Kronika, Kryesore

“Mami nuk ka faj”: Rrëfimi tronditës i një heroi

Nëse do të ishte emigrant në Francë, me siguri do t’i jepnin leje qëndrimi apo në një vend tjetër perëndimor, do të merrte shpërblim, por i riu nga Fieri ndien se ka bërë diçka që do ta bënte çdokush, i cili do të gjendej në vendin e tij.

Ardimiri shpëtoi nga mbytja dy vajzat binjake bashkë me nënën e tyre, e cila në kushte të thella dëshpërimi, pasi i kishte vënë flakën banesës së bashkëshortit, po vetëflijohej bashkë me dy të voglat. 29- vjeçari tregon se në momentin që Rudina Kishta po hynte në lumin Seman bashkë me dy vajzat, u ndodh rastësisht aty pranë pasi kishte shkuar për të peshkuar.



I riu tregon çastet e dhimbshme, teksa nuk harron të përmendë detajet sesi ia mori nga duart nënës vajzat e vogla. Ai tregon se është zhytur me not, duke nxjerrë në fillim njërën prej vajzave nga uji dhe duke i ardhur në ndihmë me frymëmarrje artificiale, pastaj ka ndërhyrë edhe për tjetrën.

Si e vutë re që gruaja po kërkonte t’i mbyste vajzat?

Isha duke peshkuar dhe në anën tjetër të lumit ishin dhe dy persona të tjerë, kur shikojmë se, një grua po vinte bashkë me dy vajzat e saj për dore. Kur iu afrua lumit, pashë që njërën e hodhi brenda në ujë, ndërsa tjetrën e mbante për flokësh dhe po tentonte që ta mbyste. Ndërsa po shkoja me vrap, pashë që u hodh dhe vetë. Hoqa telefonin nga xhepi dhe u zhyta se thellësia atje është rreth 3 metra. U futa me not dhe ia hoqa njërën vajzë nga duart, kurse tjetrën e kishte kapur prej flokësh dhe e mbante zhytur brenda në ujë. Nxora njërën në breg. Pastaj ajo (Rudina Kishta) eci dhe m’u largua rreth 6 metra. Kur e arrita, vajza tjetër nuk kishte shenja jete. E nxora në breg dhe i bëra frymëmarrje artificiale deri sa u përmend. Ndërkohë, nga ana tjetër, nëna e tyre mbeti në lumë, por ndërhyri një peshkatar tjetër që e nxori matanë lumit.

Po pastaj, çfarë ndodhi? Çfarë tha nëna e dy vajzave?

Pasi doli nga lumi, nëna tentoi përsëri që t’i mbyste me thonj vajzat. U hodhi duart në fyt. E mbajti peshkatari që e nxori nga lumi dhe e largoi, ndërsa unë lajmërova Policinë. As 5 minuta nuk vonoi dhe policia erdhi. E mori gruan tutje, por ajo tentoi prapë që t’i mbyste edhe në sy të policisë.

Dëgjuat që të fliste diçka?

Pasi doli nga uji, na thoshte ‘më lini t’i mbys se i kam fëmijët e mi, do të bëj çfarë të dua me ta, fëmijët janë të mitë’. Ato ishin dy engjëj të pafajshëm, aq të bukura, kukulla, sa edhe me dorë të donte t’i pikturonte njeriu nuk do t’i bënte dot aq të bukura.

Po vajzat e mitura kërkonin ndihmë?

Jo, vetëm qanin dhe kur dolën, edhe pse nëna e tyre tentoi që t’i mbyste, ato sërish thoshin ‘mos na largoni nga mami’. Edhe kur unë i telefonoja Policisë, ato më thoshin ‘duam mamin, nuk e ka fajin mami’.

Po ju vetë, si u ndjetë në momentin që patë gjithë këtë skenë?

U alarmova. As vetë s’e mora vesh se çfarë po ndodhte. I shokuar. Të shikosh dy engjëj të vegjël që tentojnë të mbyten.

Po ju pse vini në këtë zonë?

Unë vij thjesht për të peshkuar, kaloj kohën e lirë, ngaqë jam i papunë heq stresin, se edhe në qytet vetëm kafe do pish, sa të prish lekët kot edhe si kemi mundësitë.

A keni ndonjë apel?

Nuk ka ndonjë apel të veçantë. Unë shpërblim s’po kërkoj. Shpërblimin e mora duke shpëtuar dy engjëj të vegjël, mjafton që i pashë ato dy gocat që jetojnë. Tani lutem të jenë mirë ato.

E ndieni veten hero?

Thjesht kam bërë diçka fisnike që çdokush do ta bënte. Edhe një tjetër po të ishte në të njëjtën situatë, do të kishe bërë po atë që bëra unë./Panorama

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas