Op Ed

Maks Velo dhe refuzimi i shoqërisë ndaj së shkuarës

Nga Alda Bardhyli

“Diktatura edhe në krim kishte sjelljen e saj…”. I veshur me një këmishë të kaltër, Maks Velo hedh whisky në gota për miqtë nga Kosova teksa përpiqet t’u tregojë burgun. Fytyra femrash të trishta nudo janë shpërndarë në muret e ateliesë ku ai ndan jetën, bashkë me tablotë e mëdha me imazhe të jashtëzakonshme plot stilizim figurash. Aq sa një dritë duket sikur përshkon me mundim përtej figurave të zeza të vizatuar në qelqet e dritares, rrugën për t’u përthyer në bibliotekën e madhe të drunjtë ku janë librat e një jete. Biruca apo internimi në fshat e bënë ta shihte ndryshe të zezën. “E zeza është ngjyra më e fuqishme…”, shkruan ai te romani “Hetimi”. Por Velo ka ditur të ecë përmes të zezës me aftësinë që kanë artistët për të donimuar ngjyrat. Një libër i Lorkës “Jerma” kopertinën e së cilës e ka realizuar në birucë e tregon këtë. Mbi mur portreti i Marie Therese, të dashurës sekrete të Pikasos, me duart e kryqëzuar në fund të barkut, në çastet e një pritjeje të ëmbël e një kohe dashurie, riprodhuar nga Velo e çon bisedën në kërkimin e artit që nuk mbaron asnjëherë.



Nëse do të harroje derën e madhe që të çon në oborrin me lulet e pafundme të Ollgës (motrës së Velos), për të ngjitur shkallët për në këtë atelie, mund të mendoje se je në një nga studiot e artistëve të Parisit të shekullit XIX. Por kjo tablo ka një histori, të cilën Velo e tregon ashtu teksa pi ngadalë whisky. Vite më parë në Paris ai ka mundur të takojë vajzën e Marie Therese e Pikasos, fshehur në këtë pikturë nën duart e hollë të Maries. Janë dhjetëra piktura kryesisht nudo që Pikasso i realizoi për Marien, që kanë një ndjeshmëri që i bën dramatike pas çdo vështrimi. “Sepse ishte dashuri”, do t’i përgjigjej Pikaso pyetjeve të kritikës për këto tablo.

Por nëse lidhjet dashurore, e jeta private ishin ndër shqetësimet e artistëve të shekullit XX, historia e Maks Velos, tablotë e tij varur në hapësirën e kësaj atelie ku dikur vendoseshin aparate përgjimi, e më pas do të merreshin me forcë 249 vepra arti, për t’u djegur në hetuesi është historia e një kaste tjetër artistësh që u përballën me komunizmin, për të cilët bota ende di shumë pak. Tablotë që kanë mbushur hapësirën e kësaj studioje janë një triumf i artit ndaj diktaturës, pasi pjesa më e madhe e tyre janë realizuar nga Velo pas daljes nga burgu. Historia e kësaj ndërtese ku Velo ka ndarë pjesën më të madhe të jetës në Tiranë, është tabloja e vërtetë e asaj çfarë ndodhi me artin në socializëm.

Në muret që sot ai u ka dhënë ngjyrë të kaltër si këmisha që ka veshur, duket sikur ruhet ankthi i nënës dhe motrave kur ai vuante në birucë. Portreti i një vogëlushi bardhosh i hipur në karrocën që tërhiqet nga një kalë, ku dallohet pranë tij portreti i një gruaje që përpiqet ta mbajë teksa ai gëzon, ka mbetur ashtu bardhezi në bibliotekën e madhe si historia e një fillimi. I një fillimi të lumtur në krahët e një gruaje që ishte nëna e tij, sytë e zinj të mëdhenj që ruajnë të njëjtin vështrim të thellë në foton ku një unazë i shkëlqen në duar, që Velo e mban mbi shtrat. Se në çdo histori ka rëndësi fillimi.

Nëse dashuria të ka mbështjellë herët ajo do të përpiqet të të shpëtojë duke të bërë të shohësh qartë dhe në kushtet e një situate pa krye siç ishte rasti i hetimit të tij. Botimi i dosjes së plotë të përndjekjes, hetimit, dënimit dhe burgut të Velos nga UET PRESS, nën titullin “Jetë paralele”, nxori në pah një personazh të jashtëzakonshëm që Velo është, në një vend ende të trazuar nga e shkuara.

Në çdo vend të botës botimi i dosjes së përndjekjes së një artisti nga diktatura, duke treguar mënyrën sesi arti u përdor nga pushteti, apo sa artistët i shërbyen sistemit e si mund të shndërrohej qenia njerëzore në kushtet e një prej diktaturave më të egra, nuk do të kishte kaluar në heshtje. Duket se debati mbi të shkuarën do të jetë sërish një debat që do të shtyhet në kohë, për sa kohë ka një refuzim të shoqërisë jo vetëm për t’i dënuar krimet e komunizmit, por dhe për të refuzuar diskutimin për to.

Velo me kurajë nuk e fshehu dosjen e tij, duke kontribuar ashtu siç ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, ndaj artit, shoqërisë, mendimit. Sot më 31 gusht më 83-vjetorin e jetës, këta rreshta janë pak për të përshkruar dimensionin e këtij artisti që kam pasur fatin ta njoh këto tri dekadat e fundit, përmes së cilit ndjen se arti vijon të jetojë në këtë qytet…/Mapo.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas