Kryesore, ShowBiz

MAPO ROZE/ Kastro Zizo: Një nga vendimet më të mira që kam marrë

Ai dallohet për vokalin unik dhe stilin avangard, për projektet me ide speciale muzikore dhe karakterin ekspresiv që e shpalos në çdo këngë të tijën. Kastro Zizo është këngëtari i muzikës Rock dhe Hip Hop, artist i kompletuar, me një karrierë të gjatë dhe një repertor të gjerë këngësh të suksesshme, i cili ka ardhur pranë publikut me një larmi zhanresh muzikore, e krejtësisht origjinale. Ai është nga ata njerëz që kurioziteti për botën i shtyn të provojnë dhe të përjetojnë gjithçka, qoftë ky realitet apo fantazi. Shpesh i përfolur për jetën e tij dhe imazhin e djalit karagjoz, ja si u është përgjigjur Kastro pyetjeve tona:

Emri juaj i vërtetë është Klevis Bega, por publiku ju njeh si Kastro Zizo. Ç’kuptim ka ky emër arti?



Për çdo artist, emri me të cilin zgjedh të përfaqësojë veten ka shumë rëndësi në këndvështrimin tim. Emri im i vërtetë është Klevis Bega, dhe dua të përballem me këtë fytyrë të dytë që quhet Kastro. Në fakt një kombinim pak abstrakt: K si Klevis Astro, si astronom që jam dhe Zizo maçoku im i ndjerë.

E keni nisur karrierën tuaj disavjeçare si pjesë e grupit 2Farm. Çfarë ju bëri të hiqnit dorë nga kjo dhe të vazhdonit të performonit si solist?

Ne ishim dy pjesëtarë në grup dhe më pas u bëmë tre. Për aq kohë sa vazhduam bashkë ishte padyshim një rrugëtim i bukur dhe me vlerë për formimin tonë si artistë. Më pas secili vazhdoi rrugën e vetë në jetë, me profesionet përkatëse. Por mbi të gjitha, me rëndësi është fakti që ne kemi mbetur shokë të mirë edhe pas ndarjes së karrierës.

Shquheni për stilin tuaj avangard dhe projektet e veçanta muzikore. Cili është mesazhi që doni të përcillni në publik përmes figurës suaj artistike?

Unë gjej copëza jete dhe situata që më ndodhin, aty frymëzohem dhe më pas i materializoj në këngë dhe projekte vizuale. Pas shumë luhatjeve në grafik, tashmë dua të përcjell mesazhe sociale për brezin e ri që hera herës më duket sikur qëndrojnë në ‘ajër’ dhe për këtë dua të luftoj shumë, sepse potenciali i tyre është shumë i madh, por thjesht duhet orientuar.

Ju jeni njëkohësisht këngëtar, shkrues tekstesh, prezantues etj. Ku e merrni frymëzimin për të shkruar? A ka një fenomen që ju nxit shpesh për ta hedhur në letër?

Mjafton një shkëndijë e vogël e realitetit për të ngacmuar frymëzimin tim. Përditshmëria në këtë vend të jep mjaft hapësirë për të krijuar drama dhe komedi në të njëjtën kohë. Më pëlqen të pasqyroj në artin tim atë pjesë të jetës që e kemi çdo ditë në duar, para syve dhe rreth nesh. Në fund të fundit e tashmja është ajo që ka rëndësi ndaj le të fokusohemi në të.

Keni realizuar shumë këngë që janë vlerësuar dhe pëlqyer nga publiku, por cilën prej tyre do e veçonit si suksesin më të madh tuajin?

Ndoshta “Gjinkalla që do të dashuroj në 2070” por ka plot tjera që i dëgjoj me qejf edhe pas shumë vitesh. Detyra e një artisti është të prodhojë vepra që shijojnë njësoj edhe pse koha mund të sjellë prurje të reja. Kur shoh që edhe pa një dekade, këngët e vjetra dëgjohen më të njëjtën kënaqësi nga publiku, nuk ka burim frymëzimi më të madh për të krijuar dhe sjellë produkte me vlerë.

Nuk mund të mos përmendim bashkëpunimet e shumta me artistë. Vjet erdhët në spektaklin ‘Kënga Magjike’ me Rea Nuhun me një baladë shumë të arrirë, ndërsa tani keni përfunduar nje projekt me Sue, një vajzë të panjohur për publikun. Çfarë e bën Kastron t’i promovojë këto imazhe të reja?

Në fakt, vij së pari me një bashkëpunim me Jeta Faqollin dhe më pas me këngëtaren e re Sue. Unë nisem nga vetvetja, gjithmonë kujtoj rrugëtimin tim dhe shumë dyer që më janë mbyllur dhe nuk dua që të njëjtat gjëra tu ndodhin të rinjve të tjerë të talentuar. Nëse unë dikur kam qenë kërkuesi i mundësive të promovimit srtistik, përse sot, në një kohë kur kam disa gjëra në dorë për t’i ofruar, mos të ndihmoj në rrugën e tyre artistike?! Në këtë mënyrë nuk bëjmë gjë tjetër veçse i rritim standardin artit muzikor shqiptar me vokale dhe talente që premtojnë.

Ndër pasionet tuaja është edhe kërcimi. A e keni provuar ndonjëherë të bëheni pjesë e skenës si kërcimtar?

Në fakt unë nuk kam kërcyer kurrë për një publik, kërcej vetëm në shtëpi dhe marr kënaqësi nga kjo. Për aq kohë sa angazhohem në një spektër të artit që më plotëson, është shumë larg në plane për ta nxjerrë kërcimin jashtë kuadrit personal!

Çfarë e intrigon Kastro Zizon?

Kastron e intrigojnë vetë tentativat që njerëzit bëjnë për t’i bërë intriga dhe realisht nuk janë të pakta rastet.

Jeni babai i dy fëmijëve Dankan dhe Nia. Cila do të ishte sakrifica juaj më e madhe në emër të dashurisë për ta?

Dashuria ime për ta është e padiskutueshme dhe pa përmasë. Edhe ajo çka do të bënte çdo prind në emër të kësaj dashurie, nuk ka përshkrim, ndaj mund të them se nuk ka emër sakrifica. Unë shpresoj që çdo gjë t’iu shkojë mbarë në jetë, të jenë të lumtur dhe të plotësuar, pa pasur nevojë për sakrifica nga ana ime. Por në çdo rast çdo gjë, edhe jetën time do e jepja pa hezitim nëse do të ishte e nevojshme.

Së fundmi keni hequr dorë nga konsumi i alkoolit. Nga erdhi ky vendim?

Arti ka përgjithësisht një lidhje deri diku të fortë me alkoolin, aq më tepër për gjininë mashkullore. Shpesh për të krijuar të duhet një shkëputje nga ‘bota’, nga stresi dhe lodhja e ditës, dhe këtë shumë mirë e gjen dukë pirë një teke. Pas kaq vitesh mendova të bëj një ndryshim në rutinën time dhe ky vendim erdhi nga një lodhje e madhe mendore dhe fizike, nga pendesa të mëdha dhe gati-gati nga gjykime të mëdha që i bëja vetes. E them me bindje se ky është një ndër vendimet më të mira që kam marrë në jetë dhe jam krenar për këtë.

Cili është vizioni i Kastro Zizos?

Është deri diku e kuptueshme se vizioni i një këngëtari do të lidhet me një ‘vete më të mirë’, krijimtari më të bukur dhe vlera në rritje të punës që bën. Në një spektër më të gjerë, vizioni im është: Të pushtoj botën me art dhe vlera madhore!

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas