Kryesore, Politika

Maas – Ramës: Keni ndërmarrë vendime kurajoze me reformat

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas inkurajoi Kryeministrin Edi Rama të vijojë mënyrën e tij kurajoze të të bërit politikë, me reformat e rëndësishme që ka nisur ku prioritare është reforma në sistemin e Drejtësisë. Kryediplomati gjerman i bëri këto komente në një dalje të përbashkët me Kryeministrin Rama, pas takimit mes tyre në Kryeministri.

Në përgjigje të komentit të Kryeministrit për zgjedhje të mençur në vendimin për ta kaluar drekën në Tiranë, Maas shprehu falënderimet e tij për mikpritjen që i është rezervuar. “Kemi udhëtuar përmes qytetit dhe kemi mundur të shohim gjurmët që keni lënë në Tiranë si kryetar bashkie”, – e nisi ai deklaratën për mediat, duke iu drejtuar Kryeministrit. “Është bërë shumë dhe shumë do të bëhet. Fakti që në Tiranë jetojnë në harmoni të plotë komunitetet e krishtera dhe myslimane i jep shpresë gjithë botës”, – tha ai.



“Mënyra kurajoze për të bërë politikë është demonstruar tashmë e suksesshme. Fakti që janë nisur reforma të thella, sikurse është ajo e Drejtësisë, e kudo njohur dhe gjithsekush këtu, në rajon, apo në Berlin, apo në BE, e dinë se sa e rëndësishme është kjo reformë për perspektivën europiane të Shqipërisë, ndaj është mjaft e rëndësishme që qeveria të mund të vijojë më tej, në rrugën e nisur tanimë”, – tha kryediplomati gjerman.

“Ne e kemi Shqipërinë partner të rëndësishëm, në kuadër të organizatave dhe Bashkimit Europian. Shqipëria është spirancë e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon”, – tha Maas.

Ai risolli në vëmendje faktin që në qershor të këtij viti, u vendos që në vitin 2019 të nisin bisedimet për pranimin e vendit në BE. “Për këtë reformat duhet të vijojnë, dhe ka pasur e do të ketë rezistencë në këto procese por që do të duhet të tejkalohen në mënyrë që të garantohet perspektiva europiane e vendit”, – theksoi Maas.

Pavarësisht të gjithave, shtoi kryediplomati gjerman, Shqipëria do të mund të mbështetet gjithmonë tek Gjermania. “Do të keni gjithmonë mbështetjen gjermane dhe perspektiva europiane e Shqipërisë nuk është vetëm fjalë, nëse do të vazhdoni me rrugën tuaj sikundër viteve të fundit, do përmbushni kushtet, keni mbështetjen tonë të plotë”, – nënvizoi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në krah të Kryeministrit Edi Rama në Tiranë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas