Kryesore, Mapo Letrare

MAPO LETRARE/ Si është të jesh autor kosovar në letërsinë shqipe?

Nga Mehmet Kraja

Ndërsa përpiqemi të gjejmë shpjegime për shumë çështje, me të cilat sot përballet shkrimtaria e botës, ne ende nuk kemi dhënë përgjigje në disa pyetje të harruara ose të mbetura pezull. Nuk mjafton të themi se ne tashmë jemi përfshirë në një botë që po ndryshon shumë shpejt, ndërsa më anë tjetër, nuk kemi shikuar se çfarë po ndodh në rrethin tonë, a i kemi përshtatur punët tona me dinamikën e këtyre zhvillimeve.



Tani unë dua të shtroj një pyetje: Si është të jesh autor Kosovar i letërsisë shqipe? Përpara se të përgjigjem, duhet të jap përgjigje në pyetje tjetër: E kujt është letërsia shqipe? Të gjithë ata që janë autorë të Shqipërisë do të thonë me një zë: E Shqipërisë! Natyrisht, unë nuk do të ndihem mirë, kur të marr një përgjigje të këtillë, sepse unë nuk jam i Shqipërisë, e megjithatë jam pjesë e letërsisë shqipe dhe nuk më hiqni dot që andej. Pra, përgjigja më e drejtë do të ishte: Letërsia shqipe është e të gjithë atyre që shkruajnë shqip. Megjithatë-megjithatë, autorët e Shqipërisë do të thonë se të drejtën mbi shkrimin shqip, prandaj edhe mbi letërsinë shqipe, më shumë se të tjerët sërish e kanë autorët e Shqipërisë, se kështu është që se paku njëqind vjet e këndej, që me shpalljen e pavarësisë së këtij shteti.

Atëherë, çfarë do të bëni me neve, me autorët që nuk i takojnë të ashtuquajturës “Shqipëri e brendshme”? Çfarë do të bëjmë me letërsinë e Kosovës dhe me autorët e saj? Si t’i trajtojmë ata? Të gjithë do të thonë njëzëri: Si autorë të letërsisë shqipe. Por ne e dimë që, kur themi kështu, nuk jemi të sinqertë, sepse në praktikat tona letrare letërsia shqipe vazhdon të jetë e ndarë në pjesë, ndonëse faktorët të cilët e kanë kushtëzuar këtë ndarje tashmë kanë pushuar së vepruari.

Kështu, në Shqipëri, sapo përmendet një autor nga Kosova, stereotipi tashmë është krijuar: shkrimtar që prodhon mjegulla tematike dhe që nuk di të shkruajë mirë shqip, që shkruan me fraza të ngatërruara, me folje ku nuk e kanë vendin dhe që përdorë shumë fjalë të huaja ose me origjinë sllave. Unë e kam të vështirë tani të them me ndonjë saktësi të madhe se nga vjen ky stereotip për shkrimtarin kosovar, por duhet të jem i qartë edhe në këndvështrim tjetër: shkrimtarët e Kosovës kanë dhënë dëshmi të mjaftueshme se disa detaje nga kjo pamje jo aq hirshme janë reale. Është e vërtetë se letërsia e Kosovës, për shkak ndërprerjeve të vazhdueshme të komunikimit kulturor dhe letrar me Shqipërinë, ka qenë e hapur ndaj ndikimeve jugosllave, veçmas në fillimet e saj. Më anë tjetër, duke qenë se ish-Jugosllavia që më 1953 shpalli pluralizmin e metodave letrare, të shkruaje nën ndikimin e një letërsie që imitonte Perëndimin (e tillë ishte letërsia jugosllave në periudhën e socializmit vetëqeverisës), ishte më joshëse se të shkruaje letërsi nën ndikimin e realizmit socialist, që krijohej në Shqipëri. Por, edhe përkundër kësaj, pas Luftës së Dytë Botërore në letërsinë e Kosovës pati edhe prurje, të cilat iu nënshtruan fort ndikimit të letërsisë bashkëkohore të Shqipërisë, vetëm se më të paktë ishin ata autorë kosovarë që bënë emër dhe që u joshën pas realizmit socialist. Të tillë ishin kryesisht disa shkrimtarë minorë.

Kështu, ajo që ndodh sot me letërsinë e Shqipërisë: ndikimet e pakontrolluara, epigonizmi, letërsia pa lexues etj., letërsia e Kosovës e përjetoi që në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar. Disa nga këto fenomene letërsia e Kosovës i tejkaloi dhe po i tejkalon me lehtë, disa të tjera e ka më të vështirë. Pika më e ndjeshme ka mbetur gjuha. Kështu së paku mendojnë të gjithë ata që e arsyetojnë mospërfshirjen e letërsisë së Kosovës në letërsinë shqipe. Por, më duhet të them pa vonuar se edhe në këtë pikë, njësoj si në gjuhën e folur, në njëzet vitet e fundit Kosova ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Pengesat janë të natyrave të ndryshme, por ajo që e pengon procesin e integrimit të autorëve të Kosovës në letërsinë shqipe, është pak më komplekse dhe nuk mund të thjeshtëzohet vetëm te gjuha. Kosova është një jetë e ndarë, është një histori e ndarë dhunshëm, është një mentalitet i ndryshuar forcërisht, është një botëkuptim ndryshe. Ndërkaq, sa i përket gjuhës, mendoj se në Shqipëri është krijaur një refuzim i kryehershëm, të cilit i jepet më shumë rëndësi se ç’ka në të vërtetë. Sot gjuhët janë të hapura dhe ndikimet gjuhësore vijnë nga të gjitha anët, qofshin në leksik, në fonetikë apo në sintaksë. Se puna e gjuhës nuk është aq kushtëzuese në raportet e letërsisë së Kosovës me letërsinë shqipe do t’ua sjell dy shembuj: Fishtën, i cili në tërë veprën e tij ka më shumë sllavizma se të gjithë shkrimtarët e Kosovës marrë së bashku, dhe ky fakt, deri më tani nuk është marrë si ndonjë e metë e tij; dhe një autor tjetër nga Kosova, të cilit nuk po ia përmend emrin dhe që strukturën e fjalisë e ka tërësisht jo shqip, por që në Shqipëri lexohet pa vërejtje, veçmas publicistika e tij me konotacion të vrazhdët politik. Pra, nga këta dy shembujt del se faktori gjuhë në marrëdhëniet letrare Kosovë-Shqipëri bie poshtë si faktor kushtëzues.

Tani mendoj se duhet të kthehemi sërish te situatat e krijuara, të cilat lehtësisht po e bëjnë kulturën dhe letërsinë shqipe të paintegruar, një letërsi që nuk arrin dot t’i mbledhë copat e veta. Në lidhje me Kosovën, situata është duke marrë një drejtim të paqëndrueshëm. Kosova nuk mund të qëndrojë më pezull dhe ato tendenca, të cilat e bëjnë sot Kosovën të përshtatshme për ide subversive politike, janë të pranishme edhe në fushën e kulturës, të artit dhe të letërsisë. Tri tendenca aktualisht janë të pranishme sot në Kosovë: e para, një numër autorësh, individësh, e shohin integrimin kulturor shqiptar si një proces të natyrshëm, i cili do të zgjasë, por që asnjëherë nuk do të ketë alternativë tjetër. E dyta, disa autorë kosovarë përcopëzimin kulturor dhe letrar e shohin si favor, sepse ndihen mirë në lagjen e tyre letrare dhe nuk kanë nevojë të hyjnë në kurrfarë konkurrence. Këtij grupi autorësh iu shkojnë për shtat edhe situatat politike aktuale dhe, duke marrë shembull ndarjen politike mes Kosovës dhe Shqipërisë si dy shtete, duan që këto ndasi t’i avancojnë edhe me kombin kosovar, me kulturën kosovare, me letërsinë kosovare etj. Grupin e tretë e përbëjnë autorët, të cilët ndihen të integruar në letërsinë shqipe dhe që përbëjnë një pakicë. Ata mendojnë se letërsia shqipe është e pandarë dhe se letërsia e Kosovës si azil i shkrimtarëve të paintegruar, i shkrimtarëve lokalë në letërsinë shqipe duhet të pushojë së ekzistuari. Konsideroj se faktorët të cilët kanë kushtëzuar ekzistimin e letërsisë së Kosovës tashmë kanë pushuar dhe se letërsia e Kosovës, në pikëpamje historike, mbetet një përvojë e letërsisë shqipe, siç ishte dikur letërsia arbëreshe. Kjo përvojë historike mund të zgjasë, por e ardhmja e kësaj letërsie është integrimi i saj i plotë në letërsinë shqipe.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas