Kryesore, Politika

Mali i Zi kërkon përcaktimin e kufijve

ministria-e-jashtmeKërkesa i është bërë zyrtarisht qeverisë shqiptare. Rama ka ngritur një grup pune, që drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i MPJ. Në janar dalin rezultatet e studimit të situatës

 



Ndërsa ka ende të hapur çështjen me Greqinë sa i përket përcaktimit të kufirit detar, Shqipëria pritet të futet në një tjetër debat të ngjashëm, kësaj here me Malin e Zi.

Fqinji verior i ka paraqitur një kërkesë zyrtare qeverisë shqiptare për të përcaktuar së bashku kufirin mes dy vendeve.

Burime nga Ministria e Jashtme kanë bërë të ditur se qeveria e Podgoricës iu ka paraqitur në mënyrë zyrtare autoriteteve shqiptare kërkesën për të ngritur grupe pune të përbashkëta për të studiuar situatën dhe për të bërë të mundur përcaktimin e saktë të kufijve mes dy vendeve, bazuar kjo në të drejtën ndërkombëtare dhe në mirëkuptimin reciprok.

Bëhet fjalë për përcaktimin si të kufirit tokësor, ashtu edhe atë lumor, liqenor dhe detar. Kërkesë të cilën qeveria jonë duket se e ka marrë seriozisht, pasi me një urdhër të posaçëm, kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama ka vendosur për nisjen e përgatitjeve të duhura.

Kështu mësohet se Rama me këtë urdhër ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për vlerësimin e problematikës së kufirit tokësor, lumor, liqenor dhe detar mes Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Grupi i punës kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Qirjako Qirko dhe në përbërje të tij do të jenë përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Energjetikës, Ministrisë e Transporteve, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Gjithashtu, pjesë e grupit të punës janë dhe përfaqësuesit e Sekretariati Kombëtar Teknik të Ujit, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe Akademia e Shkencave.

Siç vërehet edhe nga përbërja e këtij grupi ndërinstitucional, qeveria shqiptare synon që në këtë rast të bëjë një punë më të mirë në aspektin e studimit të çështjes për çdo fushë dhe mbi bazën e këtyre rezultateve të ulet në tryezën e bisedimeve me palën malazeze për të përcaktuar në mënyrë sa më të drejtë të mundshme kufijtë mes dy vendeve.

Kjo edhe si një nevojë për të mos përsëritur gabimet apo problematikën që shoqëroi marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar me Greqinë.

Për të dalë në konkluzione konkrete, grupit të punës i është lënë si detyrë që brenda janarit të vitit 2015 të përgatisë një material vlerësues për situatën dhe t’ia paraqesë atë kryeministrit.

Do të jetë pikërisht ky material vlerësues ai që do të përcaktojë qëndrimin që do të mbajë pala shqiptare kur të ulet në tavolinën e bisedimeve me palën malazeze.

Në total janë 172 km vijë kufitare që e ndajnë Republikën e Shqipërisë me Republikën e Malit të Zi në veri-perëndim. Por ndërsa për kufirin tokësor çështja është më e thjeshtë, pasi edhe sot ekziston një vijë e përcaktuar thuajse qartë mes dy vendeve, ajo që pritet të hajë debat janë kufijtë lumorë, liqenorë dhe ata detarë.

Kjo pasi siç mësohet, në rastin e kufirit liqenor pothuajse të gjitha bovat e hekurit që shërbejnë si piketa përcaktuese të kufirit ujor nuk ekzistojnë më, ndaj dhe kërkohet një përcaktim i ri kufitar.

Çka për vite me radhë është bërë problem kryesisht për peshkatarët e të dyja vendeve, të cilët në pamundësi për të dalluar vijën kufitare, kalonin në thellësi të territorit liqenor të shtetit fqinj, duke u bërë shpesh pre e arrestimeve të policive të këtyre dy shteteve.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas