Sociale

Mallkimet apo bekimet e Shën Kozmait?

Emri i shën Kozmait Etolisë ose të Kolkondasit, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy shekuj nga vdekja e tij maritirke më 24 gusht 1779, ka mbetur i pashlyeshën në mendjet e njerëzve dhe çdo brez ia përcjell brezit tjetër mësimet, mrekullitë, bekimet, por edhe mallkimet e tij. Ai pati një vdekje martirike të urdhëruar nga Kurt Pasha i Beratit, i cili u ble me aspra nga hebrenjtë për të dënuar hieromonakun Kozma, i cili në ndërgjegjen popullore dhe jo vetëm të krishterë ishte për së gjalli një shenjtor i madh, sa dhe vetë Ali Pashë Tepelena, pasi mundi Kurt Pashain e Beratit,  i ndërtoi kishën dhe manastirin në fshatin Kolidash (Kolkondas i Fierit), duke dhënë urdhër që të gjithë të kontribuonin, duke kontribuuar edhe ai vetë me të holla. Kokën e shenjtorit Aliu e vuri në një këllëf të argjendtë. Edhe pse ishte mysliman, e nderonte shumë duke i rënë në gjunjë, madje, kur një mysliman fanatik i tha se nuk bënte mirë t’i falej një kahuri, Aliu ia ktheu: “Më sillni një mysliman si ky i krishterë dhe do t’i puth edhe këmbët”. Kurse një sheu haxhi Sehriu, kur i thirri Aliut: “Ke bërë gjynah të madh!”, Aliu ia ktheu: “Po je i marrë, o sheh i varfër! Ky kallogjeri ishte profet i vërtetë. Erdhi në shtëpinë time në Tepelene edhe m’i tha të gjitha sa kisha bërë, sikur t’i kishte të shkruara të gjitha në qitap”.

Edhe pse që nga viti 1819 në Mineot e vjetra të Kishës murgu Kozma përmëndej si shenjtor, ai u shpall shenjtor kanonik vetëm në prill të vitit 1961 nga Patriarkana Ekumenike me Patriarkun Ekumenik me origjinë shqiptare, Athinagora.



Kjo vonesë të çudit, por të bën të mendosh se figura e tij shumë e madhe, e mbushur e tëra me fjalë profetike deri për fundun e botës dhe me vepra të mrekullueshme, i ngjan një mali që, kur je afër, nuk e kupton dhe s’e sheh dot madhështinë e tij, por sa më shumë ai largohet në horizont, aq më madhështore shfaqet pamja e tij e plotë. Ky fenomen “optik” duket se ngjan edhe me shën Kozmain, që sa më shumë vite largohemi nga vdekja e tij martirike, aq më shumë figura e tij shafqet e qartë përpara syve tanë me gjithë përmasat ë tij apostolike dhe profetike.

Për figurën dhe veprën e tij ka pasur shumë kundërshtime jo vetëm nga jo të krishterë, heretikë, gnostikë, ateistë, nacionalistë, por edhe ndër të krishterët ka pasur habi në lidhje me profecitë dhe sidomos me  mallkimet e tij, sepse shën Kozmai përveç bekimeve jepte edhe mallkime të frikshme në persona apo vende dhe mallkimet e tij zinin dhe pesha e tyre vazhdon të jetë deri më sot e të mbajë të lidhura fise, fshatra e vende.

Nuk do të na dilte koha t’i merrnim një nga një, por le të flasim për disa që ai tha dhe u bënë kur erdhi për të mësuar në zonën e Epirit dhe të Shqipërisë. Ai erdhi në këto vende në udhëtimin e tretë në vitin 1975-1977 dhe në udhëtimin e tij të fundit nga viti 1977-1979. I nxitur edhe nga patriarku Serafim me prejardhje nga Delvina, në vitin 1760, dhe Sofroni II, në vitin 1775, hieromonaku athonit Kozma erdhi në Epir dhe në Shqipëri, që të shpëtonte Krishterimin në këto anë dhe të frenonte kalimin në Islamizëm, që vazhdoi deri në kohën e Ali Pashës. Në udhëtimin e parë ai arriti deri në Himarë e Tepelenë, kurse udhëtimin tjetër e filloi nga Saranda e Delvina, vazhdoi në shën Vasil, Piqeras, erdhi në fshatrat e Himarës, si Dhërmi, Lates, Palasë, Dukat, pastaj kaloi në Vlorë, Nartë, Berat, Kavajë, Durrës, Tiranë dhe, sipas të dhënave, deri në rrethin e Krujës, në vendlindjen e Skënderbeut. Shën Kozmai, duke kaluar në këto vende, ashtu si bënte kudo ku shkonte, jepte shumë bekime, por si thamë më sipër edhe mallkime, si qortim i fundit atje ku fjala e Ungjillit nuk zinte vend më, sepse veshët ishin “shurdhuar” dhe ndërgjegjja ishte “trashur” edhe nuk ndiente gjë nga pabesia, injoranca dhe degjenerimi moral që pllakoste asaj kohe rajatë dhe rumët (të krishterët). Aravantinosi e përshkruan këtë gjendje me këto fjalë: “Në atë kohë, të krishterët shqiptarë ishn në gjendje gjysmë të egër… Mjaft, nga mungesa e mësimit, fillonin e mohonin besën e tyre stërgjyshërore dhe shembullin e tyre e ndiqnin në mënyrë të verbër edhe farefisi dhe miqtë e tyre. Lumi i mohimit të fesë kërcënonte të mbyste gjithë Epirin”.

Shën Kozmai kudo që shkonte i mësonte të krishterët të mos punonin dhe të mos bënin pazar të dielave, por të bënin pushim dhe të merreshin me punët e shpirtit, të shkonin në kishë, të ndiqnin Liturgjinë Hyjnore dhe të dëgjonin fjalët e Zotit. Ai u thoshte të krishterëve: “Duhet që edhe ne të punojmë të gjashtë ditët e javës për këto gjëra të kota dhe të rreme, kurse të dielën të vemi në kishë dhe të mendojmë për mëkatet tona, vdekjen, ferrin, parajsën, shpirtin tonë, që është më i shtrenjtë se e gjithë bota, dhe jo të hamë shumë e të pimë shumë e të bëjmë mëkate. Nuk duhet as të punojmë dhe as tregti të bëjmë ditën e diel. Ai fitimi që merret ditën e diel është i nëmur dhe i mallkuar; vini zjarr dhe mallkim në shtëpinë tuaj dhe jo bekim, sepse ose të vdes ty Perëndia para kohe, ose gruan tënde, ose djalin tënd, ose ngordh kafshën tënde ose të bën ndonjë të keqe tjetër. Nese e do nevoja të sjellësh gjëra të ngrënshme (qumësht, bulmet) të dielën për t’i shitur, atë fitim mos e bashko me tjetrin në trastën tënde, sepse e ndot, por jepe lëmoshë që të të ruajë Perënida. Prandaj, o vëllezërit e mi, që të mos pësoni asgjë të keqe, as trupore, as shpirtërore, unë ju këshilloj ta ruani të dielën, sepse i është kushtuar Perëndisë” (Predikimi 4).

Ata që nuk e dëgjuan këshillën e shën Kozmait, e cila shoqërohej me mallkim, e pësuan. P.sh. në Pargë, dikush që kishte një punishte donte të shiste diçka të dielën, por iu paralizua dora dhe nuk lëvizte dot; në Ksiromeri, një grua që zuri brumë të dielën, kur e nxori nga furra, e gjeti si të ishte mbrujtur me gjak. Edhe në tjera vende, meqenëse nuk u ruajt respekti që i takonte ditës së diel, ashtu si predikonte shën Kozmai, diku plasi një buall, diku një mushkë, dikë e lanë mendtë dhe dikush mbeti pa fëmijë.

Gjithashtu shën Kozmai qortonte luksin dhe kotësinë e grave aristokrate, që ishte një plagë për shoqërinë e asaj kohe dhe binte ndesh me varfërinë e shumë grave dhe nënave që s’kishin as bukë për fëmijët e tyre. Në jetëshkrimin e shën Kozmait tregohet se në vitin 1775, kur ai shkoi nga Kosturi në Korçë, ishte një grua e pasur që kishte një fëmijë, të cilin e stoliste me monedha floriri dhe stoli të tjera të tepërta. Këtë grua shenjtori e këshilloi shumë herë t’ua ndante stolitë fëmijve të varfër, nëse donte t’i jetonte i biri, por ajo nuk e dëgjoi. Në fund i tha se po të mos i hiqte stolitë nga fëmija, do ta humbsite shpejt dhe meqenëse përsëri nuk iu bind, ditën tjetër e gjeti të birin të shtrirë në shtrat dhe kuptoi se Zoti e ndëshkoi për mosbindjen dhe egoizmin e saj.

Shën Kozmai qortoi me mallkim edhe mungesën e mikpritjes dhe respektit për klerikun. Ka disa raste të tilla kur ai i qortoi, në mënyrë që ata njerëz të mësonin dhe të kuptonin, që të korigjoheshin ata dhe të tjerët pas tyre. Në lidhje me mallkimet e shën Kozmait, arkimandriti Haralambos Vassilopulos tregon:

“Në vitin 1939, duke kaluar në Epir, shkoja me një mësues në Lahanokastro, në Visiani. Gjatë rrugës vura re një fshat të vogël. Më bëri përshtypje se ishin të gjitha të vjetra, pa përjashtim.- Si i thonë këtij fshati? – pyeta. – Shën Kozma, – më përgjigjet mësuesi. – Emër i bukur, – i thashë unë. – Nuk quhej kështu, – shtoi ai. – E quanin Kakosius. Por, më 1925, e quajtën Shën Kozma, që ta merrnin shenjtorin me të mirë dhe ta bënin të hiqte mallkimin që dha. – Përse i mallkoi? – pyeta unë. – Në atë fshat erdhi për të predikuar, por banorët nuk i shkonin në predikim, me gjithë përpjekjet e tij. I binte vazhdimisht kambanës, por ata rrinin indiferentë. Atëherë shenjti pyeti sa shtëpi ka ky fshat. Tridhjetë, iu përgjigjën. Dyzet të mos bëhen, tha shën Kozmai. Dhe me të vëretëtë, kurrë nuk kishin arritur të bëheshin dyzet, megjithëse kishin kaluar 160 vjet.”

Por le të të përmendim një mallkim të tillë në fshatin Ilias, i cili ndodhet përgjatë rrugës nga Himara për në Dhërmi. Sipas një tradite gojore, mbasi ishte ngjitur nga rruga e gjatë, shenjtorin nuk e pritën në fshat. I lodhur dhe i etur, u kërkoi ujë banorëve, por ata nuk i dhanë, madje e tallën i madh edhe i vogël, duke mos e njohur dhe duke e menduar si një kallogjer endacak e të pavlerë, përveç një vajze që i foli me mirësi, të cilën e uroi: “Të marësh një burë si je vetë!”. Atëherë shenjtori i pyeti banorët: – Sa shtëpi jeni? – 29, – i thanë. – Kurrë mos u bëfshi 30.Çuditërisht fjalët e shenjtorit janë realizuar: ky fshat, edhe pse kanë kalur kaq vite, që kur e mallkoi shën Kozmai, asnjëherë nuk i ka bërë 30 shtëpi, ndryshe nga fshtara të tjerë si Vunoi, Dhërmiu (Dhrimadhes), që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të zgjerohen. Fshati nuk u zgjerua, sepse lindnin më shumë vajza se djem dhe shumë prej djemve emigronin dhe sot vazhdon të mbetet një fshat i vogël dhe kushdo që kalon atje edhe pyet pse është kaq i vogël fshati, i thonë se fshatin Ilias e ka mallkuar shën Kozmai.

Por mund të themi se mallkimet e shën Kozmait nuk ishin mjete hakmarrjeje; shenjtori nuk hakmerrej, por me anë të mallkimit ai i mësonte njerëzit që të bëheshin të logjikshëm, pra, mallkimet ishin një mjet pedagogjik. Ashtu si veprojnë edhe prindërit me fëmijët e tyre, që, kur shikojnë se ata nuk kuptojnë me fjalë, detyrohen t’i qortojnë, siç thotë edhe fjala e urtë: “Kush e kursen shufrën, urren birin e vet, por ai që e do, e korrigjon me kohë” (Fjalët e Urta 13:24). Madje prindi edhe e mallkon fëmijën, kur ia sjell në majë të hundës. Perëndia e dëgjon mallkimin e prindërve, sepse prindërit, ashtu si Perëndia, kanë të drejtë në fëmijët e tyre. Por Perënida dëgjon atë mallkim që është i drejtë, mallkimet e padrejta Perënida nuk i dëgjon kurrë dhe mallkimi i padrejtë kthehet mbrapsht. Shën Kozmai, si atë shpirtëror, nuk jepte kurrë mallkime të padrejta, i jepte të drejta, prandaj i zinin dhe mund të themi se ato nuk ishin mallkime, por bekime, si ilaçe të hidhura por të domosdoshme për të shëruar shpirtin nga plagët e mëkatit, të egoizmit, indiferencës, pabesisë. Shumë njerëz urtësoheshin e mblidhnin mendjen, të frikësuar nga mallkimet e tij pedagogjike. Në qoftë se dikush dënohej me të drejtë, shumë të tjerë përfitonin nga kjo, madje edhe sot e kësaj dite, kur i dëgjojnë dhe i shohin, mendohen dhe korrigjohen shumë veta.

Por le të përmendim edhe një tjetër çudi dhe mallkim-bekim të shën Kozmait në fshatin Dhërmi. Tradita gojore thotë se shën Kozmai erdhi në Dhërmi vonë në mbrëmje dhe u drejtua për në kafenenë e fshatit, por ngaqë njerëzit nuk e njihnin, nuk i dhanë rëndësi dhe ikën dhe e lanë vetëm në kafene. Me atë Kozmain mbeti dhe një fshatar i varfër me mbiemër Barkarrota, të cilit shën Kozmai i tha: “Do të vij në shtëpinë tënde sot për darkë”. Fshatari ishte shumë i varfër, bukë nuk kishte në shtëpi, por nuk i tha gjë se i vinte zor. Kur gruaja e fshatarit pa mikun te dera, u trondit se nuk kishte çfarë t’i shtronte për darkë. Ajo, që t’i gënjente fëmijët, kishte marrë një gur të bardhë dhe e kishte vënë në hi duke u thënë fëmijëve të flinin sa të bëhej kulaçi, që kështu fëmijët t’i zinte gjumi pa ngrënë gjë. Shën Kozmai u ul në krah të oxhakut dhe i tha zonjës: “Shikoje njëherë kulaçin se mos është pjekur, të hanë fëmijët dhe ne”. Gruaja nuk dinte ç’ti thoshte, më mirë të kishte vdekur në ato momente, por shën Kozmai këmbënguli dhe ajo largoi hirin, por u mrekullua kur pa gurin të shndërruar në kulaç të pjekur. Lavderoi Zotin dhe shën Kozmain dhe hëngrën atë natë të gjithë nga guri i kthyher në kulaç. Të nesërmen, Barkarrota i prekur edhe nga mrekullia e shenjtorit i tha: “Më hidh një urim edhe mua dhe familjes sime, që të na përmirësohet ca jeta”. “Po, – i tha, – do të hedh”. Dhe i tha : “U shoftë fara jote para se të vijë ajo ditë”. Fshatari u tmerrua  dhe i tha: “Unë te kërkova të më bekoje, jo të më mallkosh, o uratë”. Por shenjtori iu përgjigj: “Unë të bekova, sepse kur të vijë ajo kohë që do të quhet koha e grave dhe e rinisë, nuk ia vlen burri të rrojë”. Dhe thuhet se vërtet ai fis u zhduk para se të vinte ajo ditë. Kur e kam dëgjuar këtë histori për herë të parë, m’u kujtua se si një gruaje shumë besimtare i ishte shfaqur shenjtori dhe i kishte thënë: “Gratë, gratë, ato e prishën botën”. Kuptohet se shën Kozmai nuk është maskilist fanatik, sepse në predikimet e tij ai e ngre shumë rolin e gruas, por ai flet kundër atyre grave të pacipa e egoiste, që vënë kontroll mbi burrat e tyre dhe u kthejnë kundër edhe fëmijët. Pastaj burri kthehet një gjë i pavlerë, pa personalitet në familje. Fatkeqësisht po e jetojmë këtë kohë.

Por shën Kozmai, pavarësisht se dha mallkime, të cilat, si thamë, kishin karakter qortimi për korrigjim, në udhëtimet e tij apostolike dha shumë urata e bekime në emër të Zotit, për vende e njerëz, jo vetëm për të krishterët, por edhe myslimanët, madje edhe për turqit që në atë kohë ishin pushtues dhe përgjegjës për shumë krime ndaj popullit të krishterë. Tregohet se kur shejntori vajti në Kavajë, një oficer turk që vuante nga një sëmundje e tmerrshme dhe hiqte shumë, kur dëgjoi për shën Kozmain, dërgoi tek ai shërbëtorin e vet që ta luste të shkonte atje për ta bekuar, se ndoshta uratat e tij i dëgjonte Zoti dhe e shëronte. Shenjtori në fillim nuk donte të shkonte, duke thënë se ai ishte mëkatar. Turku dërgoi përsëri shërbëtorin e vet me një enë me ujë dhe luste shenjtorin ta bekonte. Atëherë shenjtori, duke parë përkushtimin e turkut, e porositi të bënte dy gjëra: Të mos pinte uzo dhe t’u ndante të dhjetën e pasurisë së tij të varfërve. Dhe, si mori premtimin e turkut, e bekoi ujin dhe këtë ujë e piu i sëmuri. Pas katër ditësh, ai  ishte shëruar plotësisht dhe sipas qortimit edhe këshillës së shën Kozmait, bëri shumë vepra në ndihmë të të varfërve dhe të dobtëve.

Bekimet dhe mallkimet e shën Kozmait janë treguesi se ai çdo gjë që thoshte dhe bënte e kishte frymëzim nga Zoti, që dëshmon për veten:  “Unë jam një Perëndi xheloz, që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia” (Eksodi 20:5-6).

Dhe diçka tjetër: Shën Kozmai nuk ishte një hieromonak (prift-murg) i zakonshëm orthodhoks, por një apostull i madh i Krishtit, ashtu si apostujt e parë, të cilët Zoti Krisht i pajisi me fuqinë dhe autoritetin e tij, që të bekonin por edhe të mallkonin ata që nuk i nderonin dhe rrinin kundër mësimit të tyre si apostuj të Krishtit, duke i urdhëruar:  “Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni nëse ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai derisa të niseni. Dhe kur hyni në shtëpi, uroni paqe. Dhe nëse ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, nëse nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju. Dhe nëse dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja. Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet” (Mateu 10:11-15). Shën Kozmai e dinte shumë mirë këtë urdhërim të Krishtit dhe në predikimet e tij ai mësonte: “Në çdo vend që shkonin Apostujt e shenjtë dhe pranoheshin nga banorët e atyshëm, Zoti u pati thënë ta bekojnë atë vend. Në çdo vend përsëri ku shkonin Apostujt dhe banorët nuk i pranonin, Zoti u pati thënë të shkundnin aty pluhurin e këpucëve dhe të largoheshin… Në çdo vend që shkonin Apostujt, hirotonisnin priftërinj e kryepriftërinj, e bekonin atë vend dhe bëhej parajsë e vërtetë, gaz dhe hare, banesë e engjëjve, shtëpi e Krishtit tonë. Në atë vend ku nuk i pranonin, ndodhte e kundërta. Aty hidhte rrënjë mjerimi dhe jo bekimi i Zotit, banesë e djallit dhe jo e Krishtit tonë” (Predikimi 6).

Por le ta ilustrojmë këtë mësim të tij me një tjetër bekim që dha në Qafën e Llogarasë, ndoshta midis viteve 1778-1779, vizita e tij e fundit në këto vënde. Gojëdhëna thotë se fshatarët e Dhërmiut dhe të Palasës e përcollën shën Kozmain deri në kufi me Dukatin, në vendin që quhet Dhjapori (monopat i drejtë i qetë). Rrugës, shën Kozmai u mësonte se do të vijnë kohë të vështira, kur njerëzit do të vuajnë për bukën e gojës dhe do të vdesin nga uria, madje edhe luftëra me karakter botëror. Kur fshatrët i dëgjuan këto, u trembën dhe i thanë: “Uratë, si do t’i përballojmë këto? Se fshatrat tona janë malore dhe s’kanë tokë pjellore”. Duke parë besën e tyre, shën Kozmai kërkoi pak grurë dhe, pasi e mori, u lut dhe e hodhi në të katërta anët, duke profetizuar me bekim: “Të bekuar jeni ju, o male, se shumë shpirtra do të shpëtoni!”. Dhe, duke parë fshatarët në sy, u tha: “Bukë s’keni, e buka kurrë nuk do t’ju mbarojë”. Fshatrët thonë: “Vërtet, ky bekim dhe uratë e shën Kozmait ka zënë, sepse sado që kalun brezat gjysh e stërgjysh dhe përballuan vuajtje, vendi ynë ka qenë i bekuar, malet na kanë shpëtuar, jo vetëm për strehim, por edhe për të sigururar mjetet e jetesës, duke mbledhur dhe shitur bimë medicinale; çuditërisht të varfër kemi qenë, por buka nuk na ka munguar asnjëherë, madje në kohën e komunzimit, edhe fshatrat që prodhonin grurë, hanin bukë misri, kurse ne hanim bukë gruri”.

Bekimi i shën Kozmait për këtë zonë është i dukshëm deri më sot, të gjithë ata turistë që e vizitojnë për herë të parë, çuditen për bukurinë dhe pasurinë e natyrës, po ashtu edhe për mirëqeninen e njerëzve që gjithnjë e më tepër rritet dhe, kur i pyet banorët përse ndryshoni ju nga vendet e tjera përgjatë bregut, ata thonë me mburrje: “Ne na ka bekuar shën Kozmai”.

Miron Çako, përgjegjës i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës, KOASH, Tiranë

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas