisë. Një “kafene” e vogël e cila ndërsa vijon të përsoset, rrit edhe më shumë anëtarët e saj.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas