Mapo Letrare

MAPO LETRARE/ Anton Papleka: 1O libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe

“Pas viteve nëntëdhjetë, në Shqipëri  janë vënë re tri dukuri që kanë ndërvepruar me njëra-tjetrën : zhbërja ekonomike, zhbërja kulturore dhe zhbërja demografike (shpopullimi i vendit). Jam i mendimit se dukuria e fundit është pasojë e dy të parave, por filozofia na mëson se edhe pasoja nga ana e saj bëhet shkak për pasoja të tjera. Dihet se faktori vendimtar për rilindjen e Shqipërisë në shekullin e XIX nuk qe as faktori ekonomik ose ai politik, por qe faktori kulturor, ideologjia e Rilindjes Kombëtare. Vetëdijën kombëtare e ringjalli kultura, në radhë të parë letërsia”, Anton Papleka poet dhe shkrimtar shprehet kështu ndërsa nis të hulumtojë prozën shqipe.

«Për fat të keq, sot ne jetojmë në një periudhë kur fjalët «atdhe, atdhedashuri, patriotizëm» janë zbehur aq shumë sa tingëllojnë  si fjalë të tejkaluara. Në shtyp janë botuar  shkrime  ku edhe intelektualë të njohur  e kanë quajtur si shenjë emancipimi, moderniteti «largimin nga kombëtarizmi». Unë besoj se shuarja e atdhedashurisë, e identitetit kombëtar do të çonte në shuarjen e kombit shqiptar. Për të penguar këtë shuarje, një rol kryesor i takon të luajë kulturës, në radhë të parë letërsisë, e cila është arti që i shpreh në mënyrë më të plotë e më të qartë ndjenjat dhe mendimet e njerëzve. Qenësia shqiptare (shqiptarësia) nuk është një dukuri natyrore, biologjike, por një dukuri shoqërore, kulturore  apo, siç thotë shkrimtari i madh Jorge Luis Borges, është një akt besimi : “Ashtu siç është atdheu një akt besimi. Çfarë do të thotë të jesh argjentinas ? E kam peytur veten shpesh. Të jesh argjentinas  do të thotë të ndiesh veten argjentinas”. Duke perifrazuar Borges-in, mendoj  se të jesh shqiptar do të thotë ta ndiesh veten shqiptar. Në letërsinë shqipe ka disa vepra, në të cilat koeficienti i shqiptarësisë  është më i lartë sesa në të tjerat. Këto vepra të bëjnë ta ndiesh veten shqiptar, sepse  ato janë  mbushur me palcën e mendësisë, të traditave, të përvojës historike të kombit shqiptar”, thotë Papleka, duke shtuar se “duke mos dashur të bëj një listë shkollareske sipas llojeve e nënllojeve letrare, duke mos qenë tributar (harçpagues) i ndonjë tarafi politiko-letrar, duke u përpjekur  të respektoj përmasat historike të letërsisë shqiptare, për të mos ndarë me mur të kaluarën nga bashkëkohësia, traditën e gjallë nga moderniteti, po veçoj dhjetë librat që, në kuptimin borhesian, janë libra klasikë”.



1. “Rrethimi i Shkodrës”,  Marin Barleti.

Kjo vepër historike  është një monument i atdhedashurisë, i heroizmit të shqiptarëve, i vetëmohomit njerëzor për lirinë.

2. “Historia e Skënderbeut”, Marin Barleti.

Kjo vepër që  u kushtohet jetës dhe betejave të heroit tonë kombëtar, është “Iliada” e popullit shqiptar, i cili duke mbrojtur atdheun dhe qenësinë e tij, mbrojti njëkohësisht  vlerat e qytetërimit europian dhe u bë mishërim i dinjitetit njerëzor në kohën e tij.

3. “Visaret e Kombit, II” (epika legjendare).

Cikli i kreshnikëve është shprehja më burimore, më e fuqishme dhe më e plotë e gjenisë poetike shqiptare. Në këtë monument letrar mbijeton mitologjia iliro-shqiptare, tradita më e lashtë poetike e popullit që e ka krijuar.

4.”Kanuni i Lekë Dukagjinit”

I kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi. Është përmbledhja më e lashtë, më e plotë dhe më koherente e rregullave të bashkëjetesës ndërnjerëzore, e cila dëshmon se shqiptarët kenë qenë të aftë për t’u qeverisur, për të rregulluar marrëdhëniet e jetës së përditshme. Në të sanksionohen  disa norma  morale e juridike me karakter universal dhe të gjithëkohshëm.

5. “Këngët e Milosaos”, Jeronim De Rada.

Kjo poemë që ngjalli Motin e Madh, është kryevepra e romantizmit shqiptar. Ajo qëndron denjësisht përkrah poemave më të mëdha të romantizmit evropian.

6. “Lahuta e Malcisë”, Gjergj Fishta.

Është vepra më tipike e letërsisë shqiptare ku bëhet kalimi nga letërsia gojore në letërsinë e shkruar dhe ku kryhet më mjeshtërisht sinteza e tyre. Është një vepër madhore ku tema e së kaluarës  i lë vendin temës aktuale. Ndonëse në të nuk ka një personazh qendror si në epopetë homerike, ka personazhe episodike, të cilat, ashtu siç thotë një studiues për personazhet  e “Komedisë Hyjnore”, janë të përjetshëm.

7. “Shqipëria ç’ka qenë, ç ‘është dhe ç’do të bëhet”, Sami Frashëri

Vepër e një politologu, staticieni dhe mendimtari vizionar, ky libër është programi politiko-kulturor më shkencor, më i gjithanshëm, më largpamës dhe më afatgjatë, në të cilin janë sintetizuar imperativët kategorikë dhe aspiratat e një populli  të rrezikuar me copëtim e me zhdukje. Në të nuk ndeshen  gjurmë shovinizmi e magalomanie, por as shenja inferioriteti dhe gjunjëzimi para fatit.

8. “Lumi i vdekur”, Jakov Xoxa.

Është romani më i mirë i prozës shqiptare  të traditës. Në të gërshetohen mjeshtërisht brendia kombëtare, realizmi i ashpër, poezia e jetës së njerëzve të thjeshtë, pasuria e pashtershme  gjuhës shqipe. Duke përdorur fjalët e një shkrimtari të madh, do të thosha se kjo vepër “i ka lënë një vendi  imazhin e një epoke”.

9. “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, Rexhep Qosja.

Ky roman që ka një strukturë novatore  dhe një qasje moderne ndaj dukurive shoqërore, bën autopsinë e shoqërisë shqiptare, paraqet kompleksitetin e saj, dritëhijet dhe dramaticitetin e njeriut shqiptar. Ai konsolidon në letërsinë shqiptare humorin e zi të Konicës dhe makthin kafkian.

10. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare.

Kjo vepër përuron fillimin e prozës moderne shqipe, sepse, po të flasim me termat e studiuesit të romanit  të ri Jean Ricardou-së, në të gërshetohet shkrimi i aventurës me aventurën e shkrimit. Autori i këtij romani i rrëzon kufijtë midis prozës e poezisë, midis kombëtares e universales, midis reales e simbolikes.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas