Bota

“Mafia dhe burokracia”. Shembja e urës tregon çfarë nuk shkon me Italinë

Për vite me radhë, shumë persona kanë qenë të shqetësuar se ura Morandi do të shembej herët ose vonë. Qytetarët, arkitektët dhe inxhinierët kishin folur të gjithë publikisht, ashtu siç kishin bërë, ndoshta në mënyrë sekrete, një ose dy politikanë të zonës.

Për shumë njerëz, kjo ishte vetëm një çështje kohe. Por kur ajo u shemb, nën një rrëke shiu duke vrarë dhjetëra njerëz, “ferri” i zakonshëm politik u aktivizua, me partitë që akuzonin njëra-tjetrën ndërkohë që qeveria i vuri gjithë fajin kompanisë përgjegjëse për mirëmbajtjen e autostradës, në kërkim të një krimineli.



E vërteta e hidhur është se tragjedia mund të ishte shmangur. Shiu nuk kishte të bënte fare me të. Katastrofa ishte për shkak të “një gabimi njerëzor”, sipas Prokurorisë së Xhenovës.

Ura, si shumica e rrugëve dhe autostradave në Itali, kishte nevojë për një ndërtim nga e para dhe jo sepse ishte ndërtuar dekada më përpara. Ka ura që datojnë që në kohën e Romës së Lashtë dhe ende qëndrojnë të forta.

Ura Morandi e Xhenovës, nga ana tjetër, ishte në fund, kishte nevojë konstante për riparime, që për fat të keq konsistonin vetëm në ndryshime të vogla, si të rregullosh pjesët e një makine të papërdorshme në vend që të blesh një të re.

Nuk iu dha kurrë një ndryshim i plotë, pavarësisht se dihej që ajo kishte nevojë urgjente për vëmendje.

Planet për një autostradë alternative nuk kanë marrë vëmendjen e duhur, ndërsa njohuritë e duhura teknike mund ta kishin parandaluar përkeqësimin e urës.

Tani e dimë se materialet e përdorura për ta ndërtuar atë ishin të vjetëruara dhe të papërshtatshme për të përmbushur nevojat e rritjes së qarkullimit të automjeteve.

Trafiku, veçanërisht në veri, është rritur ndjeshëm që kur ura u ndërtua në vitet 1960.

Gjatë viteve, ajo ishte kthyer në një ndër kryqëzimet kryesore të autostradës në Itali, duke lidhur rajonet e ndryshme me Francën.

Infrastruktura moderne është vendimtare për zhvillimin dhe sigurinë e çdo vendi, por duket se ky nuk është një prioritet i lartë në Itali.

Pas tragjedisë, Matteo Salvini, zëvendëskryeministër i Italisë dhe kritik afatgjatë i BE-së, shkroi: “Nëse ka kufizime evropiane që na pengojnë të shpenzojmë para për të siguruar shkollat ku shkojnë fëmijët tanë ose autostradat ku kalojnë punëtorët tanë, ne do të zgjedhim sigurinë e italianëve para të gjithëve dhe gjithçkaje”.

Por e vërtëta është se fondet publike të destinuara për të modernizuar ose ndërtuar të reja janë caktuar, por zakonisht nuk shpenzohen kurrë. Paratë janë aty, por ne nuk dimë çfarë të bëjmë me to.

Italia mbetet nën mesataren europiane pasi nuk ka investuar plotësisht fondet e BE-së që kanë për qëllim mbështetjen e projekteve të infrastrukturës.

Investimet në infrastrukturë mund të jenë të vështira për t’u arritur. Mund të duhen vite, madje edhe dekada, për të ndërtuar ndonjë gjë, dhe jo për shkak të rregullave të rrepta fiskale të Evropës që kufizojnë shpenzimet. Ky është vetëm një justifikim i kotë.

Një qeveri e sapozgjedhur është në gjendje të “zhbëjë” planet kyçe të infrastrukturës të miratuara nga një qeveri e mëparshme thjesht për shkak të “ndryshimit të prioriteteve”. Hartat e rrugëve ndryshojnë çdo herë që një parti e re apo partitë e reja vijnë në pushtet.

Burokracia e tepërt është një pengesë tjetër që nuk lejon që projektet infrastrukturore të zbatohen plotësisht në Itali.

Pastaj vjen mafia. Korrupsioni i zyrtarëve publikë dhe infiltrimi i grupeve kriminale në tenderët publik ngadalëson përmirësimin e infrastrukturës publike italiane.

Autostrada që shkon deri në pikën jugore të Italisë,  quajtur “Rruga e Gangsterëve”, mori pothuajse 50 vjet për t’u përmirësuar dhe përfunduar për shkak të hetimeve të vazhdueshme. Hetimet mbi ngjarjen e Xhenovës do të marrin kohën derisa të zbulojnë fajtorin. Por çfarë do të ndodhë gjatë kësaj kohe?

Ndoshta, autoritetet italiane mund të fillojnë hartimin e të gjitha sferave kritike dhe të përcaktojnë një plan serioz të infrastrukturës afatgjatë që nuk hiqet pas pak vitesh nga një qeveri e re.

Siç e kemi parë këtë javë, vonesa në përmirësimin e infrastrukturës nuk është vetëm mungesë përgjegjshmërie, por mund të jetë vdekjeprurëse.

Burimi: Silvia Marchetti, CNN 

Përshtati: tvklan.al 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas