Sport

Mallkimi i numrit 9 te Milan, Higuain duhet të thyejë “tabunë”

“El Pipita” do të synojë të thyejë mallkimin e numrit 9 te Milan. Qendërsulmuesi argjentinas do të synojë të bëj atë që askush nuk e ka bërë në klubin kuqezi, që pas largimit të Pippo Inzaghi, tetë vjet më parë.

Gjashtë të tjerë kanë mbajtur mbi shpinë këtë numër, që pas largimit të “Superpipo”, por në të gjitha raste ka qenë një zhgënjim i madh. I fundit në rend kohor që u përfshi nga ky “mallkim” ishte Andre Silva.



Inzagi e mbajti numrin 9 te Milan nga viti 2001 deri në vitin 2012. 11 sezone gjatë të cilave luajti 300 ndeshje dhe shënoi 126 gola. Fitoi dy tituj kampion, dy Champions League, dy Superkupa të Europës dhe një botëror për klube. Që kur ai u largua, erdhën gjashtë të tjerë që mbajtën numrin 9, por asnjë prej tyre nuk arriti kuotën e dhjetë golave.

I pari ishte Pato. Sapo Inzaghi u tërhoq nga futbolli, Pato mori në trashëgimi numrin e tij duke lënë numrin 7, por atje filloi edhe rënia drastike e brazilianit. Një seri me probleme fizike e detyruan të humbasë 11 ndeshje dhe vendin në formacionin e Allegri.

12 muaj më vonë e pati radhën Alessandro Matri. Edhe ai erdhi nga Juventus, si Higuain, por nuk arriti të luajë në Milano ashtu si kishte bërë në Torino. Numri 9 shënoi vetëm një gol, edhe ai pa vlerë në humbjen 3-2 ndaj Parma dhe u largua pas pak muajsh te Fiorentina.

Në janar 2014 vendin e Matri e zuri Mattia Destro. Bilanci: 15 ndeshje, 3 gola. Shumë pak për të justifikuar 20 milionë eurot e shpenzuara dhe kësisoj shkoi te Roma, e më pas Bologna.

Nga gushti i vitit 2014 deri në janar 2015 numri 9 i Milan ishte Fernando Torres, por “El Nino” nuk la asgjë gjurmë në Serie A, shumë larg sulmuesit që kishte bërë magji me fanellat e Atletico Madrid dhe Liverpool.

Në sezonet e fundit, numri 9 i Milan ka qenë sërish në shpatullat e sulmuesve të huaj, Luiz Adriano dhe Andre Sivla, të cilët erdhën me pritshmëri të madhe, por nuk shënuan as çerekun e golave që kishin bërë me Shakhtar dhe Porto.

Braziliani shënuar 4 gola në një vit e gjysmë, nga gushti 2015 deri në janar 2017, përpara se të shkonte te Spartaku i Moskës.

Mediokër ka qenë edhe rendimenti i portugezit, që në verën e kaluar u ble për 38 milionë euro: 2 gola në 4 ndeshje.

Shumë pak për të mbajtur fanellën me numrin 9. Tani i takon Higuain të rikthehet në ritmet e Inzaghi, për të mos pretenduar ato të Van Basten apo Weah, që fituan “Topin e Artë” kur kishin mbi supe numrin që është kthyer në “tabunë” e futbollistëve në Milanelo.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas